Intervistë me mualimen dhe aktivisten, Znj. Mihana Goga Bekteshi

13

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit?

M.B: Jam Mihana Goga, e lindur në qytetin e bukur bregdetar të Ulqinit. Qytet, i cili ka ajër të freskët nga deti i bukur, që inspiron dhe qjallëron trupin dhe zemrën e njeriut. Aty kalova pjesën e fëmijërisë dhe rinisë sime duke mësuar, rrugëtuar dhe vazhduar më pas në Prishtinë. Jeta studentore në Prishtinë ishte pjesa më e bukur e jetës sime, ku gjithçka frymonte shqip. Ishte një vullnet i madh për mua, pasi që përveç studimeve, mbeti vendi ku takova edhe fatin e jetës time. Jam nënë e dy fëmijëve dhe punoj si mualime në Departamentin e Gruas, pranë Bashkësisë Islame në Obiliq.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

M.B: Në vitin 2003 jam regjistruar në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Gjatë kohës së studimeve, konkretisht në vitin e katërt, jam zgjedhur si studentja më e dalluar me notën mesatare 10. Si rezultat i notës së lartë mesatare, gjatë vitit të fundit të studimeve jam pranuar në Kryesinë e Bashkësisë Islame në Prishtinë, si asistente në kabinetin e Myftiut Tërnava. Ndërsa në vitin 2009, jam angazhuar në Departamentin e Gruas në Prishtinë. Po në të njëjtin vit, u diplomova dhe fitova titullin profesoresh e mësimeve islame.

Në vitin 2010 në mënyrë vullnetare kam dhënë kontribut në qytetin e Obiliqit në disa xhami. Vlen të theksohet, se në vitin 2014 jam emëruar zyrtarisht nga këshilli i këtij qyteti si mualime në disa xhami. Duke e ditur rolin e gruas në shoqëri dhe përgjegjësitë të cilat i ka ajo para Zotit, vendosa të zhvilloj mësim-besim duke përfshirë grupmoshat e ndryshme. Këto mësime përfshijnë njerëzit nga 7 deri në 70 vjeç, dhe trajtohen këshilla nga lënda e fikhut, edukatë nga lënda e ahlakut, historinë islame, si dhe lëndën kryesore të cilën e zhvillojmë çdo ditë lexim Kur’ani. Gjatë viteve 2014-2019 kam marrë pjesë në shumë konferenca, aktivitete, trajnime, seminare, kongrese, simpoziume, dhe punë me karakter fetar, kulturor, arsimor dhe edukativ. Disa nga këto trajnime janë: “Prindërit kundër ekstrmizmit të dhunshëm”, “Parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm”, “Adresimin e stigmës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” si dhe “Buxhetimi i përgjithshëm gjinor”.

Gjatë asaj kohe, Ministria e Administratës së Pushtetit lokal më ndau mirënjohjen për kontributin dhe aktivitetin e vazhdueshëm të dhënë edhe për pakicat komunitare që gjenden në Kosovë, siç janë: komuniteti egjiptian, rom dhe ashkali. Po ashtu, kam marrë pjesë në shumë iniciativa vullnetare për mbrojtjen e ambientin me rastin e ditës së pastrimit të botës, ku edhe u dekorova me çmimin  vullnetare e vitit 2020, nga organizata “Lets do it Kosova”. Eshtë më se e rëndësishme të ceket që së fundmi kam marrë pjesë edhe në konferenca ndërkombëtare të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam dhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam me tema: “Edukimi Joformal Islam në Gjuhën Shqipe”, dhe “Përvoja e mësimit digjital nëpër mektebe”. Aktualisht, jam anëtare e grupit të grave në komunën e Obiliqit dhe në përfundim të masterit në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

A.H.: Çfarë mund të veçoni nga aktivitetet dhe veprimtaritë tuaja ndër vite?

M.B: Nga veprimtaria ime ndër vite mund të veçoj kënaqësinë e papërshkrueshme të qenit afër njerëzve në lutje. Afërsia dhe respekti i tyre jane nxitje dhe vullnet për mua, që të mos ndalem asnjëherë. Eshtë vërtetë e veçantë thënia e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që: “më i miri prej njerëzve është ai prej të cilit të tjerët kanë dobi”, thënie kjo që është një inspirim i veçantë në çdo situatë.

Ndër vite jemi përkujdesur që hapësirat e pastra dhe të gjelbërta të rriten në çdo pjesë të Kosovës me angazhimin tonë maksimal, që tani më është bërë një traditë. Vlen të theksohet që në ditën botërore të mjedisit në vitin 2020 (5-qershori) organizova pastrimin e ambientit në Prishtinë dhe i gjithë grupi i grave nga qyteti i Obiliqit u organizuan dhe iu bashkangjitën aksionit tim, një veprim nga ana e tyre që nuk do ta harroj kurrë. Vërtetë secila nga ato ma rikujtuan atë ditë thënien e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që thotë: “Heqja e gjërave të dëmshme nga rruga është bamirësi”. -“Ne mësuese, erdhëm që ta realizojmë këtë praktikë sot së bashku me ty!” Pra, të mbash veten pastër dhe mjedisin ku jeton është obligim i çdo besimtari. Ta mbrojmë, ta pastrojmë, ta përparojmë ambientin në të cilin jetojmë, sepse Zoti fuqiplotë në kaptinën Rrahman, ajeti 60, thotë: “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë, diç tjetër pos të së mirës”.

A.H.: Pra angazhimi juaj aktual është një ndërthyrje midis profesionit të mualimes dhe vullnetarizmit?

M.B: Po, angazhimi im aktual është që jam mualime në Bashkësinë Islame si dhe pjesëmarrëse në shumë aktivitete vullnetare humanitare, mjedisore, duke u munduar të jem afër vajzave dhe grave në çdo situatë.

A.H.: Prej sa kohësh merreni me vullnetarizëm?

M.B: Nga të  gjitha angazhimet e mia, pjesa e angazhimit vullnetar është më e dashur dhe më e çmuar. Vullnetarizmi për mua është një traditë familjare. Babi im ishte shembull që unë të ndjekë hapat e tij në këtë punë. Gjithmonë lutej që Zoti të më mundësojë të bëj punë vullnetare dhe të jem në ndihmë dhe afër njerëzve, unë dhe pasardhësit e mi. Si dukej lutja iu pranua, kështu që unë me gjithë dëshirë mundohem të kontriboj në këtë drejtim, sidomos në fushën e ambientit. Prandaj organizoj aksione të pastrimit në të gjithë teritorin e Kosovës, pasi edhe feja jonë e pastër Islame na nxit që ta mbajmë pastër ambientin në të cilin jetojmë. Situata emergjente, siç është kjo e pandemisë në ditët e sotme, kërkonte edhe më tepër angazhime për ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e shëndetit, duke shpërndarë maska, dorëza dhe dezinfektues, si dhe duke mbajtë ligjërata vetëdijësuese.

A.H.: Çfarë ndjenje është të zgjidheni vullnetare e vitit 2020?

M.B: Kur kam filluar aktivizmin tim vullnetar, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja te çmimet. Gjithsesi, në një moment të tillë siç ishte ky, edhe fjalët humben. Me 05 dhjetor 2020, në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve, jam nderuar me çmimin “Vullnetare e vitit 2020”, si mirënjohje për aktivitetin dhe kontributin tim vullnetar në fushën e mjedisit në gjithë territorin e Kosovës. Vërtetë ishte ndjenjë e veçantë momenti i përzgjedhjes. Eshtë kënaqësi kur ka njerëz që vlerësojnë dhe çmojnë punën vullnetare, prandaj shfrytezoj rastin të falenderoj organizatën “Let’s do it”, me gjithë stafin e tyre. Njëherazi shpresoj që kjo të jetë një nxitje për të rinjtë e Kosovës, të cilët janë mjaft aktivë në fusha të ndryshme.

A.H.: Sa e vështirë ishte të organizonit aktivitete të përbashkëta në kohë pandemie?

M.B: Në momentin që pandemia globale u bë pjesë e jetës tonë, organizimi ndodhte të ishte edhe më i vështirë. Mirëpo, vullneti dhe dëshira e madhe nuk munguan në asnjë moment. Pjesa më e vështirë ishte ruajtja nga infektimi. Ka qënë që në fillim dhe është ende një lloj frike, qoftë për infektimin e vetvetes, po ashtu edhe e përhapjes së virusit te të tjerët.

A.H.: Vullnetarizmi juaj konsiston vetëm në fushën e mjedisit apo edhe në fusha tjera?

M.B: Vullnetarizmi im përqëndrohet edhe në fushën e ruajtjes së shëndetit. Përveç kësaj, jemi munduar të zhvillojmë edhe aktivitete të tjera për të shënuar muajin e kancerit të gjirit duke mbajtur sesion informues. Sidoqoftë pjesa më e madhe e aktiviteteve tona, gjatë kohës së pandemisë është përqendruar në shpërndarjen e pakove ushqimore për njerëzit në nevojë.

A.H.: Si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

M.B: Kohën mundohem ta organizoj së pari duke filluar ditën shumë heret dhe duke plotësuar së pari obligimet primare – familjare. Pjesa tjetër e kohës është e mjaftueshme për të qenë afër komunitetit me aktivitete të ndryshme. Shpeshherë ia rikujtoj vetes thënien “nëse dëshiron të arrish diçka, mjafton ta duash me gjithë shpirt dhe padyshim që do gjesh shpërblimin e Zotit dhe kënaqësinë e papërshkrueshme që ndien duke kontribuar”.

A.H.: Në fund çfarë mesazhi keni për lexuesit e revistës Familja?

M.B: Mesazhi im për lexuesit e revistës “Familja” është që të vazhdojnë të informohen nga kjo revistë dhe ta përhapin mesazhin e saj edhe te familjarët dhe të njohurit e tyre. Ndërsa mesazhi im për revistën “Familja” është që të vazhdoni të përcillni mesazhin brenda familjes dhe shoqërisë, sepse familja është ajo që edukon brezat e ardhshëm të shëndoshë. Ju falenderoj shumë dhe ju uroj punë të mbarë dhe të bereqetshme. Respekt dhe suksese për ju!

  • Revista “Familja”, shkurt 2021