Fuqia e të menduarit kritik

34

Nga Sherife Kalaja

“Receta e injorancës së përhershme është: kënaqu me mendimet e tua dhe ngopu me ato që di” (E.Hubbard).

Vijmë në këtë botë pa opinione, gjykime, vlera apo pikëpamje dhe tani kokën e kemi të mbushur plot me të tilla. Ato na ndihmojnë të ecim përpara në këtë botë. Ato na çojnë drejt suksesit apo dështimit, injorancës apo dijes, të mirës apo të keqes, paralizës apo fuqizimit personal. Disa nga bindjet që kemi na bëjnë më mendjemprehtë e të tjera na verbojnë, disa janë të vërteta e disa jo. Lind pyetja, si t’i dallojmë të duhurat? Kjo pyetje përbën atë që është themeli i të menduarit kritik.

Aftësia për të përcaktuar cilësinë apo vlerën e bindjeve është funksioni kryesor i të menduarit kritik, një aftësi kjo që arsimi i lartë synon ta zhvillojë. Kjo do të thotë se të menduarit kritik nuk ka të bëjë me atë që mendoni, por me mënyrën sesi mendoni. Të menduarit kritik nuk përqëndrohet te shkaqet e bindjes suaj, por te fakti nëse kjo bindje ia vlen. Një bindje ia vlen dhe duhet mbajtur nëse kemi arsye të qëndrueshme për ta pranuar atë. Sa më të mëdha të jenë arsyet për pranim, aq më të mëdha janë shancet që bindja të jetë e vërtetë. Padyshim dhe është më se e natyrshme që të gjithë ne dëshirojmë që bindjet tona të jenë të vërteta, të na udhëheqin mirë në botën që na rrethon dhe të menduarit kritik është mjeti më i mirë që na mundëson arritjen e këtij objektivi jetësor.

Të menduarit kritik është më i gjerë sesa logjika, sepse ai jo vetëm që e përfshin atë, por edhe vërtetësinë apo falsitetin e thënieve, vlerësimin e argumenteve apo fakteve, përdorimin e analizës dhe hulumtimit, si dhe aplikimin e shumë aftësive të tjera që na ndihmojnë të vendosim se çfarë të bëjmë apo të besojmë. Të menduarit kritik çon në përftimin e dijeve dhe besimeve dhe nëse këta elementë i vëmë në punë, ato do të na çojnë drejt fuqizimit personal. Të menduarit kritik ndihmon në zgjidhjen e problemeve, të nxënit aktiv dhe përmirësimin e vazhdueshëm të vetvetes, procese këto që janë shumë të rëndësishme për të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të suksesshme.

Në një masë të madhe, jetët tona përcaktohen nga veprimet dhe zgjedhjet që ne bëjmë, kurse veprimet dhe zgjedhjet tona udhëhiqen nga mendimi ynë. Thuajse çdo ditë ne bombardohemi nga mori pohimesh, opinionesh, prononcimesh që vijnë nga të gjitha anët. Të gjitha na grishin t’u zëmë besë, t’i pranojmë, t’u nënshtrohemi. Nëse duam që të bëjmë zgjedhjet e duhura dhe të krijojmë bindje të drejta, nëse duam të ngrihemi mbi parimin me sy mbyllur dhe mbi vendimet arbitrare, atëherë duhet të përdorim teknikat që na ofron të menduarit kritik.

Natyrisht, gjithmonë ekziston mundësia të zgjedhim rrugën më të lehtë, idetë më të thjeshta. Ne mund të kapemi pas çdo lloj mendimi apo opinion që sjell era, duke bërë tonat këndvështrime që thjesht u pëlqejnë të tjerëve, ose thjesht se ato na bëjnë të ndihemi më mirë. Duke u bërë kështu si shembulli i një gjetheje, që e merr era në një ditë vjeshte dhe e përplas ku të mundet, gjë që çon në humbjen e lirisë personale. Nëse ne pranojmë në mënyrë pasive mendimet që na ofrojnë prindërit, kultura e vendit apo mësuesit, atëherë këto mendime nuk janë realisht tonat. Thjesht jemi gjendur aty në momentin kur këto mendime përcilleshin nga të tjerët. Nëse këto mendime që nuk janë tonat ne i lëmë të drejtojnë vendimet tona, atëherë janë ato që drejtojnë jetën tone, jo ne.

Mendimet bëhen tonat vetëm kur i shqyrtojmë në mënyrë kritike për të parë nëse bazohen në arsye të qëndrueshme ose jo. Të analizosh në këtë mënyrë mendimet e tua, do të thotë të analizosh jetën tënde, sepse mendimet në një masë të madhe përcaktojnë jetën tonë. Ne të gjithë e përdorim të menduarit kritik në jetët tona në shkallë dhe në forma të ndryshme, por problemi qëndron në faktin se sa mirë e përdorim atë.

Ekziston një grupim njerëzish që mendojnë se të menduarit kritik na bën shumë të ftohtë dhe pengon aftësinë për të qenë krijues. Shumica prej tyre e kuptojnë fjalën kritikë si arsye për t’u ankuar ose gjetje e gabimeve.

Por vlen të theksohet se të menduarit kritik ka të bëjë me përcaktimin e asaj që priremi të besojmë, ku përfshihet edhe pranimi i pikëpamjeve të tjera, tolerancë ndaj pikëpameve të kundërta, përqëndrimi te çështjet që diskutohen dhe vlerësimi i drejtë i argumeneve dhe fakteve. Të menduarit kritik na mundëson t’i kontrollojmë emocionet për të mos na shtrembëruar gjykimin, por ai gjithashtu na ndihmon t’i qartësojmë ato dhe t’i menaxhojmë në mënyrë sa më efektive.

Të menduarit kritik e përsos krijimtarinë, sepse krijimi ka nevojë për vlerësim dhe përmirësim. Në një kuptim shumë të rëndësishëm ai njësohet me të menduarin jashtë kuadrateve, kur ne pranojmë në mënyrë pasive idetë me të cilat biem në kontakt, kur refuzojmë të shqyrtojmë teoritë alternative, kur ua përshtatim mendimet tona dëshirave të grupit dhe kur e lëmë mendimin tonë të ndikohet nga paragjykimet, atëherë kemi mbetur të mbyllur në thellësi të kuadrateve. Ne arrijmë të dalim që aty vetëm me kurajën për të menduar në mënyrë kritike.

Kur jemi të gatshëm t’i lëmë mendimet tona t’i nënshtrohen gjyqit të menduarit kritik, ne i krijojmë vetes sonë mundësi për shance të reja, të cilat mund të bartin në vetvete farën e krijimeve të ardhshme.

Të menduarit kritik shtrihet në shumë territore. Ai përdoret në të gjitha disiplinat, në të gjitha fushat e jetës publike, në të gjitha shkencat, në të gjithë sektorët e biznesit dhe në të gjitha profesionet. Ai ka luajtur një rol shumë të madh në të gjitha arritjet e mëdha të njerëzimit: në zbulimet shkencore, teoritë e teknologjitë e reja, teoritë filozofike, por edhe mungesa e të menduarit kritik ka lënë gjurmët e veta. Tragjeditë e mëdha të historisë: luftërat, masakrat, racizmat kanë qenë pjellë e mendjeve të varfra të cilat e kanë patur të cunguar aftësinë për të menduar në mënyrë të qartë dhe të kujdesshme.

Mars 2018