Intervistë me Znj. Vlora Kadriu

5

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

V.K.: Une jam Vlora Kadriu, nga Prishtina. Jam 37 vjeç, dhe nënë e dy fëmijëve. Vij nga një familje intelektuale nga e cila kanë dalë shumë profesione si përkthyes, prokurorë, inxhinierë dhe regjisorë. Me pëlqen të luaj piano, këndoj, kompozoj, shkruaj, udhëtoj, notoj dhe të meditoj.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

V.K.: Kam studiuar në Konservatorin Artistik – Filharmonia e Kosovës instrumentin frymor fagotin, pastaj në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë kam studiuar Orientalistikë dhe Gjuhë Angleze. Në këtë të fundit kam mbaruar po ashtu edhe Masterin për Gjuhë Angleze. Jam trajnere për testet TOEFL dhe SAT dhe kam ndjekur trajnime të ndryshme lidhur me mësimdhënien, duke përfshirë edhe Trajnimin për Kornizën Kurrikulare të Kosovës. Njoh këto gjuhë: serbe, boshnjake, turke, arabe, frënge dhe spanjolle.

A.H.: Përgjatë viteve të angazhimit tuaj profesional, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet tuaja?

V.K.:  Momentalisht punoj si profesoreshë e gjuhës angleze, e licencuar nga MASHT, në Medresenë e mesme «Alauddin» në Prishtinë, por merrem edhe me përkthime të ndryshme. Kam përkthyer artikuj shkencorë dhe publicistikë, broshura, libërtha, katalogje dhe lloje të ndryshme tekstesh e dokumentesh për institucione si MASHT, apo edhe organizata e kompani të ndryshme biznesesh. Kam punuar si trajnere në disa projekte me nënat në fondacionin «Jahjaga», fondacion i kryesuar nga ish-presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga; në disa projekte me IOM-in në shkollat e mesme; kam bërë edhe punë vullnetare duke përgatitur korin e vajzave në medresenë «Alauddin»; dhe punoj me kurse individuale intensive për mësimin e gjuhës angleze. Kam përkthyer dhe vazhdoj të përkthej për shumë personalitete në cilësinë e interpretes. Për vite me radhë kam përkthyer njërin prej emisioneve më të ndjekur në Televizonin Publik të Kosovës: «Bugajski Hour», nga eksperti i njohur politik amerikan Janush Bugajski.

A.H.:  Ju keni studiuar për Gjuhë Angleze dhe Orientalizëm. Çfarë mund të thoni më shumë rreth këtij kombinimi? Sa plotësues të njëri-tjetrit i gjeni këto dy komponentë?

V.K.: Të studiosh oksidentin e të mos e njohësh orientin, besoj që nuk je i kompletuar. Kur këto studime bashkohen besoj që njohja ndaj botës është e plotë dhe kuptimplotë. Oksidenti dhe Orienti kanë bashkëjetuar me shekuj dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë. Ka pasur rrugës edhe luftëra e mospërshtatje, por globalizmi i ka ulur këto ndasi dhe tashmë bota është bërë një. Të studiosh anglishten, do të thotë të jesh njohës i një bote të madhe, por t’ia bashkangjitësh kësaj njohjeje arabishten dhe turqishten, do të thotë njohës i tërë botës. Këto studime të gjuhëve më kanë mundësuar të njoh më mirë edhe Oksidentin nga këndvështrimi i Orientit, por edhe e kundërta.

A.H.: Si do ta përkufizonit ndërthurjen profesion-familje, parë nga këndvështrimi juaj?

V.K.: Profesioni formon njeriun dhe i jep atij një të ardhme të caktuar, njëjtë edhe familja. Të kesh një laramani profesionesh, sikurse unë, është pasuri profesionale dhe fat i mirë për familjen. Familja dhe profesioni nuk bëjnë pa njëra-tjetrën sepse ato plotësojnë njëra-tjetrën gjatë gjithë jetës. Është e vështirë të edukosh në kohërat moderne, por gjithnjë krahas profesionit e karrierës mundem që mos ta lë asnjëherë familjen pas, sepse e kemi edhe amanet të edukojmë familje të pastër e të ndershme. Pasditen kryesisht ia kushtoj familjes dhe mundohem që te fëmijët të transmetoj rrugën e dijes pa tentuar të ndikoj në profesionet e tyre të ardhshme, por ja që Zoti ka dashur që edhe ata të kenë talentë në këndim dhe në instrumente.

V.H.: Cilat janë projektet e tua për të ardhmen?

V.K.: Kam plan të vazhdoj studimet në shkallën e tretë dhe të merrem me disa përkthime që janë mungesë në literaturën e përkthyer në gjuhën tonë. Kam plane edhe të shkruaj, por edhe të merrem me pasionin tim muzikën. Ndoshta edhe të kompozoj ndonjë këngë me motive religjioze.

A.H.: A ishte sfidë dikur mbulesa dhe a vazhdon të jetë ende për sa i përket punësimit dhe karrierës?

V.K.: Është shumë e vërtetë që dikur mbulesa ishte një ndalesë e madhe për femrën muslimane për t’u punësuar dhe për t’i vazhduar studimet. Shumë vajzave me talente të mëdha ëndrrat i’u ndalën në gjysmë vetëm pse kishin një bindje tjetër nga shoqet e tyre. Ata u përjashtuan nga shkolla dhe nga puna, por ja që sot gjërat janë ndryshe falë Zotit dhe janë përmirësuar dhe po përmirësohen gjithnjë e më shumë dhe vajzat me mbulesë po diskriminohen më pak, por nuk mund të themi se diskriminimi nuk ekziston fare. Motrat tona duhet të përkrahen fillimisht nga familjet ku kanë lindur, pastaj nga familjet ku krijojnë familje. Shteti dhe shoqëria duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë që nuk do të jenë shtete demokratike asnjëherë ato shtete që shkelin në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut të garantura me ligje ndërkombëtare. Por edhe vajzat e mbuluara duhet të jenë këmbëngulëse në të drejtat e tyre, duke u organizuar në grupe e shoqata të ndryshme për t’i mbrojtur dhe kultivuar të drejtat e tyre. Mbulesa është zbukurim i femrës, jo vështirësi e pengesë.

A.H.: Përkthimi është një profesion i vështirë. A keni arritur ta perfeksiononi atë?

V.K.: Përkthimi dhe profesioni i përkthimit me të vërtetë është një punë e lodhshme dhe e rëndë, sidomos profesioni im i interpretes, sepse gabimet e përkthimit mund të përmirësohen apo të redaktohen para se të dalë botimi apo publikimi, por te interpretimi gjithçka është drejtpërdrejtë dhe përgjegjësia është shumë e madhe. Kërkohet njohje e madhe si e gjuhës angleze, ashtu edhe e asaj shqipe. Nuk ka kohë të mendohemi shumë, por të flasim shpejt, saktë e pa gabime. Si interpret duhet të lexojmë vazhdimisht, gjithashtu duhet të njohim mirë dhe saktë edhe gjuhën popullore, thëniet e vjetra kur përkthejmë nga gjuha amtare në atë të synuar. Kemi shumë shprehje dhe idioma që nuk mund t’i përkthejmë bukfalisht, sikurse idioma në gjuhën angleze ‘Stop ironing my head’ që në gjuhën shqipe do të përkthehej “mos më hekuros trurin”, e që do të dilte shumë qesharake, por kuptimi dhe përkthimi i kësaj idiome është “mjaft më bezdise” etj.. Duhet që të njohim përveç gjuhës edhe historinë, kulturën dhe dykuptimësinë e fjalëve në të dy gjuhët.

A.H.: Na treguat se përveç studimit të gjuhëve të huaja keni studiuar edhe për instumente muzikore. Vazhdon ky pasion juaji ndaj muzikës?

V.K.: Po, patjetër. Nuk ka ditë që nuk luaj në piano. Kohët e fundit në këto ditë të nxehta vape po sjell pranverë te shpirti im dhe i familjes sime duke luajtur Valsin e Pranverës nga Frederic Shopin-Spring Ëaltz, një vals që për mendimin tim nuk përfudon kurrë dhe sa herë që luan të duket sikur po e luan për herë të parë. Një kryevepër do thoja. Pastaj me vajzën time të dashur, Ninën, herë pas here, unë në piano e ajo në violinë luajmë pjesë nga Bach. Kur na bashkohet edhe djali im i vogël Davudi në kitare atëherë bëhemi një kor i vërtetë. Muzika klasike dhe muzika popullore shqiptare për mua mbetet një muzë pa shterje, e cila më motivon për jetën dhe për punën. Sa herë që luaj në piano mbushem me hare, energji dhe jam e gatshme për projekte të reja. 

A.H.: Cila ju flen më shumë në shpirt «Letërsia e Lindjes apo ajo e Perëndimit»?

V.K.: Një pyetje mjaft e vështirë për t’u përgjigjur, por do flas nga brendësia e zemrës. Nuk ka letërsi superiore mbi njëra-tjetrën, sepse civilizimet e kanë plotësuar njëri-tjetrin, gjithashtu edhe letërsitë e kanë plotësuar e interferuar njëra-tjetrën. Letërsia perëndimore është një letërsi mjaft e gjerë dhe e madhe, por unë do flas me kompetencë për letërsinë amerikane dhe atë angleze, të cilën e kam lexuar dhe studiar me kënaqësi. Të flasësh për Letërsinë Angleze e të mos e përmendësh gjeniun e kësaj letërsie Shekspirin me dramat e të cilit u rrita duke i lexuar e rilexuar, prandaj dhe zgjodha me kënaqësi që edhe për temë diplomimi të kem tragjedinë e ‘Hamletit’ nga Shekspiri. Ndërsa kur flas për letërsinë e lindjes nuk mundem pa përmendur letërsinë arabe me atë poezi e proze të kulluar që ka kultivuar ndër shekuj.

Letërsinë arabe e mbaj në zemër, sepse është letërsi që askush më bukur në botë nuk mund ta përshkruajë ndjenjën e dashurisë në poezi më mirë se ai beduini, i cili nuk kishte asnjë objekt pranë, larg apo afër; kishte vetëm rërën dhe qiellin pa asnjë ndalesë. Ai lutej dhe lutej dhe vetëm lutej dhe thurte lavde për Zotin, por nuk harronte as edhe dashurinë njerëzore. Kjo më shtyu që në diplomën time të dytë të marr për temë dramën bashkëkohore arabe të shumënjohur «Ashabu-l Kehf» (Banorët e shpelles) apo thënë më mirë «Legjenda e gjumit» e autorit Teufik el-Hakim, e cila trajtohet nga aspekti i saj sociologjik, dukë përfshirë këndvështrimin sipas versionit të krishterë, por edhe të atij islam.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

V.K.: Mësoni gjatë gjithë jetës, për çdo gjë, kudo. Bëni atë që ju plotëson shpirtërisht, atë për të cilën nuk do të pendoheni më vonë. Kënaquni me familjen dhe jetën. Mësoni gjuhë të huaja, sepse njohja e një gjuhe të huaj do t’ju mundësojë të njiheni me lloj-lloj kulturash e trashëgimish që ka kjo botë, e cila tashmë në kohën e internetit po quhet një fshat i vogël. Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të shpreh opinionet e mia përmes revistës suaj, të cilës i uroj suksese dhe vazhdimësi të gjatë.

  • Revista “Familja”, gusht 2021