Intervistë me poeten Marjeta Çurumi

1468

Intervistoi: Armida Plumbi

Në simbiozë me krijimtarinë letrare dhe besimin

  • Intervistë ekskluzive me poetet Marjeta Çurumi, Dorina Behari, Besarta Shatri, Arbëria Abdushi

Në këtë numër special të revistës “Familja” i jemi dedikuar krijimtarisë letrare dhe veçanërisht poezisë. Do të njihemi me katër poete: Marjeta Çurumi nga Kavaja, Dorina Behari nga Fieri, e cila jeton aktualisht në Itali, Besarta Shatri nga Istogu i Kosovës dhe Arbëria Abdushi nga Dibra e Madhe e Maqedonisë. Ato do të na rrëfejnë jetën e tyre, pasionin për artin e të shkruarit dhe sfidat e të qenit muslimane në Shqipëri dhe trevat shqiptare.

Marjeta Çurumi

Marjeta Ҫurumi u lind në fshatin Luzi i Vogël të Kavajës, ku kreu shkollën tetëvjeçare dhe të mesme. Më pas ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Pas përfundimit me sukses të studimeve të larta dhe një periudhe katërvjeçare qëndrimi pa punë, si shkak i mbulesës, filloi punë si mësuese e lëndës Gjuhë Shqipe në një shkollë nëntëvjeçare në qytetin e Rrogozhinës, ku punon tashmë për 10 vite me rradhë. Në këtë kohë nxorri krye dhe pasioni i saj për letërsinë dhe shkrimin. Bashkë me rrethin letrar të shkollës, të cilën ajo si mësuese e bibliotekës drejtonte, botoi 2 numra të gazetës së shkollës me titull “Ndryshe” dhe revistën “Më lejo të flas!” Me të njëjtin titull me revistën, ajo gjen dhe frymëzimin për të botuar librin e saj të parë në vitin 2011. Në këtë kohë ideon dhe një emision në radion “Visare”, ku punon për një kohë të shkurtër si moderatore. Në vitin 2015 me ndihmën e shoqatës kulturore “Gruaja” boton librin e saj të dytë “Përtej realitetit gri”, ku ajo afirmohet si poete e mirëfilltë.

Aktiviteti i saj letrar, ndërkohë shtrihet edhe në rrjetet sociale, ku ajo ndan mendimet dhe ndjenjat e saj nëpërmjet faqes së saj si shkrimtare me emrin “Më lejo të flas!”

Thënia që e frymëzon: “Unë besoj se ne mund të jemi heronj të botës sonë nëse lutemi më shumë, mbjellim më shumë dashuri në zemrat tona, përpiqemi ta kuptojmë më shumë njëri-tjetrin.”

Çdo të thotë të qenit poete për Marjeta Çurumin?

Në fillimet e mia vargu ishte mënyra e “çlirimit” të dhimbjes sime, ndërsa tani është një klithje më shumë drejt së vërtetës dhe ndonjëherë edhe mënyrë për të dalë kundër vetes. Me pak fjalë të qenit poete, për mua është një peshë më shumë për shpirtin, një përgjegjësi më shumë për zemrën.

Kur keni filluar ta zbuloni këtë pasion të fshehtë?

Unë nuk kam një histori me poezinë. Nuk kam shkruar që e vogël dhe as nuk e kam patur ëndërr timen. Pasi mbarova shkollën e lartë dhe u bëra mësuese, merresha me redaktimin e poezive të nxënëseve të mia. Më ndodhte ndonjëherë që i redaktoja poezitë e tyre deri në atë pikë që nuk mund të quheshin më të tyret. Më pas, kur merresha me gazetën e shkollës apo me shpjegimin e mënyrës se si mund të shkruhet poezia, nuk e kuptoja se nga më turreshin vargjet. Në këtë moment fillova të kuptoj që kisha gjetur një “shteg” të ri për të ndarë mendimet dhe ndjenjat e mia.

 Çfarë ka ndikuar në formimin tuaj letrar? Po frymëzimin nga e merrni?

Sigurisht, mjaft i rëndësishëm në formimin tim ka qenë leximi i pandërprerë i librave të autorëve të ndryshëm si dhe dega ime e studimit. Ndërsa përsa i përket frymëzimit, në më të shumtën e rasteve më vinte nga realiteti rrethues. E përballur me një sërë sfidash, në rrugën time prej besimtareje intelektuale, por edhe duke qenë pjesë e një bote gjithnjë e më të trazuar vlerash, në shpirtin tim gërmëzoheshin gjurmë lëndimi, dhimbjeje, proteste që kërkonin një “shtrat” për t’u derdhur. Dhe ky shtrat ishte vargu.

Ka pasur raste kur frymëzimi më ka ardhur edhe nga një poezi e lexuar, një pikturë e shikuar nga syri i zemrës sime, por edhe nga një emocion i fortë.

Me pak fjalë kur lëndohem dhe rrallë kur jam e lumtur, unë derdhem te vargjet.

Sipas mendimit tuaj, si gërshetohet krijimtaria letrare me Islamin?

E si mundet një simbiozë e përkryer vlerash të veshura deri në fund të shpirtit me drithërima emocionesh të vërteta të mos gërshetohet në mënyrën më të mrekullueshme me ëndrrat, dëshirat, përjetimet dhe botën e një njeriu që flet me gjuhën e penës?!

Cilat janë sfidat e të qenit muslimane në Shqipëri?

Ashtu si çdo gjë e vërtetë dhe e veçantë, ashtu edhe të qenit muslimane në një botë, ku jo shumëkush e pranon të vërtetën dhe aq më pak ndryshimin, përballet me sfida të shumta.

Përveç sfidës së arsimit, punësimit, pranimit në shoqëri pa komplekse, dua të përmend në mënyrë të veçantë sfidën e një poeteje muslimane. Që në momentin që fillon e shkruan, të gjithë të pyesin me habi: Përse, ju lejohet ju të shkruani? Pa le më, nëse shkruan për temën e dashurisë. S’do të mërzitesha aspak nëse kjo do të ishte thjesht një reagim ndaj një realiteti të panjohur për ta, por kur kalojnë në pyetjen e dytë: “Pse, edhe ju dashuroni?!, më vjen të qesh edhe të qaj njëkohësisht.” Mos keni marrë vesh se ne kemi mbuluar ndjenjat, bashkë me trupin?”- më vjen t’u them.

Dhe nëse do flitej për biseda letrare, takim me autorin apo shitje librash, nuk do të ishte habi nëse do dëgjoje: Sigurisht, medresetë janë vend i shkëlqyer për të tillë libra.

Po ne jetojmë me ju! Shpresat tona ngjiten në të njëjtin qiell, ëndrrat tona shkelin në të njëjtën tokë, nevojat tona trokasin në të njëjtat dyer. Përse duhet të arsimohemi, punësohemi, të shpalosim vetet tona vetëm aty, ku mburoja juaj e paragjykimit na e vendos kufirin?!

Mesazhi juaj për rininë shqiptare?

Mesazhi im është i njëjtë me atë për të cilin shkruaj tërë kohën: Besoni Zotin, dhuroni dashuri, ndërtoni paqen, mbroni njeriun, duke mbrojtur vlerat!

 libra1pertej-realitetit-gri-cover-i-perzgjedhur

Unë do ta gjej

 

Unë do ta gjej atë…

Njeriun e shiut.

Njeriun që kërcen pa çadër.

Atë të çmendurin

në këtë botë paganësh.

Atë që vizatoi me gisht

në xhamin e makinës së kohës.

Një shpirt që lutej dhe shihte përtej reve

dritën e pashfaqur të qiejve.

Do ta gjej unë një ditë

njeriun e mallit

që ecën me hapa të ngadaltë dhe kurriz të thyer

rrugicave me tenda të thyera dhe flamuj të grisur.

Brenda vazos së një kohe

të plakur, të braktisur.

Nga ëndrrat dhe shpresat

e një mëngjesi të ri.

Unë do ta gjej

dhe kur ta gjej

do t’i thërras me shpirt: Të dua, o njeri! (Marjeta Çurumi)

 

 Revista “Familja”, tetor 2016