Ide për shtëpi -shkurt 2015

218

Nga Deada Hyka

Ide origjinale si ndërtohet pema familjare

Mësoni si të krijoni pemën tuaj familjare, me një ide të thjeshtë dhe origjinale.

Materialet që ju duhen janë:                                                                                

-korniza
-bojëra
-lapsa

Vijoni punën:

Merrni një letër të bardhë, priteni në madhësinë e kornizës që keni zgjedhur dhe në fund të saj mund të shkruani emrin e familjes suaj (mbiemrin) ose emrat tuaj me rradhë ose edhe thjesht “Familja jonë”. Pak me lart shkrimit, vizatoni me një laps kaf, trungun e një peme dhe degët e saj. Më pas, secili nga anëtarët e familjes, të lyejë dorën me një bojë. Kujdes! Ngjyrat të jenë të ndryshme për secilin nga ju. Vendosni dorën tuaj mbi degët e pemës së vizatuar.
Rezultati i arritur do të jetë pema juaj familjare. Mund ta vendoseni atë në çdo ambiente të shtëpisë suaj. Bëje edhe ti!

Përkujdesi ndaj luleve

Barlows_Container_2F

Në përgjithësi, lulet që kanë qëndruar në ambjente të mbyllura përgjatë gjithë dimrit, janë të dobëta kur rriten temperaturat, për këtë arsye ato nuk duhet të bien në kontakt të menjëhershëm me diellin.
Lulet duhet të dalin në dritë gradualisht, por duke evituar daljen direkte nën dritën e diellit, pasi gjethet e tyre mund të dëmtohen. Kjo ndodh për arsye se gjethet e lules janë tashmë mësuar me pak dritë (dhe jo të drejtpërdrejtë) dhe drita e menjëhershme, sidomos gjatë fillimit të sezonit veror, do të shkaktonte djegie të gjetheve.

Më të mira për lulet në këtë rast janë vazot e qeramikës. Kjo për arsye se rrënjët e tyre qëndrojnë të freskëta dhe materiali i vazos lejon ajrosjen (në dallim nga vazot e plastikës të cilat nuk lejojnë ajrosjen e rrënjëve).
Gjithashtu, duhet të tregohet kujdes edhe që vetë vazoja të mos jetë e ekspozuar direkt nën dritën e diellit, sepse kjo mund të shkaktojë dëmtim të rrënjëve.

Më e mira do të ishte që vazoja të rrethohej me dhé, apo të futet në dhé për të qëndruar sa më e freskët, por duke qenë se kjo nuk është shumë praktike, ruajtja nga dielli direkt është e mjaftueshme. Për më tepër, është mirë që vazoja të laget herë pas here nga jashtë që të mos thahet.

Përgjithësisht, lulja duhe të ujitet sa herë të shikoni që dheu është tharë rreth 5 cm.
Me rëndësi është që ujitja të mos bëhet menjëherë, pasi shpesh uji ka tendencë të kullojë jashtë vazos me shpejtësi. Ajo duhet të bëhet e ngadaltë dhe me intervale.
Gjithashtu, kur e shikoni se dheu nuk është i mirë pasi uji nuk depërton apo depërton shumë shpejt, mund të punohet pak sipërfaqja e vazos apo të mund të shtypet pak dheu, me qëllim që të ngjeshet dhe uji të mos kalojë pa i njomur rrënjët e bimës. Por, gjithmonë, nuk duhet tepruar me ujitjen. Kjo është në varësi edhe të lules, apo të madhësisë së vazos.

Së fundmi, rrotullojeni vazon herë pas here dhe mos e lini në një drejtim, pasi lulja mund të rritet vetëm në një krah, në anën e diellit.

 

Ndriçuesat LED,  një trend i ri

soxhorno-led

Ndriçuesat LED, kohët e fundit janë bërë shumë të popullarizuara në dekorimet e shtëpive. Ato mund të përdoren në të gjithë shtëpinë tuaj dhe kanë një numër të madh avantazhesh në krahasim me llampat tradicionale për ndriçim elektrik. Ne jemi mësuar që këtë lloj ndriçimi ta shohim në ambiente publike si restorante,bare etj. Por në ditët e sotme po kthehet në një trend për dekorimine, por kësaj radhe edhe në shtëpi.

Rev. Familja, shkurt 2015