Cili është ilaçi i pesimizmit?

184

Nga Elona Muça

Pyetje: Meqenëse në rubrikën tuaj shtrohen pyetje të ndryshme do të dëshiroja që edhe unë të ndaja një problem timin me ju. Po kaloj një periudhë të vështirë me vajzën time, pas humbjes së djalit të saj në një aksident me makinë. Shpeshherë është pesimiste dhe ka një mendim të gabuar për Allahun duke thënë që Allahu nuk më do mua, e shprehje të tjera… .

A mund të më thoni cili është ilaçi i kësaj gjendje? Ju faleminderit shumë.

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, salavatet qofshin mbi Profetit Muhamed (a.s.), familjen e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë udhën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari, nënë e nderuar pranoni ngushëllimet tona për nipin tuaj dhe e lusim Allahun e Madhëruar që ta bëjë prej banorëve të Xhenetit.  Zoti ju dhëntë durim, durimtarin Allahu e  shpërblehen.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: “Unë jam me robin Tim kur ai mendon për Mua”. Ndërsa në një thënie tjetër Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “askush prej jush të mos vdesë veçse duke menduar mirë për Allahun”.

Një nga dijetarët e Islamit, Ibn Kudameh El-Makdesi, në një nga librat e tij flet bukur për shpresën. Ai thotë: “për ilaçin e shpresës kanë nevojë dy kategori njerëzish:

  1. Njeriu që është pushtuar nga trishtimi dhe pesimizmi deri në atë masë saqë ka lënë ibadetet.
  2. Njeriu që është pushtuar nga frika aq sa dëmton veten dhe familjen e tij.”

Ndërsa për gjynahqarin që i ka hyrë vetja në qejf, e që shpreson në mëshirën e Allahut të Madhëruar, megjithëse është larguar nga ibadeti, nuk duhet përdorur veçse ilaçi i frikës. Sepse ilaçi i shpresës mund të jetë helm për të, pasi mjalti që është shërim për të ftohurin është i dëmshëm për të sëmurin me temperaturë.

Gjendja në të cilën ndodhet vajza juaj sot është pikërish grupi i njerëzve të kategorisë së parë. Ajo për shkak të trishtimit ka rënë në pesimizëm aq saqë ajo shprehet me këto shprehje që të ketë mendime të gabuara ndaj Allahut të Madhëruar.

Është detyra jonë, si këshillues fetar që të përmendim vlerat dhe shkaqet e shpresës me të cilat synojmë të përmirësojmë gjendjen e zemrave të sëmura.

Imam Aliu (r.a.) ka thënë:” dijetar është ai që nuk i privon njerëzit nga shpresa tek mëshira e Allahut dhe nuk i siguron ato nga dënimi i Tij.”

Do ta këshilloja vajzën tuaj me thënien e Profetit Daud (a.s.) të cilin Allahu i Madhëruar e frymëzoi duke i thënë: “Më duaj Mua dhe atë që më do Mua, dhe më bëj Mua të dashur tek krijesat e Mia”, Daudi (a.s.) i tha: “O Allah! Si të bëj të dashur tek krijesat e tua? Allahu i tha: më përmend me të mira tek ta, dhe kujtoju argumentet dhe mirësinë Time”. Me këtë thënie, të gjithë ata që janë të trishtuar nga sprovat e jetës të cilat janë të ndryshme duhet që secili nga ne të meditojë llojet e mirësisë me të cilat na ka rrethuar Allahu i Madhëruar.

Nëse njohim butësinë, mëshirën, dhe mirësitë e Allahut të Madhëruar ndaj robve të Tij në këtë botë, nuk duhet të pranojmë apo të mendojmë se sprovat që na godasin janë ato që na çojnë drejt shkatërrimit, jo kurrësesi.

Profeti Muhamed (a.s.) në një hadith thotë: “çdokujt prej jush që i vdesin tre fëmijë do ta shpëtojnë prej zjarrit. Njëra prej grave të pranishme e pyeti: O i dërguari i Allahut po nëse i vdesin dy fëmijë ? Profeti Muhamed (a.s.) tha: edhe dy”.

Gjithashtu Profeti Muhamed (a.s.)ka thënë: “Allahu i pyet melekët e Tij kur një njeriu i vdes fëmija dhe u thotë: “a e morët fëmijën e robit Tim?” – po o Zot – përgjigjen melekët. “A e morët frutin e zemrës së tij? “- po o Zot – përgjigjen melekët. “Po çfarë tha robi im?” Të falenderoi Ty o Zot dhe tha: të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Atëherë Allahu u thotë: “Atij i ndërtoni një shtëpi në Xhenet dhe quajeni shtëpia e falënderimit”.

Nuk ka shpërblim më të madh sesa Xheneti për dikë që Zoti e sprovon në këtë botë me vdekjen e një të dashuri dhe ai duron.

Pra, fatkeqësia e vdekjes së një të afërmi dhe durimi në këtë çast janë shkak për të shkuar në Xhenet. Po kështu, hadithi tjetër përgëzues është edhe thënia e Profetit Muhamed (a.s.) në të cilin thotë: “Çdo lodhje, sëmundje, fatkeqësi, hidhërim, mërzitje, apo çdo e keqe e vogël sikurse shpimi nga gjembi janë shkak ku nëpërmjet tyre Allahu i shlyen gjynahet e njeriut”

Dhe thotë: “Fatkeqësitë nuk do të reshtin së rëni mbi besimtarin dhe besimtaren në pasurinë dhe fëmijët e tyre derisa të takojnë Zotin dhe të mos kenë asnjë gjynah”.

Ndaj përgëzoje vajzën duke i thënë se Allahu më së shumti sprovon besimtarët dhe ata që Ai do. E më së shumti u sprovua Profeti Muhamed (a.s.) të cilit i vdiqën 3 djem dhe 3 vajza, bashkëshortja e të afërm, e përsëri ai duroi. Allahu u dhashtë durim dhe ua largoftë të keqen duke ua kompensuar me mirësi prej mirësive të Tij.

 Rev. Familja, maj -qershor 2015