Intervistë me Uniken, znj. Stela Nelaj

3

Nga: MSc. Ardela Hyka

Nga pasioni, në profesion!

Intervistë me duarartën nga qyteti i bukur i Durrësit, për të na prezantuar me pasionin, dëshirat, arritjet, aspiratat e së ardhmes si edhe me jetën e saj personale.

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

S.N.: Jam Stela Nelaj. Jam 30 vjeçe. Nënë e një vajze 3 vjeç. Jam me orgjinë nga Vlora, por e martuar dhe jetoj momentalisht në Durrës.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

S.N.: Jam e diplomuar për Gjuhë Letërsi – Mësimdhënie  E kam ushtruar profesionin tim për një periudhë të shkurtër kohore.

A.H.: Na trego pak më shumë rreth angazhimit tuaj profesional?

S.N.: Për momentin në lidhje me profesionin tim jam në një pauzë, për shkak sepse kam preferuar që vajzën ta rris vetë, derisa të arrinte moshën për në kopësht. Gjithashtu, jam edhe në pritje të bebit tjetër.J

A.H.:  Urime për pritjen tuaj të ëmbël. Meqë u hap tema e lindjes, si “lindi”, nëse mund ta themi edhe kështu, nisma juaj artistike? Është ky një pasion i hershëm yti?

S.N.: Të falenderoj. Atëherë, nisma ime artistike ka nisur pikërisht gjatë periudhës së mëmësisë. Sa e bukur dhe e vështirë kjo ndjesi. Qëndrimi gjatë gjithë kohës me një fëmijë të vogël në shtëpi, përditë e njëjta gjë, mu kthye në një monotoni. Dëshiroja që ditët e mia të ndryshonin. Pasioni për qeramikën ka qenë që fëmijë, por asnjëherë s’e kisha menduar që unë mund të realizoja punime me qeramikë.

A.H.: Jeni e kënaqur me ecurinë tuaj deri më tani?

S.N.: «Unike si ti» ka 2 vjet e gjysmë që ka marrë jetë. Fillimi ka qenë thjesht pasion. Unë kaloja kohën, shprehja të brendshmen time përmes këtij arti, por ka gati 1 vit e gjysmë që është kthyer në një profesion. Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë dhe vlerësojnë artin që unë bëj.

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Çfarë objektivi doni të arrini me këtë nismë?

S.N.: Dëshira ime është që të kem një atelie timen. Të kem mundësi të pasqyroj në të të gjitha mënyrat e artit që unë bëj.

A.H.: Të uroj shumë suksese në realizimin e dëshirave të tua. Më thoni, si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

S.N.: Kam arritur në përfundimin që nëse një punë e bën me pasion, koha dhe çdo gjë tjetër gjendet dhe menaxhohet për mrekulli. Mjafton ta duam atë që bëjmë dhe çdo gjë tjetër bëhet më e lehtë.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

S.N.: Asnjëherë nuk është vonë që të realizosh ëndrrat. Guxo dhe nxirri nga sirtari. Ktheji në realitet, dhe nëse nuk ecën të paktën nuk të ngelet pishman. Pasioni i ndërthurur me vullnetin janë çelësi më i mirë i suksesit për çdo nismë që ndërmarrim.

A.H.: Të falenderoj për këtë intervistë të bukur.

S.N.: Ju falenderoj edhe unë për ftesën dhe ishte kënaqësi intervista me ju.

  • Revista “Familja”, tetor 2022