Cilat janë të drejtat e komshiut në Islam?

243

Nga Elona Muça, teologe
Feja islame posedon një thesar të madh të vlerave, të moralit të cilat rregulluan shoqërinë njerëzore duke e nxjerrë atë nga errësira në dritë. Falënderojmë Allahun e Madhëruar, i Cili na mundësoi t’i mësojmë këto vlera të moralit nga edukata e shpirtit e profetit Muhamed (a.s.).
Të drejtat e komshiut janë nga parimet e moralit të muslimanit në fenë islame. Gjithashtu, ato janë nga normat bazë të moralit të një shoqërie, qoftë ajo shoqëri islame ose jo.
Çështja e karakterit të njeriut është e ndërlikuar, ndaj patjetër duhet të ketë udhëzime dhe këshilla të njëpasnjëshme që të thellohet në zemra e ide, se besimi dhe morali janë elemente unike të pandara. Ato janë baza të prosperimit në këtë botë dhe shpëtimit në botën tjetër.
Bazuar në këtë kontekst, transmetohet se një njeri i ka thënë Profetit (a.s.): “Një grua përmendet ndër njerëz se falet shumë, agjëron dhe jep lëmoshë, mirëpo ajo i dëmton me fjalë fqinjët e saj. Profeti (a.s.) tha: “Ajo është në Zjarr.” Pastaj njeriu tha: O profet i Allahut, filania përmendet se falet pak, agjëron dhe se jep lëmoshë disa copa djathi, por nuk i dëmton fqinjët e saj”. Ai tha: “Ajo është në Xhenet.”
Kategoritë e komshinjve i ndajmë:
1-Komshiun të cilin e ke të afërt dhe është musliman. Ky komshi ka tri të drejta:
a- E drejta e fqinjësisë
b- E drejta e Islamit dhe
c- E drejta farefisnore.
2-Komshiun të cilin e ke musliman. Ky komshi ka dy të drejta:
a- E drejta e fqinjësisë
b- E drejta e Islamit.
3-Komshiu i cili është jo besimtar. Ky komshi ka të drejtën e fqinjësisë.
Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik na ka porositur që të kujdesemi për komshiun: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë”. (Sure Nisa, 36)
Profeti (a.s.) për rëndësinë e komshiut ka thënë: “Vazhdonte Xhibrili të më porosiste për rëndësinë e kujdesjes ndaj komshiut, sa që mendova se do të ishte pjesë e trashëgimisë.”

argument-conflict-finger-pointing-CreativeRFNilsHendrikMuellerGettyImages-56b82fb25f9b5829f83daeb6
Prej të drejtave të komshiut po përmendim këto parime:
1- E drejta e përshëndetjes dhe e kthimit të përgjigjes së saj. Sot duke menduar që jemi të civilizuar, kemi filluar të mbyllemi në atë guackën e egos duke i shpërfillur njerëzit që na rrethojnë. Tregohet historia e Profetit (a.s.) me komshiun e tij çifut. Një ditë profeti nuk e shikon djalin e çifutit dhe pyet se çfarë ka ndodhur me të. Kur dëgjon që është i sëmurë, i shkon për vizitë dhe me shumë urtësi Profeti (a.s.) i drejtohet djalit duke i thënë: “Dëshmo se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguari i Tij.” Djali pa nga babai i tij dhe ky i fundit i dha leje që të bënte ashtu siç po thonte Ebu Kasim (emri i profetit). Atëherë djali tha shehadetin dhe më pas vdiq. Profeti (a.s.) u gëzua duke thënë se ai (djali) e shpëtoi veten nga Zjarri.
2- Të jetë i sigurtë komshiu nga ty, dmth që komshiu mos të presë prej teje asnjë gjë të keqe. Profeti (a.s.) thotë: “Nuk hyn në Xhenet ai prej të cilit komshiu nuk është i sigurtë”. Sot në jetën e përditshme komshiu shqetësohet nga zëri i lartë i magnetofonit, nga të bërtiturat vulgare, nga boria e makinës që mund të ndodhet poshtë pallatit apo nga zëri i lartë i kasetofonit në makinë, nga mashtrimet e vjedhjet midis komshinjve etj.
3- Të jesh i durueshëm ndaj tij, pra të jemi tolerant ndaj ndonjë shqetësimi që mund të të sjellë ai. Sot për një shqetësim të vogël apo zënkë që mund të ndodhë midis komshinjve, çështja kalon në komisariat.
Allahu (xh.sh.) thotë: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Sure Fusilet, 46)
Tregohet që Ebu Hanife, një nga katër imamët e mëdhenj të çështjeve islame, kishte një komshi ateist që e shqetësonte shumë. Çdo ditë kthehej në shtëpi i pirë dhe këndonte me zë të lartë: “Më humbët ore, më humbët.” Ebu Hanifja edhe pse punonte ditë e natë me çështjet e Islamit, nuk kishte shkuar asnjëherë për t’u ankuar për të. Një ditë nuk e dëgjon të këndojë dhe del e pyet se çfarë ka ndodhur me komshiun e tij. Dëgjon se është burgosur se nuk ka paguar borxhet që kishte. Atëherë Ebu Hanifja shkon në burg për ta takuar dhe i paguan borxhin. Kur del nga burgu takohen me njëri-tjetrin dhe imam Ebu Hanifja i thotë: “A të humbëm?”- Ai i përgjigjet: “Jo o imam, më shpëtuat!” dhe shqiptoi shehadetin.
4- Të nderojmë dhe ta respektojmë komshiun. Thotë Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush beson te Zoti dhe në Ditën e Gjykimi, le të nderojë komshiun e tij.” Fatkeqësisht sot shikojmë që komshinjtë me njëri-tjetrin qëndrojnë indiferent përballë këtij parimi. Paraqiten raste kur komshiu ose komshija takohen, krenohen me rrizkun që ju ka dhënë Zoti me shumë mendjemadhësi, gjë e cila mund të ndikojë negativisht në emocionet e tjetrit, pasi ai nuk mund të jetë i varfër. Abdullah in Mubarek një prej të devotshmëve në Islam, kur blente ushqime e ndante me komshiun çifut. Tregohet që njëherë Aishja (r.a.) donte të bënte një dhuratë, e pyet Profetin (a.s.): “Ne kemi dy komshinj, kujt t’ja çoj këtë dhuratë? Ai i tha: Atij që ke më afër me derën e shtëpisë tënde.
5- Të ruash nderin dhe pasurinë e komshiut. Një ditë Profeti (a.s.) iu drejtua shokëve të vet: “Çfarë mendimi keni për imoralitetin?” Ata thanë: “Vepër që e ka ndaluar Zoti deri në Ditën e Gjykimit.” Profeti (a.s.) tha: “Të bësh imoralitet me 10 gra është vepër e ulët dhe e ndaluar, por të bësh imoralitet me një nga gratë e komshiut është akoma edhe më e ulët. Çfarë mendimi keni për vjedhjen?” Ata thanë: “Vepër që e ka ndaluar Zoti deri në Ditën e Gjykimit.” Profeti (a.s.) tha: “Të vjedhësh 10 shtëpi është vepër e ulët dhe e ndaluar, por të vjedhësh shtëpinë e komshiut është edhe më e ulët.”
6- Nëse komshiu të fton për ushqim, duhet t’i përgjigjesh ftesës së tij dhe mos ta nënvleftësosh atë (ftesën). Shpesh dëgjojmë raste kur komshinjtë komentojnë ushqimet e gatuara të komshiut, kur i ka ftuar për drekë ose për darkë duke i përbuzur ato. Apo ka raste kur ti nuk i përgjigjesh ftesës, pasi thua që nuk është në të njëjtën pozitë me mua etj. Profeti (a.s.) na këshillon duke thënë: “Nëse do të më ftonin edhe për një kockë, do t’i përgjigjesha ftesës.”
7- Të duash për komshiun, atë që do për veten tënde. Nëse nuk do që njerëzit të të bëjnë keq ty, mos i bëj as ti keq atyre. Nëse do që njerëzit të sillen në mënyrën më të mirë me ty dhe të bëjnë mirë me të njëjtën mënyrë, sillu edhe ti mirë me ato. Profeti (a.s.) thotë: “Nuk beson asnjëri prej jush derisa të doni për vëllain tuaj atë që doni për vete.”
Në mbyllje të kësaj teme, e lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre njerëzve që të jemi shembulli më i mirë për shoqërinë!

 

Shkurt 2018