Intervistë me teologen Znj. Cansu Drangoy

10

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

C.D.: Unë quhem Cansu Drangoy dhe jam nga qyteti i bukur i Prizrenit. Kam lindur në një lagje ku flitet shumë gjuha turke, prandaj edhe emri im vjen nga gjuha turke që do të thotë: shpirt (Can) dhe ujë (su). Kam dëshirë të bëhem ujë për shpirtra të etur për udhëzimin hyjnor. Jam nënë e dy djemve, nënë e Affanit dhe Muhammedit. Jetoj dhe veproj në Prizren.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

C.D.: Origjina e gjithçkaje ishte kur unë fillova të mësoj rreth Islamit, në klasë të nëntë. Më herët as që kam pasur idenë se ku është medreseja dhe çka mësohet në të. Me të hyrë Islami në zemrën time, vendosa të regjistrohem në Medresen Alauddin në Prizren. Aty  përfundova dy vitet e para të medreses dhe në pushimet verore pata filluar hifzin e Kuranit. Duke parë vështirësitë e mësimit të hifzit dhe duke qenë në shtëpi, vendosa të shkoj në Stamboll për mësimin e Kuranit dhe atje të përfundoj hifzin dhe dy vitet e fundit të medreses. Elhamdulilah ashtu ndodhi. Katër vitet e arta të jetës time i jetova në Bursa dhe Stamboll të Turqisë, ku edhe e përfundova hifzin, kursin e Kuranit dhe medresen e mesme. Gjatë katër viteve të qëndrimit tim në Turqi mora pjesë në disa seminare të organizuara nga Dijaneti Turk me tematika të ndryshme si, “shembulli i nënës besimtare”; “zgjidhja e problemeve me metoda jo të përditshme”; “si duhet të jetë mbulesa e muslimanes” etj. Pasi u ktheva në vendlindje, u regjistrova në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, më pas në po atë fakultet u pranova edhe në studime master, ku në mars të vitit 2021 mbrojta temën e masterit në degën Master i Arteve Islame dhe u vlerësova me notën maksimale.

A.H.: Përgjatë viteve të shkollimit e deri tani, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet tuaja dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj?

C.D.:  Qëkur jam kthyer nga Turqia në vendlindje, kam pasur dhe kam si në ditën e parë po të njëjtin entuziazëm t’ua rrëfej njerëzve fenë Islame dhe të mos ‘rri kot’. Fillimisht fillova t’ua mësoj shkronjat dhe mësimin e sureve disa studentëve, pastaj fillova të mbaj ligjërata javore për gjininë femërore në një xhami në Prizren. Por aktivitetin që veçoj më shumë dhe që e kam shumë për zemër është t’ua mësosh fenë e Allahut fëmijëve prej moshës gjashtë e më tutje, sepse t’ua mësosh fëmijeëve diçka është sikur të gdhendësh një dije në gur, është shumë e vështirë, kërkon energji dhe përpjekje të madhe, por fundin e ka shumë të ëmbël. Është kënaqësi e madhe kur i sheh fëmijët e vegjël të lexojnë pjesë të ndryshme përmendësh nga Kurani dhe atë që kanë mësuar në xhami shkojnë e ua tregojnë  familjarëve të tyre. Normalisht ky aktivitet ka ndikuar shumë pozitivisht te unë, sepse kam parë se puna e palodhshme dhe njëkohësisht lutja e Allahut për sukses, i paska rezultatet shumë të ëmbla.

A.H.:  Cili është angazhimi juaj momentalisht?

C.D.: Momantalisht jam nënë, amvisë, teologe, etj. Fillimisht mundohem t’ua jap hakun e familjes, në shtëpi kam dy nxënës të vogjël, Muhammedin dhe Affanin, të cilët kërkojnë angazhim të madh.

Ndërkohë merrem me ligjërata Islame në xhaminë Sejdi Beg në Prizren dhe ndonjëherë ligjëroj në platforma online. Jam në përgatitjen e botimit të librit tim të parë që flet për nënën e besimtarëve Aishen, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe arritjet e saj në Shkencën e Hadithit.

A.H.: Çfarë aktiviteti ju ka lënë mbresa dhe që dëshironi të ndani me lexuesit?

C.D.: Gjatë viteve që kam qëndruar në Turqi kam parë gjëra shumë të bukura. Jam ndikuar shumë shpirtërisht nga lidhja e popullit turk me Islamin. Kur hyra për herë të parë në kursin e Kuranit, pra në objektin ku organizohej çdo gjë u magjepsa sa i madh dhe luksoz, sa nxënës dhe sa mësuese kishte, mashaAllah. Por gjëja që më së shumti më ka prekur në zemër është kur kemi shkuar për vizitë në një kurs për mësimin e Kuranit për nxënëse që janë të verbëra. SubhanAllah, ishin të verbër me sy, por jo me zemër. Allahu iu kishte marrë dritën e syve, por jo dritën e imanit. Ato mësonin Kuranin me gishta, me anë të alfabetit Braille dhe ishin shumë pozitive; shumë të kënaqura me caktimin e Allahut. Me njëra-tjetrën  bënin shaka të ndryshme. Në një rast njëra prej tyre padashje ia shkeli këmbën nxënëses tjetër e ajo të cilës iu shkel këmba tha: «shiko përpara, apo je e verbër?» Atë ditë fola me veten dhe thash: «oh moj Cansu sa e pasur je dhe nuk ua di vlerën mirësive të Allahut. Kur ato janë të verbëra dhe arrijnë të bëhen hafize, pse ti ankohesh ndonjëherë për lodhje dhe pagjumësi?! Çfarë të mungon ty?» Pra ky ishte një rast që më shtyu të mësoj sa më shumë rreth fesë Islame dhe Kuranit.

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

C.D.: Dëshiroj që të studioj Psikologjinë ose të vazhdoj për studime të doktoraturës në teologji Islame. Kam plan që të mos ndalem në thirrjen për në rrugën e Allahut. Megjithatë, ne bëjmë plane, angazhohemi, ndërsa fjalën e fundit e thotë Allahu.

A.H.: Si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

C.D.: Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na ka treguar se njeriu nuk ia di vlerën e kohës së lirë derisa të sprovohet me angazhim. Të them të drejtën kur kam qenë studente nuk ia kam ditur vlerën kohës. Tani që jam nënë e dy fëmijëve të vegjël kam kuptuar vlerën e kohës së lirë shumë më shumë. Normalisht, të jesh nënë, grua, studente, mësuese, amvisë etj. kërkon një energji të madhe dhe menaxhim të mirëfilltë të kohës. Në këtë pjesë rol të rëndësishëm luan edhe përkrahja e bashkëshortit. Një bashkëshort i mirë dhe dashamirës i dijes është dhunti e Allahut. Me këtë rast falenderoj bashkshortin tim, i cili gjithnjë më përkrah në punët e dobishme. Njeriu nuk duhet të jetë neglizhent, duhet të ketë plane në jetën e tij; duhet të ketë qëllimin e tij; e që për ne muslimanët është arritja e kënaqësisë së Allahut dhe futja në Xhenet. Në momentin që njeriu nuk ka objektiva që do ti arrijë, normalisht që të jenë në përputhje me atë që e do Allahu, nuk ka plane se ku dëshiron të shkojëapo se si dëshiron të ecë deri te caku; atëherë të gjitha rrugët e çojnë diku, por jo në atë të duhurën. Prandaj dhe Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në një hadith na ka treguar se veprat më të dashura tek Allahu janë ato të vazhdueshmet edhe nese janë të pakta. Prandaj, them, njeriu duhet të punojë vazhdimisht, edhe nëse punon pak, sepse gur gur bëhet mur.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

C.D.: Detyra e një teologeje është që ajo t’i ndihmojë njerëzit ta përkujtojnë Allahun e Lartësuar. Për këtë qëllim është sunet leximi i sures El – Asr kur ndahesh prej shokëve. Imam Et-Taberaniu transmeton prej Ebi Medijne Ed-Darimij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “Kur dy prej shokëve të Profetit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, takoheshin, nuk ndaheshin nga njëri-tjetri derisa njëri prej tyre t’i lexonte tjetrit suren El-Asr:

1- Për kohën!

2- Me të vërtetë, njeriu është në humbje,

3- përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri – tjetrin të vërtetën e i këshillojnë njëri – tjetrin durimin. (Surja El Asr), pastaj njëri prej tyre përshëndeste tjetrin.”

Shokët e Profetit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, nuk e lexonin këtë sure vetvetiu nga mendja e tyre, por ata ishin të sigurt se këtë gjë e kishin mësuar prej të Dërguarit të Allahut. Surja El Asr është një sure e shkurtër, por shëruese dhe e mjaftueshme për besimtarin. Në vargjet e kësaj sureje është qartësuar humbja e të gjithë njerëzve, me përjashtim të atij që kryen katër vepra të cilat janë: besimi në Allahun Fuqiplotë, puna e mirë, pasimi i të vërtetës dhe durimi gjatë sprovave të ndryshme. Mesazhi im është që të kemi kujdes ndaj këtyre katër këshillave nga ana e Allahut të Lartësuar.

Falenderoj revistën “Familja” për kërkesën e tyre për intervistë dhe po ashtu falenderoj lexuesit e revistës “Familja” dhe i them: “jeni në rrugë të vërtetë, fare mos u ndalni!”

  • Revista “Familja”, maj 2021