E vërteta shpie në Xhenet…

97

Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përmend se i Dërguari i Zotit (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë:

“(Fliteni) të vërtetën, sepse e vërteta shpie në devotshmëri, e devotshmëria shpie në Xhenet. Më tej, njeriu vazhdon ta flasë të vërtetën, si dhe ta zbatojë atë, derisa te Allahu regjistrohet si njeri i çiltër. Ndërkaq, ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra shpie në mëkat, e mëkati shpie në Xhehenem. Më tej njeriu vazhdon të gënjejë, dhe të jetë vazhdimisht afër gënjeshtrës, derisa te Allahu të regjistrohet si gënjeshtar!” [Transmeton Buhariu, nr. 6904 dhe Muslimi, nr.2609].

Komentimi i hadithit:

Hadithi këshillon për të folur të vërtetën dhe larguar nga gënjeshtra. Përmes tij kuptojmë rrjedhojën e fjalës së drejtë, rrugëtimin e saj dhe pastaj përfundimin me Xhenet, përkundër gënjeshtrës që shpie në mëkat e si pasojë përfundon në zjarr.

Nga këto fjalë të Profetit (alejhi selam) vërejmë tek ai strategji madhështore që kishte në edukim dhe këshillim të masës. Këtë e shoim në çdo fjalë të hadithit, secila e radhitur në vendin e saj, e thënë mjaft qartë, pa lënë vend për dyshime, pikëpyetje e dilema. Nga ana tjetër shohim se Muhamedi (alejhi selam) e kishte zakon që kur këshillonte me një vepër të mirë, menjëherë tërhiqte vërejtjen nga e keqja e të kundërtës së saj. Gjithashtu nëse ndalonte diçka, menjëherë përmendte alternativën hallall të saj. Këshilloi për thënien e fjalës së vërtetë dhe ndaloi gënjeshtrën. Ndërsa po të përmendej vetëm pjesa e parë e hadithit (që këshillon për ta thënë fjalën e vërtetë), duke mos u potencuar edhe pjesa tjetër që ndalon gënjeshtrën, mund të sillte keqkuptime për të menduar se ajo nuk ndalohet, vetëm urrehet etj.

Që nga fillimi e deri në fund të këtij hadithi shohim të përsëriten fjalët që qëndrojë kundër apo përballë njëra-tjetrës. Në këshillën e parë urdhërohet për (të folur, vepruar) të vërtetën (Thuajeni të vërtetën!) e në pjesën e dytë ndalohet nga jo e vërteta (Kujdes nga gënjeshtra!).

“E vërteta shpie në devotshmëri, e devotshmëria shpie në Xhennet”, e kundërta e saj: “Gënjeshtra shpie në mëkat, e mëkati shpie në Xhehenem”.

“Më tej, njeriu vazhdon ta flasë të vërtetën, si dhe ta zbatojë atë, derisa te Allahu regjistrohet si njeri i çiltër” e kundërta e saj: “Më tej, njeriu vazhdon të gënjejë, dhe të jetë vazhdimisht afër gënjeshtrës, derisa te Allahu të regjistrohet si gënjeshtar”.

slide-1-728 (2)Fjala arabe “sidëk” në hadith përkthehet “sinqeritet, e vërtetë” dhe është cekur e përgjithshme, që lë të kuptohet se në këtë urdhër futet fjala e vërtetë, puna e sinqertë, futet lëvizja dhe heshtja, e qeshura dhe e qara jote; thjesht futet çdo gjë që buron nga ti. Andaj edhe ashtu duhet kuptuar. Kjo pjesë nuk do të thotë të jemi të sinqertë vetëm në fjalë, kurse gënjeshtarë në vepra, në qëllime etj., por të mbretërojë e vërteta në çdo gjë që buron nga ne. Kështu hadithi i mbyll të gjitha rrugët e arsyetimit të ndokujt për dinakëritë e tij.

Fjala “E vërteta shpie në devotshmëri” – devotshmëri është shprehja në të cilën futet çdo mirësi. Andaj njeriu që e flet dhe punon të vërtetën pa dyshim se do të udhëzohet në të gjitha rrugët e mirësisë, sado qofshin dhe kudo që të jenë ato.

E vërteta nuk nënkupton se ajo shpie në devotshmëri, por ai që shpie në devotshmëri është Allahu i Gjithëfuqishëm, kurse e vërteta është vetëm shkak. Prandaj ne jemi të obliguar të besojmë se Allahu bën çdo gjë dhe, në anën tjetër, obligohemi të ndërmarrim shkaqet për çdo gjë. Të njëjtat fjalë vlejnë edhe për pjesët e tjera të hadithit: “…e devotshmëria shpie në Xhennet/ gënjeshtra shpie në mëkat, e mëkati shpie në Xhehennem”.

Fjala: “Më tej, njeriu vazhdon ta flasë të vërtetën, si dhe ta zbatojë atë derisa te Allahu regjistrohet si njeri i çiltër”. Kjo pjesë do të thotë se e vërteta duhet thënë gjithmonë, përndryshe me herë të parë nuk futesh në radhët e robërve të çiltër. Gjithashtu duhet të mundohesh ta zbatosh sa më shumë, derisa të bëhet shprehi e jotja. Në arabisht fjala “zbatim i së vërtetës” nënkupton edhe kujdesin maksimal dhe marrjen e shkaqeve për të arritur deri tek e vërteta, e nëse ndodh që të gënjejë pa qëllim, pasi është munduar maksimalisht të arrijë tek e vërteta, në këtë rast nuk mëkaton.

Për besimtarin e sinqertë Allahu në Kuran tregon se janë në shoqëri me Profetët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh, sa shokë të mrekullueshëm janë këta! Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë” (Sure Nisa: 69-70), gjithashtu thotë: “Vërtet, punëdrejtët do të jenë në Xhenet” (Sure Infitar: 13).

Pjesa e lartëpërmendur nënkupton edhe faktin se njeriu në momentin që shënohet tek Allahu si i çiltër, atëherë i tillë do të jetë edhe në zemrat e njerëzve, pasi atij do t’i zbresë pranimi (kabuli) në tokë, e që nënkupton se do të jetë në hatër të të gjithëve.

Fjala: “Ndërkaq, ruajuni nga gënjeshtra…”, edhe në këtë rast gënjeshtra është përmendur e përgjithshme, në të cilën futet çfarëdo lloj i saj dhe nuk lë hapësirë për manipulim të askujt. Fjala gënjshtër, e përmendur në hadith, komentohet si emër në të cilin futet tërë e keqja me llojet e saj, sado qofshin ato.

Shprehjen “Gënjeshtra shpie në mëkat, e mëkati shpie në Xhehenem” e vërteton ajeti Kuranor: “Kurse gënjeshtarët-fajtorët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues” (Sure Infitar: 14).

Fjala: “Më tej njeriu vazhdon të gënjejë, dhe të jetë vazhdimisht afër gënjeshtrës, derisa te Allahu të regjistrohet si gënjeshtar”,  i tillë do të jetë edhe tek njerëzit. Herët apo vonë ata do e kuptojnë gënjeshtrën e tij dhe nuk do të mund të vazhdojë gjihmonë të aktrojë tek ta, sepse “gënjshtra i ka këmbët e shkurtra”.

Llojet më kryesoret të gënjeshtrës janë:

o Gënjeshtra ndaj Allahut, e cila nënkupton përgënjeshtrimin e Zotit; të folurit në emër të fesë pa dituri, lejimi i haramit dhe ndalimi i hallallit etj.

o Gënjeshtra ndaj Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem), e cila përmban në vete shtimin e haditheve që ai nuk i ka thënë, përgënjështrimin e profecisë apo diçka nga mësimet e tij, etj. Ai në hadith thotë: “Kush gënjen qëllimisht ndaj meje, le ta përgatitë vendin e tij në Xhehenem” (Buhariu dhe Muslimi).

o Gënjeshtra ndaj prindërve, ndaj njerëzve në përgjithësi, dëshmia e rrejshme në procese gjyqësore, në dokumente etj.

Muslimani duhet të ruhet maksimalisht nga ky ves i keq që nuk i takon atij, ajo kurrë nuk mund të konsiderohet veti e tij. Muslimani mund të mëkatojë, të ngutet e të gabojë, të nevrikoset e të mos dijë çfarë flet, dhe kështu të dalë nga vetvetja e tij i ndikuar nga shkaqe të jashtme, mirëpo të gënjejë me qëllim nuk ka asnjë arsye, pasi ndikuesit e jashtëm nuk ekzistojnë. Detyroje veten ta thuash të vërtetën derisa të të bëhet shprehi.

Gënjeshtra e lejuar:

Ekzistojnë tri raste, në të cilat lejohet gënjeshtra. Mirëpo ajo në këto raste nuk ka karakter prishje, por vetëm rregullimi dhe shtimi të mirësive të Zotit. Këto tri raste janë të përmendura në hadith të Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem) dhe askush nuk ka të drejtë që me rastet e tilla të krahasojë edhe raste të tjera sipas dëshirës së tij, dhe kështu të gënjejë nga tre në treqind raste.

Hadithi përmend: Umu Kulthum tregon se Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk është gënjeshtarë ai që pajton ndërmjet njerëzve (të ngatërruar) dhe thotë një gjë të mirë apo…”, pastaj  vazhdon e thotë ajo (transmetuesja): “Nuk kam dëgjuar se e ka lejuar në ndonjë rast tjetër përveç këtyre tri rasteve:

  1. Pajtimin ndërmjet njerëzve (të ngatërruar)
  2. në luftë ndaj armikut
  3. ta gënjejë burri gruan e tij apo gruaja burrin e saj (për të shtuar dashurinë mes tyre)” (Transmeton Muslimi).

Allahu na bëftë të sinqertë në fjalë dhe vepra e na ruajt nga gënjeshtra dhe Xhehenemi!

Mars-Prill 2013