Europian në Shqipëri dhe shqiptar në Europë, sfidë apo tendencë?

87

Nga Merjem Allaisufi

Në ditët e sotme të qenit europian është kthyer në një tendencë, ndërsa për shqiptarët kjo tendencë duket më tepër si sfidë. Dita ditës shtohen vështirësitë e të qenit pjesë e një Europe të bashkuar. Shpesh shqiptarët ndiehen të privilegjuar, më bashkëkohorë dhe të europianizuar. Përveç kësaj, ideja e të qenit europian, u jep shqiptarëve shpresa për një të ardhme më të mirë duke synuar këtu dhe edukimin e brezave në vijim. Por a është kjo një sfidë apo mbetet thjeshtë një synim i paarritshëm?

Kjo mbetet për t’u parë edhe pse asgjë nuk është e paarritshme, sidomos kur flitet për shqiptarët, të cilët janë njohur për përpjekjet dhe vendosmërinë që kanë treguar ndër vite. Për ata mund të mos jetë e thjeshtë të jetojnë si europianë në një vend të vogël si Shqipëria, por nuk është aspak e vështirë të jetojnë si qytetarë të nderuar në çdo vend tjetër të botës.

Pas anëtarsimit ne BE sigurisht që Shqipëria do ta ketë më të thjeshtë të kalojë vështirësitë, por  të konsiderohet si një tendencë është e pamundur për një popull që është gjendur gjithmonë para vështirësive dhe sfidave. Shqeshherë ndodh që shqiptarët anëtarësimin e shohin si problemin e fundit që duhet zgjidhur, ndërsa miliona të tjerë mendojnë se Shqipëria ka nevojë të zgjidhë problemet e brendshme, e më pas të mendojë për Europën. Dhe kjo na tregon që mosqenia në një mendje ka qenë gjithmonë sfida dhe problemi më i madh i shqiptarëve.

Shqiptarët janë shquar gjithnjë si një popull i traditës dhe kulturës, si një popull i besës me një zemër të madhe. Edhe pse pas 27 vitesh liri veprimi dhe fjale, ne jemi akoma në fluturim, duke përjetuar sprova të ndryshme si pasojë e tranzicionit politiko-social që zakonisht na imponohet nga të tjerët, plagë kjo e rrënjosur në shpirtrat e qytetarëve të këtij vendi.

Pavarsisht gjithçkaje që kemi përjetuar dhe përjetojmë, ne kemi dëshmuar se brenda vetes kemi forca dhe vlera të mëdha, të cilat nëse do tentojmë t’i realizojmë për ne kjo do ishte sfida më e madhe që meriton të jetohet.

Të jetosh si gjithë të tjerët është e drejtë e çdo individi, aq më tepër europian, edhe pse për ne shqiptarët duket një ëndërr e madhe, por unë besoj shumë që për të jetuar ëndrrat e bukura duhet një zgjim i fuqishëm, që popullit tonë dhe rinisë në veçanti nuk i mungon. Ne besojmë se një ditë Shqipëria do të hyjë në Europë dhe do të bëhet një vend me rregulla dhe mënyrë jetese europiane, ashtu sikurse mendoj që për ta kthyer këtë sfidë në arritje nuk duhet vetëm të ëndërrosh, por edhe të punosh fort, sepse nga ne varet e ardhmja e vendit tonë. E atëherë do të ndiehemi vërtet europianë, por gjithmonë do jemi krenarë që jemi shqiptarë.

Qershor 2017