Intervistë me 3 herë fituesen e rekordit botëror Guinness, Znj. Arbnora Fejza Idrizi

10

Nga: MSc. Ardela Hyka 

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

A.F.: Jam Arbnora Fejza Idrizi nga Skënderaj. Kam mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë dhe Fakultëtin e Edukimit, dega Parashkollore.

Kam punuar si edukatore 4 vite në IP Lulishtja e Dritave Prishtinë, pastaj kam hapur kopshtin tim «Vogëlushat» në Mitrovicë. Gjatë kohës që kam qenë studente kam punuar rreth 6 vite si moderatore në “Radio Drenica”. Për 3 vite kam hapur një biznes privat, Farmaci. Gjithashtu, kam pasur më shumë se 14 ekspozita të ekspozuara. Angazhohem edhe me shkrime të ndryshme.

A.H.: Cili është angazhimi juaj momentalisht?

A.F.: Angazhimi momental janë vetëm rekordet botërore, pasi kam dëshirë ti provoj sfidat.

A.H.: Kur lindi për herë të parë ideja dhe dëshira për të aplikuar për një rekord botëror Guinness?

A.F.: Dëshira për t’u bërë pjesë e një sfide kaq të madhe sa rekordet Guinness më ka lindur që në vitin e parë të studimeve. Kisha një lëndë që quhej punë dore, nga profesoresha e nderuar Arife Kurti. Mënyra se si na e shpjegonte dhe teknika e punës ishte e veçantë. Mua më ngjalli kureshtje ky art dhe pastaj fillova të bëj ekspozita dhe gjëra të ndryshme duke ardhur deri të rekordet.

A.H.:  Çfarë ju shtyu të ndërmerrnit një hap të tillë?

A.F.: Dëshira ishte të jem edhe unë pjesë e librit Guinness. Ishte ëndrra më e madhe në jetën time. Doja edhe unë ta sfidoja veten, të provoja dhe i thosha vetes se do t’ia dal. Tashmë, e kam fituar tre herë rekordin Guinness dhe dëshiroj të vazhdoj akoma.

A.H.: Pas rekordit të parë, ju morët një të dytë dhe një të tretë. Më përshkruaj pak eksperiencën në këtë rrugëtim?

A.F.: Në vitin 2018 arrita rekordin e parë ,”Lulja më e madhe në Botë”, vetëm me një letër 14m me 14m, 8.80 m2. Pastaj doja të hartoja një projekt gjigand, “Vazon më të madhe në botë”, me 80 mijë copa letre 2.74m me 2.38m.

Pas këtyre dy fitoreve, më lindi dëshira të realizoja diçka akoma më sfiduese. Kështu që planifikova flamurin, të cilin e mbante një shkollë në Mongoli. Kështu që e realizova Flamurin e Kosovës me 12740 copa letre dhe rreth 1216m2.

A.H.: Cili është objektivi i ardhshëm që doni të arrini?  

A.F.: Objektivi i ardhshëm është që të bëj hapjen e qendrave. Tashmë e kam të përfunduar si projekti dhe shumë shpejt pres inagurimin.

A.H.: Si ka ndikuar kjo eksperiencë në jetën tuaj?

A.F.: Kjo eksperiencë ka qenë mjaft pozitive dhe njëkohësisht motivuese për të vazhduar dhe për të përgatitur plane, ndoshta edhe më gjigande në të ardhmen.

A.H.: Si e ndërlidhni punën tuaj aktuale me pasionin që keni për punën me letër?

A.F.: Profesioni dhe kjo punë që bëj janë të ndërlidhura dhe mjaft ndikuese në zhvillimin e planit edukativ te fëmijët. Roli i edukatores është i ndërlidhur me aktivitete zhvilluese dhe formuese në fushën e edukimit. Përmes këtij arti zhvillohet dhe rritet fantazia e fëmijëve.

A.H.: Si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

A.F.: Do thoja se, çdo punë që dëshironi ta realizoni është e menaxhueshme dhe e arritshme nëse ke vullnet.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

A.F.: Mesazhi im për lexuesit e revistës «Familja» është që të punoni fort për atë që e dëshironi, sepse me punë çdo gjë është e mundur dhe e realizueshme.

  • Revista “Familja”, prill 2021