Ndryshimi i të folurit me miqtë dhe të folurit në publik

131

Nga Fjona Çela

Ekzistojnë mënyra të ndryshme, përmes të cilave njerëzit, në mbarë botën, komunikojnë dhe dallojnë nga njëri – tjetri. Çdo individ ka prirje të zgjedhë mënyrën, që e vlerëson më të mirë, për të përcjellë një mesazh të caktuar te njerëzit e tjerë. Janë të njohura lloje të ndryshme komunikimi, ndër të cilët më të rëndësishëm renditen e quhen: komunikimi ose e folura në publik dhe e folura ndërmjet miqësh. Por, cilët janë elementët kryesorë, që bëjnë dallimin ndërmjet të folurit mes miqësh dhe të folurit në publik? Njihen disa faktorë thelbësorë, që bëjnë diferencën ndërmjet të folurit në publik dhe të folurit ndërmjet miqësh. Ndër ta, kryesisht përmenden: formulimi i mesazhit, mënyra e interpretimit të tij, niveli i strukturimit, formalizmi i gjuhës së përdorur, komunikimi gojor e jo gojor etj. 

Të folurit publik do të thotë të bësh të njohura për të tjerët idetë, t’i ndash ato me ata dhe të arrish t’i ndikosh njerëzit nëpërmjet tyre. Sigurisht, këtë nuk mund ta bëjë çdokush pasi kërkohen aftësi të veçanta. Aftësitë komunikuese përsosen në vazhdimësi gjatë tërë jetës së një individi. Kjo mund të arrihet nëpërmjet leximeve, trajnimeve të ndryshme, arsimimit përkatës, imitimit të të tjerëve. Por arrihet, gjithashtu, edhe duke mësuar nga gabimet e mëparshme e duke u përpjekur që t’i përmirësosh ato.
Fillimisht, është thelbësor zotërimi i emocioneve dhe mbajtja nën kontroll e ankthit, pasigurisë ose stresit. Stresi është veçori e të folurit në publik. Sipas studimeve të kryera në SHBA, afërsisht, 43% e amerikanëve e vendosin frikën, që përjetojnë gjatë të folurit në publik, si një ndër ato më të mëdhatë që përjetojnë gjatë tërë jetës së tyre. Gjithashtu, është vërtetuar se rreth 75% e folësve publikë përjetojnë ndjenja frike ose ankthi, përpara se të gjenden përballë publikut, edhe pse mund të kenë pasur përvoja të mëparshme. Nëse këto shifra do të krahasohen me stesin, që përjetojnë individët gjatë zhvillimit të një bisede të zakonshme me miqtë, pa dyshim, që do të ishin shumë më të ulëta. Kjo vjen për faktin se ndërmjet miqësh nuk ka komplekse, vështirësi ose ndjenja pasigurie, në të shprehurit e një mendimi të caktuar. Në grupet shoqërore vihet re një prirje e individëve pjesëmarrës, për t’u shprehur më lirshëm ndërmjet njëri- tjetrit.
Një tjetër faktor i rëndësishëm, nëpërmjët së cilit arrihet një dallim i dukshëm ndërrmjet të folurit në publik dhe bisedës mes miqësh, është strukturimi i bisedës dhe informacionit, që përcillet, duke u bazuar në një qëllim kryesor. E folura publike kërkon një planifikim të veçantë, në krahasim me një bisedë të zakonshme. Një folës publik duhet të jetë i përgatitur përballë çdo situate, në mënyrë që t’u paraprijë pyetjeve, interesave ose paqartësive, që mund të kenë dëgjuesit. Gjithashtu, duhet zotëruar aftësia për të përcjellë një ide të caktuar te publiku, duke patur parasysh përshtatjen me të. “Një ide është çdo gjë, që mund të ndryshojë perceptimin, që njerëzit kanë për botën. Nëse jeni në gjendje të mbillni idenë tuaj në mendjet e të tjerëve, keni bërë dicka të mrekullueshmë, u keni bërë një dhuratë me vlerë të pallogaritshme”. (Anderson, 2016, fq 31).
Për më tepër, duhet patur kujdes të veçantë për të shmangur humbjen e vëmendjes. Përkundrazi, në bisedat joformale kjo nuk mbart ndonjë rëndësi të madhe. Në një grup miqësor mund të gjendet zgjidhja, duke u shmangur nga qëllimi i bisedës, të ndryshohet tema nëse nuk është tërheqëse ose pa interes për anëtarët e tjerë, të shtyhet biseda për më vonë etj.
Një tjetër faktor me rëndësi, për ta trajtuar është formalizmi i gjuhës së përdorur. Të folurit në publik kërkon përdorimin e një gjuhe më formale, në krahasim me një bisedë të zakonshme ndërmjet miqësh. Gjatë të folurit në publik duhet ruajtuar një etikë e caktuar, në mënyrën sesi komunikohet me dëgjuesit. Nuk quhen aspak të hijshme përdorimet e pasthirrmave, zhargoneve, gramatikës jo të përshtatshme, fjalëve të shkurtuara ose shprehjeve tipike të përditshme e të përsëritura, si psh: “a kupton”, “po jo, moj jo”, “seriozisht e ke ti”, “e ke parasysh” etj. Shprehjet e sapopërmendura quhen mëse normale, në një bisedë miqësore, pasi nuk shihet shumë e nevojshme të flitet formalisht ndërmjet miqësh.
Së fundmi, në të folurit publik është e domosdoshme të përdorën metoda të ndryshme realizimi. Kjo lidhet ngushtësisht me përgatitjen dhe aftësitë e folësit, me gjuhën joverbale me impaktin e pare që i krijohet publikut. “Nëse kontakti i parë lë mbresa të mira, do të jeni i pëlqyeshëm për dëgjuesit dhe kjo do ta lehtësojë zhvillimin e mëtejshëm të të folurit publik. Në të kundërt, një kontakt i parë i pakëndshëm, një pamje e ngrysur ose një paraqitje jo e denjë, do të shkaktojnë përshtypje negative, të cilat, rrjedhimisht, janë mjaft të vështira për t’u ndryshuar në vijim. Fytyra është e para gjë, që shihet dhe një buzëqeshje e bën atë të qetë, duke lejuar të krijohet një marrëdhënie e menjëhershme simpatie me publikun”. (Parodi, 2006, fq.13).
Folësit publikë priren të qëndrojnë drejt, përpiqen të shmangin pauzat zanore e ta përshtatin zërin, të zhvillojnë aftësitë e tyre oratorike dhe gjuhën e trupit, me hollësi. Duhet patur kujdes që paraqitja të mos vlerësohet si më e rëndësishmja, por të realizohet një ndërthurje e saj, së bashku me mesazhin që do të përcillet. Folësi publik duhet të jetë i përfshirë në atë që thotë, jo vetëm me gjuhën e trupit, por edhe të fjalëve. E kundërta ndodh në një bisedë joformale miqësore. Individët nuk i kushtojnë rëndësi thelbësore paraqitjes ose veshjes së tyre. Ata priren të sillen në atë mënyrë që i bën të ndihen më komodë me të tjerët që i rrethojnë.

Dallimet ndërmjet të folurit në publik dhe një bisedë me miqtë, janë mjaft të dukshme edhe nga persona, të cilët nuk janë të zotët në fushën përkatëse. Kjo vërtetohet me faktin konkret, se në përditshmëri çdo individ është i gatshëm të zhvillojë një bisedë të zakonshme në një grup miqësor. Po, kur bëhet fjalë për t’iu drejtuar një publiku të caktuar, janë të pakët personat që zotërojnë aftësitë e zotësitë e duhura për të qenë të sukssesshëm. Sidoqoftë, individët që zotërojnë aftësi të mira komunikuese në grupet shoqërore, kanë më tepër mundësira për t’i zhvilluar këto aftësi edhe në publik.

Revista “Familja”, qershor 2017