Intervistë me regjizorin Armando Bora

77

“Të njohësh Zotin është arti i parë…!”

Intervistë me regjizorin Armando Bora “…emocionet që vijnë prej besimit janë emocione të cilat mbarojnë bashkë me njëriun.

Është autor i shumë veprave dhe produksioneve në teatër, opera, kinema dhe televizion, por për të janë pak. Në dukje, natyrë e qetë, në punë tepër kërkues, fjalëpak por punëshumë. Kështu e përshkruajnë Armandon kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt. Me një punë titanike ai është bërë pjesë e historisë së skenës dhe kinematografisë shqiptare. E shikon gjithnjë buzagaz edhe kur punët nuk i shkojnë mirë. Nga shfaqjet apo programet e shumta që mbajnë “firmën” e tij nuk arrin të ndajë asnjërën por thekson se e konsideron veten me fat që ka punuar me artistë të famshëm vendas e të huaj. Mbushur me emocion, ai rrëfen natyrshëm për jetën dhe karrierën e tij profesionale, ku ka sa momente të bukura po aq dhe të vështira. Por nuk harron të përmendë lidhjen e ngushtë me besimin, të vërtetën absolute, që i ka ndryshuar jetën për mirë duke i dhënë përgjigje për shumëçka. Në gjykimin e tij, të qenët mirënjohës ndaj Zotit të bën të jesh i kënaqur me fatin dhe të mirat që të janë falur, për të, të njohësh Zotin është arti i parë.

armand-bora-1Çfarë  është për ju familja?

– Po shfrytëzoj që është pyetja e parë dhe po i jap më shumë kohë kësaj përgjigjeje. Në emisionin që unë drejtoj në radio televizionin ora news, në fund të intervistës të ftuarëve të mi në studio, ju drejtoj 10 pyetje, e njera prej të cilave është kjo që sapo ju më bëtë. Cfarë është familja? Pjesa më e madhe e të ftuarëve kanë dhënë përgjigjen në dukje të zakonshme “e shenjtë”. Edhe pse është bërë një përgjigje rutinore, këtu ka një të vërtetë të madhe. Familja në një kuptim më të gjërë të saj është në themel të ekzistencës dhe të riprodhimit. Cdo gjë, si qënia njerëzore ashtu edhe e gjithë bota organike zhvillohen dhe shumohen prej marrëdhënies që krijojnë dy qënie të ndryshme. Zoti nuk do ta kishte të vështirë që të mundësonte shtimin përmes vetë riprodhimit e keshtu nuk do kishim nëvojë për një të ndryshëm, nuk do të kishte nevojë Ademi për Havanë e keshtu me rradhë.  Ky atribut  e bën familjen të shenjtë në kuptimin e saj të përgjithshëm, pastaj në kuptimin personal, për mua familja eshte një nga mirësitë me të cilën unë ndjehem i begatuar.

Shumë artistë nuk janë në besim, si ka ndodhur që keni pranuar Islamin?

– nuk e di nëse janë shumë apo pak artistët që besojnë apo jo, por një fakt është i vërtetë: Ju ka ndodhur të dëgjoni ndonjërin prej tyre, teksa merr ndonjë cmim apo trofe, të falenderoj Zotin për suksesin e tij?!  Falenderojnë gjithçka dhe këdo dhe harrojnë Atë kryesorin, nga i cili rrjedhin të gjitha mirësitë. Për sa i përket lidhjes time me islamin, kjo ka ardhur sa prej prindërve të mi, ashtu edhe prej leximeve të vazhdueshme.

Duke qënë se ju jeni artist, ju ka penguar besimi në punën tuaj?

– Përkundrazi, më ka bërë që ti përjetoj me qetësi si sukseset ashtu dhe momentet e vështira.

Karriera juaj është e gjatë , je vlerësuar në skenë, po ashtu në teatër, opera dhe televizion, ke marrë emocione dhe je duartrokitur shumë . A ka dallim midis një emocioni në skenë dhe atyre që të japin ritet fetare?

Janë tërësisht të ndryshme. Emocionet e skenës janë të përkohshme dhe të sipërfaqshme që mbarojnë në momentin që ti ia arrin suksesit, ndërsa emocionet që vijnë prej besimit janë emocione të cilat mbarojnë bashkë me njëriun.

DSCF0322Ju keni një familje relativisht të madhe, cili është roli i bashkëshortes në një familje të madhe?

Nuk mendoj që roli i bashkëshortes varet nga madhësia e familjes. Në një familje të madhe është e vërtetë që vështirësia është më e madhe por roli është i njejtë, kryesisht tek fëmijët në çështjen e edukimit dhe përkujdesjes, por edhe ndaj pjestarëve të tjerë të familjes, duke shërbyer kështu si një nyje tek e cila zgjidhen problemet në familje.

Cili është libri që ka ndikuar me shumë në jetën dhe punën tënde?

Kurani.

Si reagojnë miqtë tuaj artistë ndaj faktit që ju jeni praktikant i fesë islame?

Nuk kam hasur ndonje reagim le të themi të çuditshëm apo kundërshtues, përkundrazi disa nga miqtë e mi artistë kanë treguar interes ndaj islamit.

Ju keni drejtuar një emision gjatë muajit të Ramazanit “Me syrin e zemrës”. Si u bëtë pjesë e këtij emisioni?

Ky është një emision që realizohet nga komuniteti musliman shqiptar. Në dy edicionet e kaluara kam qënë i ftuar në studio, për të folur mbi eksperiencat personale dhe raportet e mia me fenë. Në edicionin e trete mu ofrua mundësia për ta drejtuar këtë emision. Falë edhe gadishmërisë së pronarit të televizionit ora neës Z. Ylli Ndroqi, i cili na ofroi mundësinë për të realizuar këtë emision në një nga studiot e mëdha të televizionit, u mundësua realizimi i një formati të ri televiziv. Emisioni pati një strukturë të qartë televizive ku të ftuarit, pjesa më e madhe e tyre hoxhallarë dhe persona të shkolluar në universitetet fetare folën dhe diskutuan kryesisht mbi shtyllat dhe  kushtet e Islamit.

Cili mendoni se është problemi kryesor nga e cila vuan familja e sotme shqiptare?

Kriza e besimit.

armand-bora-2Si mund të ndikojë media elektronike në përhapjen dhe forcimin e besimit?

Duke sjellë si modele për teleshikuesit vlerat më të mira të familjes dhe të shoqërisë shqiptare si edhe duke promovuar  idenë se vetëm përmes besimit në Zot, mund të vijë zgjidhja e të gjitha problemeve.

Cilat janë projektet e tua të ardhshme?

Duket se edhe për disa kohe të tjera do të vazhdojë të qëndroj larg projekteve teatrore sepse televizioni vazhdon të më japë jo vetëm kënaqësi dhe emocione të bukura, por edhe mundësi për t’u bashkuar me atë pjesë të shoqërisë, e cila përpiqet të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të shumta të shoqërisë shqiptare. Projekti me të cilin jam duke punuar dhe që shpresoj ta filloj shumë shpejt, ka të bëjë pikërisht me paraqitjen në ekranet e televizionit të mendimit dhe zgjidhjeve që ofron feja dhe besimi mbi problemet e shumta të shoqërisë së sotme.