Intervistë me teologen dhe psikologen, Suela Dibra

9

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

S.D.: Suela është vajza nga Shkodra në të cilën janë ngërthyer përvojat e shumëfishta jetësore të fituara për gjatë kohës së ndarë në tre shtete, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, përvoja këto që kanë formësuar identitetin tim personal dhe më kanë pasuruar në shumë aspekte.

Një nga medresistet e para të medresesë “Haxhi Sheh Shamija” të  Shkodrës; ndër vajzat e para me mbulesë të qytetit tim; studente e gjeneratës së parë të drejtimit të Psikologjisë në Prishtinë; ndër të parat studente femra të diplomuara në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë; zyrtare e Departamentit të Gruas në Prishtinë; mësimdhënëse në medresenë “Alauddin” të Prishtinës; medresenë “Mehmet Fatih” të Podgoricës; psikologe; drejtoreshë e kopshtit “Xixëllonjat” në Ulqin; nuse Kraje; nënë e tre fëmijëve; një aktiviste e palodhur në çështjet e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes fetare në rrethin ku jetoj, janë copëza të pjesëve përbërëse të identitetit tim.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

S.D.: Unë jam një  nga medresistet e Shkodrës që vazhdoi studimet e larta në Prishtinë. Jam e diplomuar në Psikologji në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, kam një Master profesional në Psikologjinë Fëmijërore si dhe një trajnim të veçantë në terapinë kognitivo – biheiviorale.

Bazat e marra nga medreseja e Shkodrës në lidhje edukimin Islam më shtynë t’i thelloja më tepër njohuritë e mija në çështjet e studimeve Islame edhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë duke patur fatin e madh të marr mësime nga emrat më të njohur në fushën e studimeve Islame ndër trojet shqiptare.

Përvoja ime e parë e punësimit ka qenë në medresenë “Alauddin” të Prishtinës dhe në Departamentin e Gruas nën drejtimin e profesoreshës Besa Ismali, një model që për mua ka qenë bekim dhe inspirim në formimin tim si grua, si profesioniste dhe si aktiviste në rrugën e ngritjes së vetëdijes fetare në përgjithësi dhe në çështjet që lidhen me femrën muslimane në veçanti.

Pas përfundimit të studimeve universitare dhe pasuniversitare në Prishtinë, kam punuar fillimisht si psikologe me fëmijët me nevoja të veçanta për disa vite rresht në qendrën psiko-edukative “Ylber shprese” në Ulqin, një punë pionere e bërë plot përkushtim dhe pasion, që më vonë solli edhe bashkëpunimin me organizatën MogUl në një projekt dedikuar fëmijëve me pengesa në zhvillim, ku së bashku me kolegen Ardita Kovaçeviq përgatitëm një manual pune për prindër e mësimdhënës të fëmijëve me nevoja të veçanta: “101 aktivitete për fëmijë me pengesa në zhvillim” të botuar në vitin 2016. Manuali kishte për qëllim të ndihmonte mësuesit dhe prindërit, por jo vetëm, në punën e tyre me fëmijët me pengesa në zhvillim dhe përmbante aktivitete mjaft zbavitëse, të ndara në kapituj sipas tematikave të përcaktuara paraprakisht nga diskutimet me fokus grupet e përbëra nga mësimdhënës, edukatorë dhe prindër.

Bashkëpunimi me MogUl, solli angazhimin edhe në projektin ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, “Ngritja e mirëqënies psikologjike tek fëmijët e moshës parashkollore përmes promovimit të vlerave socio-emocionale”, që u finalizua me botimin e librit edukativ për fëmijë “Kush e shëroi elefantushin” si dhe manualit “Zhvillimi Emocional dhe Shoqëror i fëmijëve në moshën parashkollore”,  një udhëzues për edukatoret, hartuar në bashkëpunim me Anila Sulstarova, Aurora Guxholli dhe Elvisa Sokoli. Ky manual do t’i vinte në ndihmë edukatoreve të arsimit parashkollor, për të ndihmuar fëmijët që të zhvillojnë aftësitë emocionale dhe ato shoqërore.

Që në vitin  2013, punoj në Kopshtin “Xixëllonjat” në Ulqin, një institucion edukimi parashkollor për fëmijët e grupmoshave 2 – 6 vjeç.

A.H.:  Me çfarë merreni momentalisht?

S.D.: Momentalisht jam drejtoreshë e kopshtit “Xixëllonjat” në Ulqin, që funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit dhe njëkohësisht përgjegjëse e sektorit të femrave në kuadër të këtij këshilli.

8 vite te “Xixëllonjat” është një rrugëtim që më bën të krenohem. Kam patur fatin e mirë që së bashku me një staf të përkushtuar dhe të palodhur; me mbështetjen e pakursyer të Bashkësisë Islame dhe me besimin e shumë prindërve; kolegëve dhe miqve që besuan në vizionin tonë të edukimit parashkollor krijuam standarde të reja në të mirë të edukimit parashkollor në Ulqin.

A.H.:  Çfarë do të thotë për ju të punosh me fëmijët?

S.D.: Puna me fëmijët do të thotë: kënaqësi, energji pa fund, kreativitet, lojë, argëtim, sfidë, shpërblim, kërkesë, përgjegjësi, vendosmëri dhe durim. Puna me ta të motivon të bëhesh një person më i mirë, që të jesh modeli që ata do të ndjekin. Puna me ta është sa shpërblyese, aq dhe motivuese.

A.H.: Jeni e kënaqur me arritjet tuaja deri më tani?

S.D.: Arritjet lidhen me objektivat që njeriu i vë vetes në jetë. Kur këto objektiva përmbushen njeriu ndihet i arritur. Unë kam përmbushur mjaft objektiva akademike dhe personale, që i kam vënë vetes deri tani, por jam tipi i njeriut që gjithnjë është në përpjekje të vazhdueshme drejt përmbushjes së objektivave të reja.

Jam personi që e dua pafund punën që kam zgjedhur të bëj. Në jetën time ka mjaft gjëra të cilat më kanë bërë krenare, por akoma ruaj ca ëndrra në sirtar dhe akoma më presin objektiva të reja.

A.H.: Çfarë planesh keni për të ardhmen?

S.D.: Ndër planet afatshkurtra është të jap maksimumin në angazhimet e momentit, me fokus të veçantë në zgjerimin e kopshtit “Xixëllonjat” me hapësira dhe kapacitete të reja; përgatitja për përballjen me sfida të reja dhe shndërrimi e këtij kopshti në vendin më të mirë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Ndër planet afatgjata është edhe avancimi i mëtejshëm akademik dhe realizimi  i disa projekteve të lëna pezull dhe mbi të gjitha do mirëpres çdo gjë që mund të më ofrojë e ardhmja.

A.H.: Si ka ndikuar kjo periudhë pandemie te ju?

S.D.: Pandemia e  COVID-19 do mbetet një ngjarje historike që ka ndryshuar dhe po ndryshon jetën e njerëzve në gjithë botën. Me shfaqjen e COVID-19 jeta e përditshme ka ndryshuar dhe do vazhdojë të ndryshojë për shumë prej nesh, shpeshherë edhe pa e kuptuar.

Për momentin në Malin e Zi dhe aktualisht në Ulqin situata është serioze dhe po vazhdojmë angazhimet ditore nën kufizimet e masave të shtuara të sigurisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.

Në kopshtin “Xixëllonjat” kemi vazhduar punën si zakonisht duke respektuar masat e duhura dhe duke ofruar mbështetjen e duhur për fëmijët, në mënyrë që t’i mbrojmë dhe t’i ndihmojmë ata në këtë kohë krize, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për shëndetin e tyre emocional. Koha cilësore e kaluar në kopsht, e mbushur me aktivitetet edukative dhe argëtuese, afërsia shoqërore me fëmijët e grupit kanë përmirësuar shanset që fëmijët të tregohen resilient ndaj vështirësive të momentit.

Takimet javore, kurset dhe aktivitetet e planifikuara në kuadër të sektorit për femra janë rralluar dhe shpeshherë janë zhvilluar në platformat online, përmes video telefonatave dhe bashkëbisedimeve online.

Urojmë që kjo sfidë do të jetë  e përkohshme dhe gjërat  të kthehen në normalitet. Situata nuk është e lehtë, por është e përballueshme. Asnjëherë nuk duhet harruar dhe lënë anash fuqinë e lutjes dhe mbështetjen te Krijuesi që është një burim sigurie, shprese, optimizmi dhe vendosmërie, një faktor mbrojtës në ballafaqimin me problemet.

A.H.: Si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

S.D.: Unë dhe bashkëshorti, Irfani, kemi patur fatin e mirë të gëzojmë mbështetjen dhe përkrahjen e gjithë familjes dhe në këtë mënyrë ndajmë bashkarisht obligimet dhe përgjegjësitë. Na ka bekuar Zoti me gjyshër që na ndihmojnë në përkujdesjen për fëmijët dhe pa dyshim gjithmonë kemi patur prioritete të caktuara në faza të ndryshme të jetës familjare dhe ende vazhdojmë t’i kemi.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e revistës “Familja”?

S.D.: Mesazhi im për lexuesit e revistës “Familja” do ishte më tepër një thirrje për ta formuar veten përmes dijes dhe leximit, për ta formuar të menduarit me kulturë, shpirtin me adhurim, moralin me virtytet më të larta që t’i shërbejmë në mënyrën më të përsosur shoqërisë sonë dhe të ardhmes sonë.

Nëse veprat dhe qëndrimet tona do jenë në përputhje me sistemin e vlerave, moraleve dhe normave juridike me të cilat na porosit Zoti, më pas edhe familjet, institucionet dhe shtetet, do e përmirësojnë rolin e tyre dhe do i shërbejnë dobisë së njeriut.

  • Revista “Familja”, mars 2021