Përqasje: A mund të bëhet një grua ‘imame’ xhamie?

Përqasje: A mund të bëhet një grua ‘imame’ xhamie?

246

Nga Yasmen Mogahed
Në 18 mars 2005, Amina Wadud u bë gruaja e parë që drejtoi faljen e namazit të xhumasë në një xhami. Ishte dita kur gratë hodhën një hap gjigand drejt përafrimit dhe ngjashmërisë me burrat. Por, vallë, a iu afruam më shumë realizimit të lirisë që na ka dhuruar Zoti?
Unë mendoj se jo.
Ajo që shpesh harrojmë është se Zoti e ka privilegjuar gruan duke e vlerësuar në raport me Atë, pra, Zotin, jo me burrat. Por teksa feminizmi perëndimor e ka fshirë nga skena Zotin, nuk ka mbetur standard tjetër, veç burrave. Si rrjedhojë, feminisët perëndimorë janë të detyruar t’i nxjerrin vlerat e gruas duke e vënë përballë burrave. Në këtë mënyrë, gruaja ka pranuar një supozim të rremë. Ajo ka pranuar që burri është standardi, prandaj gruaja nuk mund të jetë kurrë një qenie njerëzore e plotë, derisa të bëhet plotësisht si burri – “standardi”.
Kur burri i mban flokët shkurt, edhe ajo dëshiron t’i mbajë flokët shkurt. Nëse burri shkon ushtar, edhe ajo dëshiron të shkojë ushtare. Ajo i dëshiron këto gjëra vetëm sepse ato janë të “standardit”.
Ajo çfarë nuk kuptohet është se Zoti i ka privilegjuar si burrat, edhe gratë, me veçoritë dalluese të tyre, jo me të përbashkëtat. Edhe në 18 mars, gratë muslimane bënë të njëjtin gabim.
Për më shumë se 1400 vjet, ka patur pajtueshmëri të plotë dijetarësh për faktin se drejtimi i faljes së namazit iu takon burrave. Si muslimane që jam, çfarë rëndësie ka kjo? Ai që drejton namazin nuk qëndron aspak më lart shpirtërisht se të tjerët. Diçka nuk është më e mirë se të tjerat veç sepse atë e bën një burrë. Në qoftë se ai rol do të ishte për gruan apo në qoftë se do të ishte më hyjnor, atëherë pse Profeti nuk i tha Aishes, Hadixhes apo Fatimes – grave më të mira të të gjitha kohërave – që të drejtonin namazin me xhemat? Këtyre grave iu premtua Xheneti, megjithatë ato nuk e drejtuan faljen asnjëherë.
Por tani, për herë të parë në 1400 vjet, ne shohim një burrë që drejton faljen dhe mendojmë: “Kjo nuk është e drejtë!”. Mendojmë kështu, edhe pse Zoti nuk i ka dhënë ndonjë privilegj të veçantë drejtuesve të faljes. Imami, në sytë e Zotit, nuk qëndron më lart se ai që falet prapa si xhemat.
Nga ana tjetër, veç gruaja mund të bëhet nënë. Dhe Zoti i ka dhënë privilegje nënës. Profeti (a.s.) na ka mësuar se Xheneti qëndron nën këmbët e nënës. Çfarëdo që të bëjë një burrë, ai nuk mund të bëhet kurrë nënë. Atëherë, pse kjo nuk është e padrejtë?

Amina Wadud, Amerikë

Kur u pyet se kush e meriton më shumë mirësjelljen tonë, Profeti (a.s.) u përgjigj “nëna” tri herë, dhe më pas tha “babai” një herë. A nuk është seksist ky qëndrim, vallë?
Përsëri, kur Zoti na ka nderuar me diçka unike femërore, ne jemi shumë të zëna me përcaktimin e çmimit të vetes sonë duke iu referuar burrave, për vlerësimin e saj ose edhe thjesht për ta shquar atë. Edhe ne i kemi pranuar burrat si standard, kështu që çdo gjë unike femërore është detyrimisht inferiore. Të jesh i ndjeshëm është fyese, të jesh mama është denigruese. Në luftën midis racionalitetit stoik (i konsideruar mashkullor) dhe dhembshshurisë altruiste (e konsideruar femërore), racionaliteti mbizotëron dukshëm.
Menjëherë sapo pranojmë se çdo gjë që bën burri është ajo më e mira, gjithçka më pas është reagimi spontan “nëse e kanë burrat, e duam edhe ne”. Nëse burrat falen në rreshtin e parë, ne supozojmë se kjo është më e mira, prandaj dëshirojmë të falemi në rresht të parë. Nëse burrat drejtojnë faljen, ne supozojmë se imami është më afër Zotit, prandaj duam që edhe ne të drejtojmë namazin. Kështu kemi pranuar ndoshta pa vetëdije se pozicioni drejtues i dikujt në këtë botë tregon diçka për pozicionin e tij në raport me Zotin.
Gruaja muslimane nuk duhet të bjerë në këtë gradë. Ajo ka Zotin si standard. Ajo ka Zotin si vlerësues; ajo nuk ka nevojë për burrin në këtë çështje.
Në fakt, në kryqëzatën tonë për të ndjekur burrat, ne, si gra, nuk kemi ndaluar as që të hetojmë mundësinë që ajo çfarë kemi është më e mira për ne. Në disa raste, ne kemi braktisur atë që është edhe më e çmuar vetëm që të bëhemi si burrat.
Pesëdhjetë vite më parë, shoqëria na tha se burrat kishin epërsi, sepse ata shkonin e punonin në fabrikë. Ne ishim nëna. Megjithatë, na thanë se, për çlirimin e gruas, ne duhej të braktisnim rritjen e një qenieje njerëzore, me qëllim që të punonim në makineri. Ne e pranuam që puna në fabrikë ishte më eprore sesa ngritja e themelit të shoqërisë, vetëm sepse burrat e bënin atë.

Amina Wadud, Amerikë

Më tej, pas punës, ne duhej të bëheshim mbinjerëzore: “nëna e përkryer, bashkëshortja e përkryer, shtëpiakja e përkryer” dhe me karrierë të përkryer. E përderisa në vija të përgjithshme nuk kishte asgjë të keqe që gruaja të punonte, ne kuptuam shpejt se kishim sakrifikuar shumë duke imituar verbërisht burrat. Ne pamë se si fëmijët po na bëheshin të huaj dhe atëherë kuptuam privilegjin, prej të cilit kishim hequr dorë.
Veç tani, – kur e kanë mundësi të zgjedhin, – gratë në Perëndim po preferojnë të rrinë në shtëpi që të rrisin fëmijët e tyre. Sipas Departamentit të Bujqësisë të ShBA-së, vetëm 31 për qind e nënave me foshnja dhe 18 për qind e nënave me dy ose tre fëmijë punojnë me kohë të plotë. Prej këtyre nënave që punojnë, sipas një sondazhi të kryer nga Parenting Magazine, 93 për qind thonë se do të dëshironin që të qëndronin në shtëpi me fëmijët e tyre, por janë të shtrënguara të punojnë për shkak të “detyrimeve financiare”. Këto “detyrime financiare” u janë ngarkuar grave prej barazisë gjinore në Perëndim dhe u janë hequr prej dallimit gjinor në Islam.
Grave në Perëndim iu desh thuajse një shekull eksperiment për të kuptuar privilegjin që iu është dhënë grave muslimane 1400 vjet më parë.
E privilegjuar si grua, unë veç mund ta zhvlerësoj veten nëse përpiqem të bëhem diçka që nuk jam dhe që, me sinqeritet e them, nuk dëshiroj kurrë të jem: një burrë. Si gra, ne nuk kemi për ta arritur kurrë çlirimin e vërtetë nëse nuk ndalojmë së imituari burrat dhe nëse nuk çmojmë bukurinë në dallimin që na ka falur Zoti.
Nëse do të duhej të zgjidhja mes drejtësisë stoike dhe dhembshurisë, do të preferoja dhembshurinë. Gjithashtu, nëse do të duhej të zgjidhja mes pozitës në këtë botë dhe Xhenetit nën këmbët e mia, me siguri do të zgjidhja Xhenetin.

Përktheu: Ilir Haxhiaj

Revista Familja, prill 2018