Dedikuar motrës sime

718

Nga Merjem Allaisufi

E dashur motër! Asnjëherë nuk të kam kushtuar një shkrim timin, në të cilin të shpreh çdo ndjenjë që kam për ty. Të të shpreh se je e çmuar për mua, të të them se dashuria ime për ty kurrë nuk do të mbarojë dhe të them se do të jem pranë gjithmonë. Do të jem pranë kur ti të kesh nevojë për ndihmën time, do të jem pranë kur ti të gjendesh në vështirësi dhe do të të jem pranë sa herë të më kërkosh…Ti je shumë e rëndësishme për mua. Buzëqeshja jote është ajo që ndriçon ditën time. Përqafimi yt i ngrohtë më fal dashuri pafund. Prandaj do të jem pranë, që edhe unë të të dhuroj lumturi dhe të bëj të ndiehesh mirë. Ti më kthen buzëqeshjen edhe kur jam e mërzitur. Ti më kthen shumë prapa në kohë, duke më bërë të luaj çdo lojë që ty të pëlqen. Ti më bën të luaj me kukulla dhe princesha. Dhe unë kurrë nuk zemërohem me ty, sepse ti je princesha ime, je pjesë e zemrës sime që nuk do shkëputesh kurrë. Prandaj unë do të të jem pranë teje, që të të fal të njëjtin gëzim. Do të jem pranë teje, që të të them sa rëndësi ke për mua. Do të jem pranë teje edhe kur të ndiej rrahjet e fundit në zemrën time, sepse dua që zemra jote të shijojë çdo moment të bukur në jetë. Ti je e shtrenjta ime, motra ime e dashur!

Revista Familja, prill 2017