Të rritësh fëmijët në një botë plot sfida

164

Nga Orjola Sula
Fëmijët kanë një gjuhë universale. Pafajësia e tyre dhe imagjinata e shfrenuar, i bën ta pranojnë njëri-tjetrin pa kushte. Nuk ka rëndësi se në cilin shtet jetojnë, në cilën lagje apo cilës familje i përkasin. Fëmijët duan vetëm të luajnë e të argëtohen së bashku. Ata kuptohen mjaft mirë me njëri-tjetrin përmes lojës. Të gjithë mbajnë mend si momentet më të bukura nga fëmijëria e tyre lojërat para sheshit të pallatit apo ato pak lodra që i ndanim pa drojë mes njëri-tjetrit. Po gjunjët e vrarë, rrobat gjithë pluhur apo duart e gjakosura a ishin vallë shenjë e një fëmijërie të lumtur?!
Ata që i përkasin dekadave para viteve 90 do të pranonin me bindje se atëherë fëmijët ishin më të lumtur. Në një farë mënyre kjo është e vërtetë. Rolin e topit për djemtë dhe kukullave për vajzat e luanin disa rrecka të vjetra. Kushedi sesa herë vriteshim duke mësuar biçikletën. Luanim kukafshehti apo topazhytësi. Këpucët e lojës i kishim të grisura e bëheshim gjithë baltë por përsëri ishim të lumtur. Gjyshërit tanë dikur thonin se fëmija po nuk u rrëzua nuk rritet. Ky mentalitet sot ka ndryshuar ndjeshëm. Për fat të keq fëmijët po vuajnë pasojat e një zhvillimi global të vrullshëm që pa mëshirë po vret çdo ndjenjë pafajësie tek fëmijët.
Zhvillimi i teknologjisë për fat të keq po i bën fëmijët tepër pasivë. Vendin e lojërave në rrugë apo në parqe e kanë zënë lojërat virtuale. Nuk është aspak çudi që edhe fëmijët nën 18 vjeç të kenë madje edhe një adresë me profilin e tyre në rrjetet sociale. Është vërtet për të ardhur keq pasi janë vetë prindërit “e rinj” ata që po e degradojnë domethënien e vërtetë të fëmijërisë, periudhës më të bukur të jetës. Them periudha më e bukur pasi me rritjen vijnë edhe vështirësitë me të cilat të përball jeta. Sa je i vogël janë prindërit ata që përgjigjen për mirëqënien tënde duke mos dashur të të njohin me realitetin e hidhur, por më pas kupton se jo çdo gjë është fushë me lule. Ndërsa sot fëmijët tanë po rriten para kohe, duke qenë se janë më të ekspozuar ndaj shumë veseve të shoqërisë “moderne”, ndaj dhunës, alkoolit, drogës apo skenave erotike. Kjo i ka bërë ata të mendojnë dhe veprojnë ndryshe. Fëmijët nuk i sheh më të luajnë para pallatit ose në oborrin e shtëpisë pasi janë të zënë duke komunikuar online me njëri-tjetrin. Habia qëndron në faktin se janë pikërisht këta fëmijë që nuk i flasin me gojë njëri-tjetrit kur rastësisht shihen të kalojnë përballë në rrugë apo poshtë pallatit. Ku po shkojmë kështu? A po humbin vallë vlerat e shoqërisë dhe miqësisë së vërtetë?

182886c667c4fe2093b04af713fc8a71
Psikologët shprehin shqetësimin se mungesa e komunkimit me njëri-tjetrin po i çon shumë fëmijë drejt mbylljes në vetvete, duke rritur edhe riskun e rritjes së numrit të vetëvrasjeve. Ndërsa prindërit janë të alarmuar për një tjetër fenomen të njohur në mbarë botën si bulizmi. Janë të shumtë fëmijët që ngacmohen fizikisht apo mendërisht nga bashkëmoshatarët e tyre që kanë si qëllim t’i poshtërojnë para të tjerëve. Ky fenomen është përhapur ndjeshëm edhe në Shqipëri pikërisht si pasojë e rrjeteve sociale apo internetit ku fëmijët dhe adoleshentët mundohen të kopjojnë njëri-tjetrin, duke lënduar bashkëmoshatarëtt që duken më të dobët para tyre. Por në fakt, janë pikërisht këta fëmijë që kanë një botë shpirtërore më të madhe, që dinë të luajnë apo të lexojnë duke mos i kushtuar shumë rëndësi internetit. E meqë ra fjala tek leximi, kjo është një tjetër arsye se përse fëmijët e sotëm nuk kanë fantazi dhe dëshirë për të luajtur. Sipas studiuesve ka rënë shumë ndjeshëm numri i lexuesve sidomos i librave për fëmijë. Duke qenë se çdo gjë e gjejnë të gatshme, fëmijët nuk e lodhin veten t’i shtrohen leximit të paktën 2 orë në ditë. Por fajtorë për këtë janë edhe vetë prindërit. Duke qenë se janë shumë të ngarkuar me punët e tyre të përditshme, prindërit kanë gjetur si rrugën më të shkurtër për të qetësuar fëmijët dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, blerjen e tabletave apo celularëve me internet duke mos ushtruar në të shumtën e rasteve kurrfarë kontrolli ndaj tyre. Ata madje nuk preferojnë as të kalojnë disa momente argëtuese me fëmijët apo t’u përcaktojnë atyre orare të kufizura të qëndrimit para kompjuterit.
E pra, ndërgjegjësimi duhet të fillojë tek vetë prindërit pasi janë ata që kanë në dorë miredukimin e fëmijëve. Pavarësisht përpjekjeve të pushtetit vendor për shtimin e parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave të gjelbërta për të luajtur fëmijët, janë prindërit ata që nuk e gjejnë kohën për të qëndruar më shumë me fëmijët e tyre. Nuk mjaftojnë vetëm ditët e festave apo 1 Qershori për të shprehur dashurinë ndaj fëmijëve tanë. Por çdo ditë e jetës sonë duhet t’i dedikohet atyre pasi fëmijët janë pasqyrë e familjes dhe e ardhmja e vendit. Fëmijë të edukuar mirë rritin vlerat e shoqërisë.
Jo gjithnjë duhet të presim nga shteti apo instancat përkatëse pasi është familja bërthama në të cilën rritet dhe edukohen fëmijët.

Qershor 2017