Islami në ditët e sotme

57

Nga Sabina Pusi

Jetojmë në një periudhë dhe në një pamësi botëkuptimore, ku çdo gjë projektohet sipas dëshirave, kënaqësive, veseve dhe prirjeve të egos. Sipas Kuranit,qëllimi i krijimit është ibadeti dhe ndërtimi i jetës, kulturës e qytetërimit në tokë.

Kur jeta devijon nga ky qëllim parësor, atëherë ajo shndërrohet thjesht në argëtim, dëfrim dhe lojë. Fatkeqësisht, qëllimi kryesor i jetës po injorohet duke e paraqitur atë gjithnjë e më tepër si një periudhë që duhet kaluar në përmbushjen e kënaqësive dhe dëshirave fiziologjike. Jetojmë në një kohë në të cilën përhapja e rrymave të shthurura fetare, ideologjike, morale dhe intelektuale kanë marrë përmasa galopande, duke sjellë jo vetëm prishjen e ekuilibrit në rrafshin individual dhe shoqëror, por edhe prishjen e ekuilibrit kozmik.

Problemi më i madh dhe emergjent i muslimanëve sot, është  mungesa e bashkërendimit dhe bashkëveprimit midis besimit dhe veprimit. Pejgamberi (a.s), e ka vlerësuar besimin ,veprimin dhe moralin si një tërësi organike. Një besim që nuk përqafohet në tërësinë e tij dhe nuk shndërrohet në stil jetese, por ekziston vetëm në rrafshin teorik, pa zbritur në zemrën dhe vetëdijen e njeriut, nuk mund të sjellë transformim të individit dhe shoqërisë. Shoqëria jonë nuk po ndërmerr asnjë veprim për përtëritje, nuk po vihet në gjurmim të gjetjes së mendimeve, ideve dhe njerëzve të rinj. Duke plotësuar njëra-tjetrën, fjala dhe veprimi, marrin rrugën për të ecur përpara. Sot një sërë parimesh dhe konceptesh islame, nga që nuk janë aktivizuar në zotërimin e veprimit, shprehim vetëm nostalgji dhe shpresë.

Njerëzit për nga natyra janë armiq të asaj që nuk e njohin. E sa e rëndë është kjo mospërfillje nga ana e muslimanëve të cilët kanë dështuar në paraqitjen dhe shpjegimin e saktë të fesë së tyre. Nëse e vërteta bëhet e qartë, e tërheq vëmendjen me shkëlqimin e saj. Është e domosdoshme që brezi i sotëm të njihet me islamin nëpërmjet një gjuhe dhe një mënyre të shprehuri të përshtatshme për të.

Në këtë epokë të masmedias dhe teknikave të komunikimit, secila fe përpiqet që të hedhë dritë mbi doktrinën dhe besimet e saj. Kësisoj, rëndon si detyrë mbi dijetarët dhe përfaqësuesit e fesë sonë, që të shfrytëzojne mënyra sa më të larmishme të komunikimit me popullin për t’iu bërë të njohur njerëzve fenë e tyre të vërtetë. Duke qënë thirres në mesazhin e padiskutueshëm hyjnor,ata janë më të aftë se kushdo tjetër për t’u dhënë dritë virtyteve dhe parimeve morale të fesë së tyre,pasi  islami nuk është vetem një fe, por është gjithashtu një kulturë, qytetërim, filozofi dhe një prespektivë gjithpërfshirëse njerëzore.

Islami është fe e shpirtmadhësisë dhe lehtësisë, fe e një rendi të drejtë mbështetur në vëllazëri dhe përkrahje të ndërsjellë, fe ku etika morale ndërthuret në harmoni me rregullimet shoqerore për të shtruar themelet e shoqërisë së paqes. Islami është fe e tolerancës dhe mirëkuptimit që i krijon njerëzimit mundësinë që të hedhë një hap të rëndësishëm qytetërues përpara, një hap që do të ishte themeli i Rilindjes siç e njohim ne. Sot, vazhdon të jetë ende një alternativë për njerëzimin kurdoherë që rruzulli pllakoset nga gjendje të vështira dhe problem të koklavitura material. Në thelb, islami është një thirrje e përjetshme dhe e përhershme. Islami është një fe që sjell kohezion shoqëror dhe është një fe hyjnore e pastër e zbritur nga vetë Allahu i Madhëruar për të mirën e njerëzimit dhe shqiptarët duhet ta marrin dhe ta shfrytëzojnë atë, meqë e panë dhe e provuan mirë se si mund të përfundojë një shoqëri, e cila e kishte Islamin dhe e la atë. Muslimanët bashkëkohorë duhet të jenë mjaft realistë sa të kuptojnë se duhet të fillojnë udhëtimin e tyre, në çfarëdo drejtimi që dëshirojnë të shkojnë, nga aty ku janë. Një fjalë e urtë kineze e njohur thotë: “Udhëtimi prej njëmijë milash fillon me një hap të vetëm”. Tani duhet të bëhet ai hap i parë doemos aty ku njeriu jeton, dhe kjo është aq e vërtetë në mënyrë kulturore dhe shpirtërore sa është edhe në mënyrë fizike. Kudo që të jetë bota islamike ku duhet të “shkohet”, duhet të niset nga realiteti i traditës islamike dhe nga gjendja e saj e vërtetë dhe jo nga ajo e imagjinuara. Ata që nuk e kanë këtë të dhënë parasysh, në të vërtet, nuk udhëtojnë fare në mënyrë efektive. Ata vetëm e marrin me mend se udhëtojnë. Një “intelektual” pakistanez, persian ose arab, i cili dëshiron të bëhet prijës i mendjes për muslimanët, duhet ta dijë kush është ai, nëse do që të jetë efektiv , e jo të jetë i shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë muslimane.

Eshtë e domosdodhme që në, brezat e rinj të angazhohemi në veprimtari kritike dhe ekzaminuese. Rinia duhet pajisur me guximin moral për të sfiduar çdo lloj monotonie dhe mediokriteti. Eshtë i papranueshëm shndërrimi i rinisë në konsumatore pasive. Brezi i ri duhet të përfitojë nga përvoja e të parëve, por nuk duhet në asnjë mënyrë të mjaftohet vetëm me përvojen e tyre. Ata duhet të japin ide, zgjidhje dhe përgjigje për problemet, nevojat dhe pritshmëritë e periudhës së tyre. Revolucioni i vetëdijes mund të realizohet vetëm me përpjekjet e rinisë.

Rev. Familja, janar 2015