Intervistë me doktoren e Shkencave të Tefsirit, Dr. Myrvete Allmeta

9

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

M.A.: Une jam Myrvete Allmeta, lindur dhe rritur në qytetin e Kavajës. Jam e martuar dhe Zoti i madhëruar më ka dhuruar katër fëmijë.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

M.A.: Kam mbaruar fakultetin e gjuhës ruse dhe greke në Universitetin e Tiranës në vitin 1996-2000. Në 2001 pashë si domosdoshmëri ndjekjen e një fakulteti fetar dhe ta merrja dijen nga burimi, ngase literatura e përkthyer në atë kohë ishte tepër e pakët dhe me kursimet tona nisëm studimet në Siri. Damasku në vitet 2001-2003 ishte vendi i duhur për të mësuar gjuhën arabe. Shtatë orë i kishim në shkollë të detyrueshme çdo ditë. Pasi i mbaroja ato, nisesha për mësime private për gramatikën dhe morfologjinë arabe me shejkhan time të zemrës Fatima Djab rreth tre orë. Mbaj mend që kur jam ulur për herë të parë në bankë, nuk më besohej. “O Zot!” – thosha me vete – “u bë rrizk të mësoj në vendin e bereqetit, për të cilin ka bërë lutje profeti alejhi selam: ‘O ZOT! Bëje të bereqetshëm Shamin tonë!’ e që kanë shkelur sahabët, shokët e profetit.”  Kisha etje për çdo shkronjë, për çdo fjalë.

Fjalorin nuk e ndaja nga xhepi. Po ashtu bllokun e vogël prej lëkure dhe lapsin e vogël. Fjalët e reja ishin “kapital” aq i madh, saqë shoqja ime e bankës nëse shihte që gjatë ligjërimit përdorja një fjalë të re, ma merrte fletoren e fjalorit. – “Mmm… paske një tufë fjalësh të reja!” Atë kohë nuk kishim “google translate.” Eh! Sa janë lehtësuar gjërat! Por prapë nëse do kthehesha mbrapa në kohë, do preferoja sërish atë kohë, ngase njohuritë që merren lehtë, ikin lehtë, dhe e kundërta. E kështu mbarova gjuhën arabe me ekselencë në Damask. Në 2004 na u mundësua një bursë në Jordani mua dhe tim shoqi. Katër vite studiova jurisprudence islame dhe njëkohësisht përktheja dhe libra. Vitin e fundit, të bachelorit profesorët e tefsirit më thonin: «Duhet me patjetër të vazhdosh tefsirin,» ndërsa profesorët e gjuhës (prof. Aude Ebu Aude) më thoshte: «masterin duhet ta vazhdosh për gjuhë arabe.» Pas shumë konsultimeve, asnjë palë nuk lëshoi pe’. «Vazhdoji të dyja» – më sugjeroi një pedagog, Abdurrahim Sherif. Dhe ashtu bëra.

I vazhdova njëkohësisht edhe tefsirin edhe gjuhën. E ku kishte më bukur se rruga e dijes! E ku kishte më bukur se “të të mbulojnë melaiket me krahët e tyre.” Doktoratura ishte një gërshetim i dy profileve, studim morfologjik në Kuranin famëlartë. «Parashtesat dhe prapashtesat në folje, çfarë ngjyre të re i japin fjalës në Kuran?» Ishte pikëpyetje e vjetër që më gërryente kur i paralelizoja domethëniet fikse të parashtesave dhe prapashtesave të gjuhës greke me domethëniet pafund, pa limit, plot ngjyra, plot larmi e diversitet të gjuhës që pati hapësirë të përmbante në zemër të saj librin e Zotit nga ana terminologjike, por dhe domethënëse, gjuhës së magjishme, gjuhës arabe. Si specialiste gjuhësh, jo sepse jam besimtare, por dhe thjesht si studiuese, unë mbes e mahnitur çdo ditë nga madhështia e saj. Gjuhët pësojnë ndryshime, madje dhe vdesin, kurse gjuha arabe radhitet momentalisht gjuha e dytë në botë për nga numri i folësve dhe sipas studimeve pritet që ajo të kapë majat. Gjuha arabe të çudit me freskinë, lirshmërinë dhe spontanitetin në shprehi sikurse para 1400 vjetësh. Gjuhë magjike, siç thoshte një profesori ynë.

Ndërkohë që gjuhën e Shekspirit shumë nga  anglezët e sotëm nuk e kuptojnë, fjalën e Kuranit, hadithin e profetit para 1400 vjetësh e kupton i madh dhe i vogël ngase ke të bësh me një gjuhë që lidhet me libër qiellor. Nga tema e doktoratures po ju sjell një shembull që lidhet me një perlë  nga perlat e Kuranit. Të gjithë e dini ajetin kuranor: “لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَا اكْتَسَبَتْ” Në këtë ajet është përdorur folja (كسب- fitoi) dhe folja (اكتسب) që është po e njëjta rrënjë, por i është shtuar hemzeja dhe ta’ë dhe pikërisht kjo shtesa e vogël do të ndryshojë rrënjësisht domethënien që ka të bëjë me përpjekjen, mundimin. Dhe përpara kësaj folje (اكتسب) është përdorur (alejhaعليها), që përdoret për disfavore dhe jo (له) që zakonisht vendoset për fitim e punë të mira, siç është përdorur te (كسب). Nga ku rezulton se këto dy shkronja aq të vogla japin domethënie aq të mëdha. Për të lejuarën, hallallin, njeriu nuk lodhet siç lodhet për haramin, sepse ky i fundit kërkon mund, përpjekje. Për të bërë një vepër të shëmtuar, duhet të shpenzosh, ndoshta të jetosh në frikë, në ankth, larg syve të njerëzve. Pra, duhet të lodhesh fizikisht dhe shpirtërisht, ndoshta më shumë se sa lodhesh për hallallin. E të gjitha këto domethënie na i japin parashtesat dhe prapashtesat në gjuhën arabe dhe jo shqipja, por asnjë gjuhë në botë nuk mundet t’i japë, sepse nuk e posedojnë këtë veçori. Në shqip për shembull, janë përkthyer dy folje me rrënjë të ndryshme, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën: “All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi.”

A.H.:  Çfarë mund të veçoni nga aktivitetet tuaja dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj?

M.A.: Sapo fillova bachelorin, shumë prej të afërmeve të mi, prej shoqeve të mia më sugjeruan të filloja të përktheja nga gjuha arabe, pasi përkthimin e kisha mësuar dhe ushtruar dikur në fakultetin e gjuhëve të huaja në Tiranë. Më dukej një përgjegjësi e madhe, sepse nuk ishin vepra letrare, por kisha të bëja me literaturë fetare që referencë kryesore kishin librin e Allahut dhe hadithin e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.  Duke qenë se isha nënë e re, mendoja sikurse mua, çdo nëne i duhej një libër ku të merrnin bazat e edukimit fetar. Dhe zgjodha: “Edukimi i fëmijës në Islam.” Ky libër u vijua nga libra të tjerë si: “Programimi i kohës në jetën e gruas muslimane,” “Normat e sjelljes në Islam,” “Përse na janë ngurtësuar zemrat?,” “Si t’ia bësh të dashur fëmijës namazin?,” “Baza e dispozitave,” “Çështje fik’hore bashkëkohore,” “Devotshmëria dhe tregimet e të devotshmëve,” serial tregimesh për fëmijë “Bahçja e besimit,” “Vërtetësi dhe argumente mbi Muhamedin, vulën e profetëve,” serial tregimesh për fëmijë “Morali i besimtarit,” historia e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për fëmijë, “Profeti Muhamed mes nesh.”

Në të ardhmen, nëse Zoti më jep jetë dhe e lus që të mos ma marrë shpirtin pa e përkthyer Kuranin nga fillimi në fund, e t’u mundësoj lexuesve t’i marrin erë këtyre luleve të bukura të domethënieve që kundërmojnë misk e jasminë, aromë që nuk përngjan me asnjë tjetër në dynja.

A.H.:  Më flisni pak rreth angazhimit tuaj aktual?

M.A.: Momentalisht punoj pedagoge e gjuhës arabe në një fakultet në Stamboll dhe njëkohësisht jap tefsir online. Kam përfunduar suren Jusuf, shumë sure nga xhuzi tebarek, dhe tashmë kemi filluar dhe suren: El Kasas. Kam filluar të përkthej dhe disa libra për fëmijë dhe një libër për familjen. Kam botuar në një revistë akademike arabe një kërkim shkencor dhe pres të botoj dhe një tjetër me lejen e Zotit. Gjithashtu jam e angazhuar me davet në Shqipëri dhe diasporë.

A.H.: Pra, momentalisht angazhoheni edhe në mësimdhënien online. Sa e bukur apo impenjative është?

M.A.: Mësimin online kam 4 vite e gjysmë që e ushtroj dhe nuk ishte metodë e papritur për mua. Sigurisht nuk mund të krahasohet me metodat e drejtpërdrejta ku ia prek lotin, ia lexon sytë studentes. Në fillim me thënë të drejtën më dukej sikur po bëja që po bëja mësim dhe shumë herë i pyesja: «Goca, jeni me mua apo po flas me veten?» Tabela e bardhë, lapsat, nuk mungojnë edhe tani në shtëpi. Ka avari plot kjo metodë, interneti i dobët, ndërprerja e energjisë elektrike etj., por mësimet për gra, nëpërmjet platformës zoom e kanë një zgjidhje tepër efikase, pasi mësimin e transmetuar në Stamboll e ndjek nxënësja që gjendet në Belgjikë, Austri, Amerikë etj, pra në çdo cep të globit dhe jo si dikur që vetëm klasa ku jepje mësim përfitonte.

A.H.: Çfarë do këshillonit për nënat e reja në edukimin e fëmijëve të tyre?

M.A.: Nënave të reja u jap një këshillë: T’u japin dashuri fëmijëve, dhe çdo natë, pranë abazhurit të mbajnë një libër e të lexojnë qoftë edhe një gjysmë ore. Për çdo fazë të fëmijës të lexojnë: çfarë do, çfarë urren, çfarë nevojash dhe çfarë ndryshimesh ndodhin në qenien e tyre nga një vit në tjetrin dhe si duhet të sillen në secilën fazë. Një pikë e rëndësishme është reflektimi i nënës (edhe i babait) kur gabon fëmija, megjithëse fëmija nuk gabon kurrë, ose gabon rrallë, sipas specialistëve. A është vërtet gabim ajo sjellje, apo ne me padijen tonë e konsiderojmë të tillë? Për shembull: nëse fëmija është një vjeç apo dy vjeç e gjysmë dhe nëna do ta veshë shpejt e shpejt, por fëmija thotë: “jo” dhe kundërshton, ndërkohë nëna do ta “mbarojë” procesin e veshjes, pasi e presin një mijë punë. Fëmija nuk di se nëna është përgjegjëse për shtëpinë, është e angazhuar etj., në këtë fazë ai di të thotë vetëm: “jo” dhe ne duhet ta mirëkuptojmë atë, as nuk duhet ta çojmë nëpër mend ta dënojmë. Është më se normale që fëmija të kundërshtojë, të dojë të vishet vetë në këtë fazë.

Nga 3-7 vjeç për shembull, fëmija është egoist, nuk lejon vëllezërit apo shokët të lozin me lojërat e tij. Kur nëna i thotë: «të keqen mami, bëhu bujar, hë, jepja lodrat se nuk bëhet nami nëse ia lë të lozë pak.» Në lojë e sipër shoku mund t’ia prishë atë lojë që ai mezi e ka pritur t’ia blejë prindi ose ka qenë shpërblim i një sureje që ka mësuar, apo një konkursi të fituar. Atëherë, çfarë do ndodhë? Fëmija, nga ajo ditë, do mendojë: «Përderisa lodrat që janë aq të shtrenjta për mua i merr kush të dojë, i prish kush të dojë, atëherë që sot e tutje le të bëhet pazar me çdo gjë që posedoj.» Në këtë rast është nëna ajo që ka rënë në një gabim vrasës dhe mos të fajësojë kërkënd përpos vetvetes kur t’i vijë fëmija nga shkolla e t’i ketë humbur libri, goma, lapsi, fletorja dhe ai nuk i ka vënë fare re’ dhe as ka përsiatur t’i kërkojë. Ajo vetë ia shkuli egoizmin, dëshirën për të poseduar, e tashmë duhet ta paguajë shtrenjt dënimin pavend të fëmijës. Ose, disa prindër thonë: jeta, streset na kanë lodhur, fëmija duhet të rrijë urtë, e mos të na shqetësojë, hip këndej e zbrit andej, e të na turpërojë duke mos lënë dy gurë bashkë kur shkojmë në miqësi. Këta prindër duhet ta kuptojnë që është tepër normale që fëmija të dojë lëvizjen, gjallërinë, lojën. Siç thonin gjyshet tona dikur: «Fëmija do bëjë kalamanllëkun e vet.» Në fund të fundit nëse nuk e merr rehatinë në shtëpinë e vet, vallë ku do ta marrë? Pastaj, ne duhet të jetojmë për Zotin dhe jo për njerëzit. Nëse fëmija nuk lëviz, por qëndron në vend-numëro gjithë ditën, hermetizohet para kompjuterit, Tv apo para telefonit, atëherë padashje kemi penguar, mos të themi paralizuar rritjen normale të shqisave të fëmijës. Pra, shqetësuese është kur fëmija nuk lëviz dhe jo kur lëviz.

Nëse nëna është një lexuese e mirë dhe ka informacion, nuk do çuditet asesi nga sjelljet e “çuditshme,” por do do t’i konsiderojë ato mëse normale dhe pjesë të rritjes së fëmijës dhe nuk do i shohë si “gabime fatale” ato çka përmendëm më lart. Dija tani është bërë e lehtë. Nuk është më si dikur, që duhet t’i hipje devesë,  e të përshkoje shkretëtirën natën e ditën, të syrgjynoseshe vite të tëra larg familjes. Sot dija troket në çdo derë, vetëm të kesh vullnet që të mësosh dhe përparosh. Nënat tona janë munduar me ato pak informacione të na percjellin mirësi. Mbaj mend gjyshja ime, Zoti e mëshiroftë, kur më shihte që lexoja, i kallej shpirti e më thoshte: «eh të isha një herë e re e të mësoja. Veç ajo dapalloma (diploma) ma ka kall. Unë e shkreta nuk di t’lexoj e knoj. Do e lus Zotin të m’fali me kaq sa di.» Mosmarrjen e dijes duke i pasur mundësitë e kishte për gjynah të madh. E megjithëse emrin e vet nuk dinte ta shkruante, na nxiste të mësonim dhe që në pesë të sabahut na detyronte të përsërisnim atë çka mësonim. Dashuri e çuditshme për fenë, punën, dijen. Zoti i mëshiroftë gjyshërit tanë!

Nënat duhet ta kuptojnë që misioni i edukimit është amanet dhe do pyeten Ditën e Kijametit: «a e mbajtën amanetin, apo? A ia bënë të dashur Zotin, Kuranin? Po namazin dhe adhurimet e tjera, apo ia shndërruan në zakon, në lëvizje pa jetë që nuk ia di as rëndësinë as urtësinë.» Nëna! A e dini ç’do të thotë që xheneti të jetë në këmbët tuaja? Le t’i pyesim vetet: A jemi ne vërtet nëna të tilla? Vitet ikin shpejt, fëmijët rriten, fëmijëria nuk kthehet më. Ai që mbetet është shpërblimi juaj. Mos e ndal shpërblimin me vdekjen tënde! Fëmija është vazhdim i shpërblimit tuaj.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

M.A.: I përshëndes të gjithë lexuesit dhe u them se në kohën që kanë humbur vlerat dhe normat, për familjen tuaj është domosdoshmëri “Familja” pasi kjo revistë përcjell besim, parime të larta duke përqafuar fort të renë dhe avancimin kulturor, akademik si dhe teknologjik.

Stafit të revistës i uroj suksese pafund në punën e tyre, që përbën një mision sa të lartë, por dhe aq të vështirë.

Zoti na bëftë të gjithë përcjellës të hajrit, çelësa mirësie dhe kyçe të së keqes!

  • Revista “Familja”, janar 2021