Besimtari është si bleta

167

Nga Brunilda Basha

Ky hadith më kujtohet sa herë dëgjoj dikënd të ankohet së tepërmi. Të ankohet për çdo gjë, për vështirësitë që has gjatë jetës, sidomos mbi të metat e dikujt apo pakënaqësitë mbi një vend apo diçka të caktuar.

Gjatë kohës së studimeve në Fakultetin e Arkitekturës në Malajzi, isha e vetmja studente e huaj (jo malajziane) në brezin tim. Të huaj e tjerë ishin kryesisht më të rinj.
Shpeshherë kur një student i huaj vazhdonte studimet në fakultetin tonë, disa pedagogë do i sugjeronin të vinin të më takonin. Kështu do kisha mundësinë të ndaja me ta eksperiencat e mia, sesi ja dola me sukses ndonëse isha jo vendase, sesi njeriu nuk duhet të dorëzohet asnjëherë dhe se çdo gjë përfundon në mënyrën më të mirë me ndihmën e Zotit. Këshilla që më së shumti i jepja gjithsecilit ishte e njëjta këshillë të cilën ma kishte dhënë një profesor i imi në Shqipëri.
Teksa bisedoja me të rreth studimeve në Malajzi dhe perceptimeve të njerëzve rreth këtij vendi, më thotë: “Disa njerëz janë si bleta dhe disa të tjerë si miza. Nëse ti vendos të jesh bletë, do shikosh të mirën në çdo ambient, shtet dhe kulturë. Sepse këtë bën dhe bleta. Ajo shkon e zgjedh lulet më të bukura e merr më të mirën prej tyre, nektarin. Në anën tjetër, miza zgjedh të shkoj në vende jo të pastërta edhe pse ka kaq bukuri rreth e rrotull saj”. Dhe ai kishte të drejtë.

A nuk e përmend Zoti bletën në Kuran si shembulli më i mirë? A nuk thotë Profeti se “Besimtari është si shembulli i bletës”? Pse? “ha të pastrën, prodhon të pastrën dhe nuk e shkatërron degëzën e hollë kur ulet në të”

A nuk duhet që ne besimtarët të jemi si bleta? Një besimtar e ushqen veten me hallall, vishet hallall, ecën në atë që është e mirë, mbron vetveten nga afrimi në haram (ajo që është e ndaluar) dhe adhurimi i tij është me sinqeritet.
Bleta prodhon të pastrën e të mirën (mjaltin), ashtu si dhe besimtari është burim i mirë për veten dhe të tjerët. Veprimet e tij janë të mira, të menduarit dhe të folurit e tij është e bukur, nuk flet për të tjerët apo çështje të cilat nuk i përkasin atij. Përkundrazi ai është pozitiv, në një proces të vazhdueshëm në përmirësimin e vetes, duke ndihmuar të tjerët që të gjithë mund të përfitojnë nga mirësia e tij.
Ashtu si bleta që nuk e dëmton lulen apo ndot ujin, duke qëndruar butë mbi të, edhe besimtari nuk e dëmton veten dhe të tjerët rreth tij. Njerëzimi ka nevojë për të përfituar nga ne. Nëse ulemi me njëri-tjetrin të ndajmë ide se si të jemi të dobishëm dhe jo të dëmshëm, si të zgjidhim problemet e njerëzve rreth nesh, atëherë do jemi vërtet të dobishëm për njëri-tjetrin.

Një tjetër karakteristikë e virtytshme e bletës është se ato punojnë në grup. Në përgatitjen e qelizave të mjaltit ato punojnë së bashku dhe kujdesen mjaft mirë për pasardhësit e tyre. U mahnita kur diku lexova se një bletë është e caktuar vetëm për të krijuar fresk duke përplasur flatrat, të tjera janë përgjegjëse për pastrimin etj. Kjo do të thotë se bletët e vlerësojnë përpjekjen si një komunitet/trup i vetëm.

A nuk duhet ne besimtarët të jemi të njëjtë? Ne punojmë si një trup dhe një ekip i vetëm. Ne ndiejmë dashuri, mëshirë, përzemërsi për njëri-tjetrin. Nëse dikush bën një të mirë ne e mbështesim, nëse gabon e përjetojmë sikur të kemi gabuar dhe ne.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Besimtarët janë si një trup i vetëm. Nëse sëmuret një organ, ankohet i gjithë trupi.”
Ne duhet të përpiqemi të korrigjojmë miqtë tanë, bashkëshortët, pjesëtarët e familjes, umetin tonë musliman. Jo duke u treguar gabimet në mënyrë të ashpër, jo me synimin për ta bërë gabimtarin të ndihet keq, por me qëllimin që të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit. Kjo pasi qëllimi ynë kryesor është të kënaqim Allahun dhe për të marrë shpërblime nga i Plotfuqishmi. A nuk është prej muslimanit të urdhërojë të mirën e të ndalojë të keqen? Allahu (xh.sh.) ka thënë: “Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Ali Imran, 104)
Në qoftë se do të përqëndrohemi thellë në të kuptuarit e virtyteve të bletës, do të kuptojmë se ajo jep mesazhe universale për të gjithë ne. Në qoftë se ne punojmë me besimin tonë (Iman), me qëllimin (nijetin) t’i dorëzojmë veten të Plotfuqishmit nëpërmjet mendimeve tona, të folurit, veprimeve, ndjenjave, të mbrohemi nga e keqja, të jemi të drejtë dhe jo të pamëshirshëm e të pamoralshëm, atëherë ne mund të shërojmë tërë njerëzimin. Ashtu si bleta, e cila pavarsisht me çfarë luleje ushqehet (ëmbël apo idhët) jep mjaltë të ëmbël në fund ashtu dhe ne duhet të dhurojmë mjaltë e ëmbëlsi për çdokënd.
I lutemi Allahut të jemi nga ata që do të thirren në Ditën e Gjykimit: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” (Zumer, 73)
Allahu na faltë dhe na bëftë burim drite dhe mirësie!

Revista “Familja”, prill 2017