Intervistë me Lektoren, MSc. Isida Mansaku

8

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër tuajin për lexuesit.

I.M.:   Unë jam Isida Mansaku, kam lindur dhe banoj aktualisht në Tiranë. Jam e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik dhe profesional?

I.M.: Në vitin 2009 kam përfunduar studimet Bachelor në Administrim Biznesi, profili “Menaxhim Ndërkombëtar” pranë Universitetit të Vjenës, Austri. Duke vazhduar me studimet Master i Shkencave në Administrim Biznesi, profili “Financë Bankë” pranë Institutit Kanadez të Technologjisë (CIT), në Tiranë, Shqipëri.

Më pas kam vazhduar me zgjerimin e njohurive dhe me aftësimin në fusha specifike duke marrë pjesë në konferenca, seminare, trajnime e shumë veprimtari të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kam një përvojë pune në menaxhim (dhe jo vetëm) si përgjatë viteve të studimit (7 vite pune në Austri) ashtu edhe pas përfundimit të tyre. Në Shqipëri kam një eksperiencë gjashtë vjeçare (2009-2015) pranë ALBtelecom, së fundmi në rolin e Senior Ekpert pranë Sektorit të “Strategjisë dhe Buxhetit” si dhe dy vite pune (2015-2017) pranë ADISA, si Përgjegjëse Sektori e “Performancës dhe Opinionit të Qytetarëve”.

A.H.: Cili është angazhimi juaj momentalisht?

I.M.: Aktualisht mbaj pozicionin e Lektores me kohë të plotë si dhe të Koordinatores së programit të studimit Bachelor në “Financë-Kontabilitet” pranë Institutit Kanadez të Teknologjisë duke filluar nga Tetor 2016 si dhe jam anëtare (jo ekzekutive) e Këshillit të Administrimit të WVP Fund Management Tirana, pjesë e grupit, WVP Group Austria.  Gjithashtu, jam e angazhuar në projekte të ndryshme të organizatës “People in Focus” në cilësinë e Ekspertit të Jashtëm duke filluar nga Korrik 2017 e në vazhdim.

A.H.: Përgjatë viteve të shkollimit dhe karrierës tuaj, çfarë mund të veçoni disa nga aktivitetet tuaja?

I.M.: Gjatë viteve të studimit kam punuar si mësuese e gjuhës Gjermane për qytetarë të huaj që jetojnë në Austri, pranë një qendre integrimi; mësuese e programeve «After School» si dhe koordinatore e disa «Summer School». Angazhimi në fushën e edukimit që në moshë të herët e deri më tani, sfidat gjatë organizimit dhe implementimit të aktiviteteve të ndryshme me nxënës dhe studentë të moshave dhe kombësive të ndryshme, por mbi të gjitha kënaqësia që kam përjetuar dhe vazhdoj të përjetoj, më bën ta veçoj këtë lloj eksperience mbi të gjitha. Gjithashtu, dëshiroj të përmend aktivitete të ndryshme ku kam patur nderin të marr pjesë si sondazhet e kryera dhe fokus grupet për të marrë opinionin e qytetarëve ndaj shërbimeve publike pranë disa insitucioneve të rëndësishme shtetërore, në projekte ndërkombëtare të implementuara nga organizata e shoqërisë civile «People in Fokus», si dhe së fundmi në disa funksione kyçe të WVP Fund Management Tirana. Përtej zhvillimit të kapaciteteve, vlerësoj frymën e bashkëpunimit, eksperiencën e paharruar me ish kolegë, por miq të përjetshëm në institucionet ku kam punuar më parë si Phonix Institute, Interpunkt KEG, ALBtelecom, ADISA etj, si dhe profesionalizmin në institucionet ku jam aktualisht e angazhuar.

A.H.:  Ju keni jetuar dhe punuar në Austri. Si mund ta përshkruani eksperiencën tuaj atje?

I.M.: Si studente, njëkohësisht e punësuar gjatë gjithë periudhës së qëndrimit, mund të them që nuk kanë qenë vite të lehta, por përveç studimeve, jam shumë e lumtur që vitet e kaluara në Turqi dhe Austri më kanë shërbyer për të përfituar atë që e quajmë «shkolla e jetës».

A.H.: Çfarë ju shtyu të ktheheshit në Shqipëri?

I.M.: Mbase do të duket klishe, por dëshira për të kontribuar për vendin tim si dhe për t’u bashkuar sërish me familjen kanë qenë arsyet kryesore për të cilat vendosa të kthehem në Shqipëri, edhe pse Austria dhe Turqia janë «dyer të hapura» në mendjen dhe në zemrën time.

A.H.: Jeni e kënaqur me arritjet tuaja deri më tani?

I.M.: Einstein ka një thënie, «Ai i cili asnjëherë nuk ka gabuar, s’ka provuar diçka të re». Duke qenë se jam një person gjithmonë në kërkim për të zbuluar të panjohurën, për të përmirësuar ekzistuesen, më shumë jam e fokusuar se çfarë kam akoma për të bërë sesa çfarë kam arritur deri më tani. Gjithsesi, nëse do të ktheja kokën pas, së bashku me uljet e ngritjet gjatë jetës, falenderoj të madhin Zot, për çdo moment; për çdo përvojë që kam kaluar; për njerëzit dashamirës edhe pse nga kombësi të ndryshme që kam njohur e më kanë mbështetur; për eksperiencat e papërsëritura gjatë viteve të studimeve dhe punës.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e revistës “Familja”?

I.M.: Revistën «Familja» kam filluar ta lexoj shumë kohë më parë, një nga rubrikat më të preferuara ndër të tjera kanë qenë recetat e gatimit (qesh). Më tej kam vijuar ta ndjek edhe në formatin elektronik duke shfletuar online artikuj të shumtë, informues dhe të pasur me informacion të përditësuar. Për këtë arsye, ju uroj lexuesve të revistës «Familja», të gëzojnë në radhë të parë shëndet, sidomos në këtë periudhë që po përjetojmë; të vazhdojnë të jenë në kontakt me leximin, me hulumtimin; të jenë kërkues nga vetja për të avancuar në karrierën e tyre profesionale. Një aspekt të cilin do të dëshiroja të sugjeroja është bashkëpunimi dhe fryma/kultura e punës në grup, pasi gjithmonë do të ketë/ka më shumë përfitime e mirësi, këtë e them me bindje të plotë bazuar në përvojën time personale. Por ajo që do të theksoja mbi të gjitha, është « Familja e shëndoshë». Nëse e vini re, në fillim të intervistës me pyetët të përshkruaj veten, fillova me vendlindjen, me qytetin tim të dashur Tiranën, për të cilën edhe pse kam 11 vjet që jam kthyer, akoma kam mall. Më pas vijova me statusin tim civil dhe fëmijët. Nëse me lejohet, dëshiroj të falenderoj familjen time, veçanërisht gjyshin tim për mbështetjen gjatë viteve të studimit jashtë vendit (1995-2010), si dhe i jam shumë mirënjohëse bashkëshortit tim për të gjithë kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të ofrojë në zhvillimin tim personal dhe profesional. Së fundmi, një falenderim i veçantë për ju personalisht, për koordinimin dhe zhvillimin e kësaj interviste si dhe Shoqatës Kulturore «Gruaja» për këtë ftesë, të cilën e vlerësoj shumë.

A.H.: Faleminderit juve dhe ishte një kënaqësi intervista me ju!

  • Revista “Familja”, korrik 2021