Infeksionet e traktit urinar

66

Ç`duhet të kuptojmë me infeksione urinare?

Infeksioni i traktit urinar është një infeksion që fillon në sistemin tonë urinar, i cili përbëhet nga veshkat, ureterët, fshikëza e urinës dhe nga uretra. Çdonjëra nga pjesët e këtij sistemi mund të infektohet, por shumica e infeksioneve, prekin pjesën e poshtme të traktit urinar pra, uretrën dhe fshikëzën e urinës. Infeksionet urinare vijnë në vendin e dytë pas atyre të traktit respirator, përsa i përket shpeshtësisë. Femrat kanë një rrisk më të madh sesa burrat për të zhvilluar infeksion urinar. Infeksionet urinare tek fëmijët e vegjël janë këmbanë alarmi sepse mund të jenë shprehje e një anomalie të lindur strukturale të sistemit urinar.

Cilat janë simptomat?

Jo çdokush me një infeksion urinar ka shenja tipike, por kur janë prezente, ato zhvillohen shpejt.

Ndër to mund të përmendim:

 Urgjencë e vazhdueshme dhe e fortë për të urinuar

 Një ndjesi djegie gjatë aktit të urinimit

 Urinime të shpeshta dhe në sasi të pakët

 Hezitimin (ndjesia sikur nuk urinojmë dot apo nuk zbrazim plotësisht fshikëzën)

 Gjak në urinë (urinë e kuqe) apo urinë e turbullt, me erë të rëndë

 Urinimin gjatë natës (nikturia).

Cilët janë tipet e infeksioneve të traktit urinar?

Çdo tip i infeksionit urinar mund të këtë shenjat e tij, në varësi të vendndodhjes së infeksionit:

Pjesa e traktit urinar të prekur

Shenjat dhe simptomat

Veshkat (Pyelonefriti akut)

 Dhimbje mesi

 Temperaturë e lartë mbi 38.5 ̊ C

 Të dridhura

 Të përziera

 Të vjella

Fshikëza e urinës  (Cistiti )

 Rëndim në fund të barkut

 Shqetësim në fund të barkut

 Urinim i shpeshtë dhe i dhimbshëm

 Temperaturë subfebrile deri 38.5 ̊ C

Uretra  (Uretriti)  Djegie gjatë urinimit

Pse ndodh dhe cilët janë shkaktarët?

Sistemi urinar është krijuar për të formuar, mbledhur dhe eleminuar urinën nga trupi ynë. Urina në vetvete është sterile, por prishja e mekanizmave normale të mbrojtjes bën që mikrobet të ngjiten dhe të shumohen në fshikëzën e urinës e më lart.

Infeksionet më të zakonshme të sistemit urinar ndodhin tek femrat dhe prekin fshikëzën dhe uretrën.

 Infeksionet e fshikëzës (cistiti) shkaktohen zakonisht (deri 90 %) nga Escherichia coli (E. coli), një lloj mikrobi që gjendet në traktin tretës. Akti seksual mund të çojë në cistit por një femër mund të zhvillojë infeksion të traktit urinar edhe pa patur jetë aktive seksuale. Gjithë femrat janë shumë të predispozuara për të zhvilluar cistite, falë anatomisë së traktit të tyre urinar, sidomos afërsisë së uretrës së tyre me anusin dhe distancës së shkurtër, nga hapja uretrale në fshikëzën e urinës.

 Infeksionet e uretrës (uretritit) ndodhin kur bakteret nga zorra e trashë dhe anusi kalojnë për në uretër. Veç kësaj, meqënëse uretra dhe vagina janë shumë afër, atëherë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si herpes simplex, gonorrea dhe klamidia, janë shkaktarë të shpeshtë të uretritëve.

 Infeksionet e prostatës tek burrat (prostatitet) nuk duhet t`i lëmë në harresë, sepse përveç shenjave shumë të theksuara si: djegie gjatë urinimit, urinime të shpeshta në sasi të pakët, dhimbje në fund të barkut, shoqërohen edhe me nervozizëm, që mund të çoj edhe deri në depresion, por gjithashtu janë edhe të vështira për t`u mjekuar, pasi antibiotikët depërtojnë me vështirësi në këtë ind dhe kërkojnë periudha të gjata mjekimi, deri në 6 muaj.

Cilët janë faktorët e rrezikut?

Disa njerëz mund të zhvillojnë më shumë dhe më shpesh infeksione se te tjerët dhe këta janë:

 Gjinia femër, ku 50%  e tyre zhvillon një infeksion urinar në një moment të caktuar të jetës së tyre dhe shumë prej tyre mund të zhvillojnë më shumë se një të tillë.

 Jeta aktive seksuale. Femrat me jetë seksuale aktive, janë më të prirura për të zhvilluar më shumë infeksione urinare. Akti seksual mund të irritojë uretrën, duke predispozuar bakteret të udhëtojnë më lehtë, deri në vezike. Kulmi i infeksioneve urinare tek femrat arrin në “muajin e mjaltit” (Honeymoon cystitis) apo me fillimin e aktivitetit seksual.

 Përdorimi i disa metodave profilaktike siç janë diafragmat apo përdorimi i agjentëve spermicide.

 Mosha. Pas menopauzës, infeksionet urinare mund të shtohen, pasi indet e vaginës, uretrës dhe baza e fshikëzës bëhen më të holla dhe më të brishta nga humbja e estrogjenëve, që i mbajnë këto inde vitale.

 Gurët në veshka apo çdo lloj bllokimi i traktit urinar (edhe hipertrofia beninje e prostatës, e cila haset shpesh tek burrat mbi 60 vjeç, rrit incidencën duke penguar rrjedhjen normale të urinës dhe duke shkaktuar staze).

 Diabeti dhe sëmundjet e tjera kronike të cilat ulin mbrojtjen imunitare.

 Përdorimi i zgjatur i kateterëve urinare (portë hyrje për infeksionin)

 Imobilizimi (qëndrimi për një kohë shumë të gjatë në shtrat – pas frakturave të ndryshme)

 Shtatzënia

 Higjena e ulët

Komplikacionet (Ndërlikimet)

Nëse trajtohet me kujdes dhe si duhet, infeksioni urinar rrallë çon në komplikacione. Po nëse lihet i patrajtuar mund të bëhet serioz. Infeksionet urinare të patrajtuara mund të çojnë në infeksion të veshkës (pyelonefrit akut apo kronik) i cili dëmton në mënyrë të vazhdueshme veshkën. Fëmijët dhe të rinjtë kanë një rrezik më të lartë për dëmtim renal pas infeksioneve, pasi simptomat neglizhohen apo ngatërrohen me kushte të tjera. Gratë shtatzëna, që kanë infeksione urinare, kanë më shumë mundësi për të lindur fëmijë prematurë apo me peshë të vogël (hipotrofe). Gratë, të cilat kanë zhvilluar tre apo më shumë infeksione urinare, ka të ngjarë të vazhdojnë ta bëjnë përsëri.

Përgatituni për takimin me mjekun

Shumica e infeksioneve urinare trajtohen nga mjeku i familjes ose një mjek i përgjithshëm. Por kur ka rikthime të infeksioneve apo një infeksion kthehet në kronik, ju duhet të drejtoheni tek një mjek i specializuar për problemet renale (nefrolog), për të përcaktuar dhe gjetur shkaqet apo anomalitë urologjike që e mbajnë këtë infeksion gjallë.

Testet dhe diagnoza

Duhet bërë analiza e urinës për të parë nëse ka leukocite, eritrocite apo baktere.

Për të parandaluar kontaminimin e analizës duhet të keni parasysh të pastroni zonën gjenitale, me një pecete antiseptike dhe të merrni për analizë porcionin e mesëm të urinës.

Analiza e urinës, ndonjëherë e shoqëruar edhe me një urokulturë, do t`ju tregojë keni apo jo infeksion dhe ndaj kujt medikamenti është i ndjeshëm mikrobi. Edhe pse testet e thjeshta nuk e dallojnë dot lokalizimin e infeksionit, temperatura e lartë dhe dhimbja e mesit tregojnë për prekje të veshkës.

Nëse një infeksion ripërsëritet (bëhet kronik) apo edhe në raste të infeksioneve të vetme tek femijët nën 5 vjeç, nevojiten metoda të tjera diagnostikimi si: ekografia, urografia intravenoze, grafia direkte, cistografia apo edhe cistouretrograma miksionale (tek femijët) për të përcaktuar qartë problemet e strukturës së sistemit urinar.

Trajtimi me medikamente

Nëse simptomat janë tipike për një infeksion urinar dhe jeni përgjithësisht mirë me shëndet, atëherë trajtimi i parë janë antibiotikët, zgjedhja e të cilëve bëhet në bazë të ndjeshmërisë së bakterit (urokultura).

Infeksioni i thjeshtë

Medikamentet më të përdorshme janë:

 Amoxicilina (Amoxina 500 mg)

 Nitrofurantoin (Furadantin, Macrodantin 100 mg)

 Cefalosporinat (Oraceftin 500 mg dhe Ceclor 500 mg, Zinnat 500 mg, Etazim 1 g)

 Fluorquinolonet (Ciprinol 500mg, Kinox 750mg, Lebel 750 mg,Tavanic 750 mg)

 Sulfamethoxazole-trimethoprim (Baktrina)

 Tetraciklina dhe doxiciklina, clamidia dhe mykoplazma (infeksionet me origjinë nga rrugët gjenitale).

Zakonisht, simptomat zhduken që në ditët e para të përdorimit të antibiotikëve, por ato duhet të vazhdohen për sa kohë jua ka përshkruar mjeku, në mënyrë që infeksioni të zhduket plotësisht.

Për një infeksion jo të komplikuar dhe nëse jeni i shëndetshëm, mund të merrrni mjekim për disa ditë (3-5 ditë).

Mund ta shoqëroni antibiotikun edhe me medikament për dhimbjen (analgjezik), që lehtëson djegien gjatë urinimit por kujdes, se një efekt anësor i këtyre medikamenteve është edhe ngjyrimi i urinës në blu të lehtë ose portokalli.

Infeksioni që rishfaqet, pse?

Duhet thënë se 20% e femrave që kanë kaluar një episod, do të kalojnë një të dytë, dhe 30% e këtyre do të kalojnë një të tretë.

Nëse keni një infeksion që rikthehet, mjeku juaj do t`ju rekomandojë një trajtim më të zgjatur me antibiotikë, që mund të shkojë nga 6 muaj deri në 2 vjet, apo një program vetëtrajtimi me antibioterapi për pak ditë, sapo të keni simptoma të infeksioneve urinare.

Testet e përdorura në shtëpi për detektimin e infeksionit urinar – dipstick (ndryshojnë ngjyrë në prani të infeksionit nga prania e nitriteve në urinë)  janë shumë të vlefshme.

Për infeksione të lidhura me aktivitetin seksual, rekomandojmë marrjen e një doze të vetme me antibiotikë pas aktit seksual (Berny 3g.).

Në rastin e femrave në postmenopauzë rekomandojmë terapi me estrogjenë intravaginal, për të ulur mundësinë e infeksioneve ripërsëritëse të traktit urinar.

Infeksionet e rënda me temperaturë të lartë dhe dhimbje mesi, kanë nevojë për hospitalizim dhe antibiotikë intravenozë.

Po në shtëpi ç`masa mund të marrim pa kontaktuar mjekun?

 Pini shumë ujë për të holluar urinën dhe për të shpëlarë bakteret që ndodhen në to. Mos merrni alkool, kafe dhe pije që përmbajnë lëng limoni dhe kafeinë derisa infeksioni të jetë zhdukur, pasi ato irritojnë fshikëzën e urinës dhe shtojnë ndjesinë e urinimit të shpeshtë dhe me urgjencë. Ndaloni duhanin.

 Përdorni gjëra të ngrohta mbi barkun tuaj për të ulur presionin e fshikëzës dhe diskomfortin.

Ç` masa parandaluese duhet të kemi parasysh në afatgjatë?

 Pini shumë lëngje, sidomos ujë .

 Lëngu i boronicës – apo edhe tabletat me boronicë- është parë se kanë veti kundër infeksionit dhe rishfaqjes së tij, vetëm kujdes mos e merrni së bashku me holluesit e gjakut, si varfarina, sepse mund të keni hemoragji.

Kujdes me lëngun e boronicës duhet të kenë ata me histori familjare për gurë në veshka.

 Fshihuni nga para – pas në tualet pas urinimit apo defekimit, në mënyrë që të shmangni përhapjen e baktereve nga zona anale në uretër dhe vaginë.

 Urinoni sa më shpejt të mundeni pas aktit seksual dhe pini një gotë ujë për të shpëlarë bakteret.

 Urinoni sa herë që të keni ndjesinë, mos e mbani urinën

 Pastrohuni mirë para aktit seksual

 Preferoni dushin ndaj vaskës

 Mos përdorni produkte intime irrituese si shampo, deodorante, pudra, sapunë që mund të irritojnë uretrën.

 Mos hani ushqime pikante

 Evitoni konstipacionin

 Ndaloni duhanin (njihet si faktor madhor në kancerin e fshikëzës së urinës).

A ka risi përsa i përket parandalimit?

Në treg është hedhur një vaksinë e cila rrit aftësitë natyrale, për të luftuar infeksionin urinar duke dhënë (intravenoz, nga goja apo edhe intravaginal–tek femrat), mikrobin e ngordhur (Colifagina) dhe duke nxitur një përgjigje të organizmit me prodhimin e antitrupave në mënyrë që kur të futet mikrobi në organizëm, ky i fundit të jetë gati ta luftojë fuqishëm.

Korrik-gusht, 2014