Nga ‘A’rsimi deri tek ‘Zh’villimi

164

E gjithë shoqëria ngrihet në një rang më të lartë nëpërmjet arsimimit. Arsimimi, djepi i diturisë e kulturës, rritet vazhdimisht në shumë vende të botës, të cilët kanë hapur mundësi për kërkime e për përmirësime. A ndodh kështu në Shqipëri? Si janë tekstet shkollore? Kush i shkruan këto tekste? Më themelorja, a lexohen e mirëkuptohen këto tekste nga shumica e nxënësve? A shkojnë në shkollë këta nxënës, a ka për ta leverdi një dije më tepër? Përse bëhet shkolla, për të nxënë një vend pune

me anë të diplomës?! Si mund të zihet një vend pune nëse nuk marrin njohuritë bazë, pikërisht nëpërmjet shkollës? Përse këmbëngul një prind për t’i dhënë një diplomë e jo një zanat një fëmije që nuk ka dhunti për t’u arsimuar në shkollën e lartë?

Sot jemi në kohë të reja. E quajmë demokratike e të modernizuar këtë kohë. Ngado kthen kokën shikon ngjyra, drita e bukuri, por nga brenda, kur hyn thellë e thellë në shoqërinë tone, vëren një kalbëzim të pashpresë. Vërehen njerëz të pamotivuar, vëren një popullsi që frymëzohet nga mediat e nga reality show-t. Për këtë duhet edhe një herë arsimimi. Jo vetëm të çel sytë e mendjen, jo vetëm shikojmë mirë gjëra që i kemi pasur përherë para syve, por dimë edhe të vlerësojmë çfarë është e duhur për ne.

Çfarë kërkojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë? Përse të zgjedhim shkolla e univeristete të huaja, ndërkohë që me anë të një zhvillimi konkret e të vlefshëm në vendin tonë mund të arrijmë formim të standarteve të kënaqshme. Jemi ndër shtetet e pakta me një prirje të çuditshëm ndaj gjuhëve të huaja, popullsi e cila di kaq shumë gjuhë, kështu që një realitet na thotë se kemi mundësi të mira për më tepër, por kuptohet që duhet vullnet e punë nga të gjithë. Ky zhvillim konkret e i vlefshëm sigurisht që vjen nga një arsimim efikas e i mirëpërpunuar kurrikulativisht nga arsimtarë përgjegjës e të aftë, në mënyrë që çdo gjë e nxënë të përbëjë një fushë eksplorimi dijesh të vlefshme për të ardhmen e një formimi që premton.

Sikur të gjithë shkallët e hierakisë së një arsimimi efikas të ecnin në bazë rregullash striktë shkencorë edukativo-socialë do kalonim pa shumë mundime nga A-ja tek Zh-ja, pra nga arsimi tek zhvillimi i mendjes njerëzore e rrjedhimisht i mbarëvajtjes së mbarë shoqërisë.

A nuk përbën vërtet alfën e mbarëvajtjes, përparimit, progresit arsimi, dija, të nxënët dhe a nuk përbën omegën – zhvillimi intelektual njerëzor e sikur të mos ishte kështu nuk do zbriste mundësisht fjala e parë hyjnore, ajeti, argumenti i parë në Kuran pikërisht: “Lexo me emrin e Zotin tënd, i cili krijoi…” (Alak, 1). Dhe shumë shpejt pas këtij ajeti: “Dije se nuk ka Zot tjetër veç Zotit Një, Furnizuesit, Mëshiruesit…”.

Pra urdhëresat e para që vijnë, jo nga mendjet njerëzore që dihet botërisht e njihen për nga gabimet, harresat, mosdijet, por vijnë nga Ai që nuk gabon kurrë, nga Krijuesi i qiejve e i Tokës. E duke qenë të tilla janë bërë fanarë ndriçues të mbarë botës që beson, botës që ka udherrëfyes Fjalën e shenjtë, por jo vetëm këta. Të shumtë janë njerëzit, që mbështetur tek këto argumente i kanë dhënë fuqinë e duhur përpjekjes së tyre për t’i përvetësuar e vënë në praktikë këto urdhëresa të arta, të cilat faktojnë gjithnjë e më shumë se feja. Kurani shkon në sinkron, madje shumë herë pararendëse vihet fjala e shenjtë me zhvillimet e shoqërisë, me zhvillimet e teknologjisë së lartë, teknologjisë informacionit etj.

Edhe pse e thënë shumë dhe proklamuar, se si mund të rroket fakti se feja dhe shkenca po ecin në të njëjtin kah, pasi shkenca po evoluan dita-ditës, ndërkohë që feja është zbritur një herë e mirë, pra përgjithmonë definitivisht, shkencëtarë e filozofë i janë përgjigjur se ajo çfarë gjendet në libër është pikënisja jonë e nuk ka si të jetë ndryshe. Kështu më tepër se kurrë e më shumë se çdokush tjetër, një mendje udhëzuar me dritë, ndriçim besimi, është fokusuar drejt asaj që është e mirë, e dobishme, drejt asaj dije që nuk e lë asnjëherë vetëm. E shoqëron në çdo anë e kënd pasigurie, paditurie, ngushtice dhe anarkie për ta udhëzuar si një guider ideal drejt përsosjes së kulturës, etikës, moralit, arsyes e mendjes. Por ajo që nuk duhet të na hutojë është fakti se dija është vërtet e dobishme, nëse është në shërbim të njeriut e jo njeriu gjithmonë në shërbim të saj, për të mos u kthyer në atë “krijesën e gjallë” që Zoti e përmend në Kuran, i cili ngarkohet e mban libra në kurriz, por që vetë nuk e di se çfarë janë.

Dituria patjetër duhet të jetë në shërbim të njeriut. Po qe se ajo nuk është në shërbim të njeriut, por të tekave dhe dëshirave vetjake të tij, atëherë ajo dije është e destinuar që ta errësojë rrugën e ndriçuar, për kudo që mund të jetë nisur njeriu nga një dëshirë e tij në këtë botë, qoftë edhe deri për në xhenet. Ne nuk mund të kuptojmë asnjë fenomen që ndodh në rruzullin tokësor, duke përfshirë natyrën, qiejt e tokën pa dije. Dhe nëse nuk do të shfrytëzonim dijen ose diturinë ne nuk do të ishim në gjendje që të përfitojmë prej favoreve të panumërta që na dha Allahu i Madhërishëm në tokë. Ndaj duke përfituar nga kjo dije e dobishme, kjo dije që së pari na njeh me Krijuesin e atributet e Tij, plotësuar kjo dije me shkencë, kulturë, art, histori e çdo disiplinë tjetër, do jemi prej atyre që kanë se çfarë mbartin në rrugën e gjatë të vështirësive jetësore. Këta kanë edhe çfarë ju lënë trashëgim pasardhësve të tyre e që nuk është as lira, dërhemi, dollari apo euro, por në biblioteka të pasura në investime, por dhe jo vetëm fizike, por edhe të padukshme në fakt. Këto mangësi duken tërthorazi tek ata që nuk e posedojën një investim të tillë, siç do mund të ishte morali i mirë, edukata, mirësjellja, etika që një i ditur mund t’u lerë trashëgimtarëve të tij, nxënësve të tij, vartësve apo çdokujt tjetër me të cilin e lidh vetë fati jetik në një botë të tërë shkëmbimesh e negocimesh pafund.

Kudo ku ecim e shkelim, flasim e dëgjojmë, kemi të bëjmë me marrëveshje; marrim e japim, përfitojmë e investojmë tek të tjerët, bëjmë lëshime dhe na bëhen oferta e na dhurohen mirësi, japim dhe ndodh që shpesh nuk japim aq sa duhet. Duke lënë të kuptohet në botë të botëve që vetëm Zoti është Ai që jep pa fund e nuk pret asgjë prej nesh. Ndaj edhe qëndrojmë ne ata që duke pasur këtë furnizim duhet të jemi të parët në arsimim, në zhvillim, për ta parë gjithë trajketoren nga A-ja tek Zh-ja, nga arsimi tek zhvillimi i shoqërisë sonë, si trampolinë nga ku mund të hidhemi në shpëtim e jo në humbje.

Kur lexojmë Kuranin shikojmë me qindra herë të përdorur fjalën: “dije”, “libra” etj., të ardhur në terma të gjuhës arabe, – si “ilmi”, “kitabe” etj. dhe patjetër që frekuenca të tilla të përdorimit tregojnë dhe theksojnë rëndësinë që islami i jep dijes, informimit dhe formimit intelektual, si pararojë kundër injorancës, neglizhencës, shkujdesjes e çdo vesi tjetër që i kanoset inteleigjencës njerëzore, ves që ul dhe dekadon njerëzit e rrjedhimisht çakordon ritmet e zhvillimit njerëzor.

……… pak historik………

Nga shkolla e parë shqipe në vitin 1887 e deri më sot kanë kaluar plot 124 vjet. Por gjatë këtyre viteve arsimi në vendin tonë ka pësuar ndryshime dhe gjatë viteve ka njohur zhvillim, si cilësor, ashtu edhe shifror. Aktualisht në të gjithë territorin shqiptar shtrihen rreth 2137 shkolla të ndara në cikle përkatëse publike e jopublike. Por numrin më të madh e shënojnë shkollat e ciklit 9-vjeçar. Arsimi shqiptar fillesat e tij i daton që në shekullin XVII. Mësonjëtorja e parë shqipe u hap në Korçë në 7 mars 1887. Shkolla e parë, ku përgatiteshin mësues, pra shkolla e mesme pedagogjike, u hap Normalja e Elbasanit në vitin 1909. Deri në vitin 1939 në të gjithë vendin numëroheshin 643 shkolla fillore dhe frekuentoheshin vetëm nga 1/4 e fëmijëve.

Arsimi parauniversitar

Aktualisht numërohen mbi 1477 shkolla 9-vjeçare, ndërkohë që numri i atyre jopublike shënon plot 128, si dhe rreth 380 shkolla të mesme, të përgjithshme e profesionale publike dhe 121 shkolla të mesme jopublike. Aktualisht funksionojnë rreth 50 shkolla profesionale të dy niveleve, 3 dhe 5-vjeçar, të shpërndarë në gjithë vendin. Ato janë në profilet bujqësore, mekanike, elektrike, teknologjike ekonomike, për sektorët e pyjeve, veterinari e gjeologji-miniera etj.

Arsimi i Lartë

Arsimi i Lartë në Shqipëri e ka zanafillën në vitin 1946, me Institutin 2-vjeçar të Tiranës. Aktualisht në të gjithë vendin funksionojnë 11 universitete, 4 nga të cilët në Tiranë. Funksionojnë gjithashtu, Akademia e Arteve, Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” dhe Akademia e Policisë. Rëndësi e veçantë i është kushtuar programeve e kurrikulave të reja mësimore, duke kërkuar afrimin e universiteteve tona me institucionet analoge perëndimore.

Arsimi jopublik

Arsimi jopublik privat e ka zanafillën në vitin 1992, me hapjen e shkollave të para të këtij lloji – medresetë. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë 266 institucione arsimore jopublike, të tillë si shkolla 9-vjeçare e të mesme, universitete, që ekzistojnë në Shqipëri. Ndërkohë që është rritur edhe numri i kopshteve jopublike, që janë shumë të frekuentuara vitet e fundit. Edhe pse numri i shkollave publike e jopublike në të gjitha hallkat e nivelit arsimor është rritur ndjeshëm, përsëri vihet re se ka fëmijë që largohen nga shkolla. Sipas specialistëve, një nga shkaqet kryesore është niveli i ulët ekonomik, i lidhur ngushtë me shkaqet sociale, subjektive, si me cilësinë e shërbimit arsimor, që natyrisht përbëjnë një shkak tjetër. Analfabetizmi në zonat urbane 7%, ndërsa në zonat rurale 19%.

2137 shkolla publike e jopublike numërohen në të gjithë vendin. Numrin më të madhe e shënojnë padyshim shkollat 9-vjeçare, ndërkohë që edhe shkolla shënohen plot 380. 11 janë universitete private dhe 3 akademi. Është rritur edhe numri i universiteteve jopublike bnë vend.

380 shkolla të mesme publike janë në të gjithë vendin. Vetëm në kryeqytet numërohen 23 shkolla të mesme shtetërore. Realizimi i studimeve në këto shkolla bëhet sipas profileve përkatëse: të mesme të përgjithshme, të profilizuara, profesionale, sportive etj.