Kthimi te tradita, regres apo kthim në origjinë?

50

Popujt që lindin dhe shuhen, që ngrihen lart dhe lënë emër në historinë njrëzore, ata që rilindin e mëkëmben, por edhe ata të rrëzuarit për të mos u ngritur më, i kanë lënë historisë shenja që nuk fshihen as me një të rënë të lapsit e as me shekuj, sado të përmbyllen si shekuj të pavarur, të lirë e qytetërimi.

Kur shfleton dhe lexon mbi etimiologjinë e fjalës ‘traditë’, përkufizimi qendror i saj është: besimet, legjendat, zakonet, doket, informacione që kanë kaluar nga brezi në brez, sidomos nga gojëdhënat dhe praktikat.

Popujt janë ajo bashkësi e madhe njerëzore, bashkësi e cila as nuk mblidhet, e as zbritet asnjë mbledhor; dhe kjo pasi nuk është vetëm një bashkësi numerike, të cilën e studion vetëm në matematikë. Janë të tërë që i vlejnë membranës, e cila i mbështjell frymës që i lë mbi tokë, prej të cilës dhe dolën, prej të cilës u krijua boshti i gjenezës njerëzore. Janë të tillë popuj dalë nga tradita, vlera e të cilës nuk përmban numër, nuk përkthehet në përllogaritje, por është e tillë që në fund të fundit nuk e ndan dot me të tjerët, pasi secili prej popujve ka prej vlerave të veta.

Ndaj edhe pa folur shumë nga ajo çfarë në përgjthësi dimë, por edhe parë më tej, për të qenë shkencërisht e linguistikisht korrektë, të flasësh mbi traditën do të thotë të ligjërojmë shumë prej gjërave që i përligji koha e tranzicioneve sociale e stanjacioneve politike dhe e inflacioneve shpirtërore. Dhe për të mos harruar këto në vorbullën e të lartpërmendurave, rendja pas qytetërimeve të tjera, të atyre vendeve që kërkon t’u ngjash, tek të cilat kërkon të aderohesh, por që paradoksalisht as aty nuk aderon dot pa pasaportën që të dhuron një traditë e pasur. Një traditë të cilën shumëkush e quan regres, por që në të vërterë përbën të shkuarën tonë, e cila përveçse nuk është regres, përbën edhe trampolinën nga ku mund të hidhesh bindshëm në një të ardhme të ndritur e me vlera.

Në këtë drejtim, ajo traditë prej së cilës vijmë e rrjedhim, përfshin besimet, mënyrat se si i janë qasur të parët tanë, e shumë më shumë se sa të parët; vetes, natyrës dhe Zotit me gjithçka u udhëzuan me aq dije sa patën.

I tillë përkufizim të çon ndër mend se tradita, ajo ‘e jona’, e shkuara sikur na thotë se nuk ka një të ardhme të sigurtë pa një traditë të dobishme e vlerore. Janë legjendat, zakonet, doket. Po të rikthejmë kokën në retrospektivë, ajo që na ka rritur e na bën më të mëdhenj sot, është ajo e shkuara e jona plot rrëfenja, dashuri, siguri e vlerë që dikur përmes gojëdhënave të nënave të urta e zemërbardha u bënë shtylla të forta, mbi të cilat ngrihet një personalitet e karakter njerëzor.

Ata janë si fjalët e para, sikurse hapat e parë… Sado shpejt të rendim sot, sado lart të fluturojmë, a thua e përjetojmë gëzimin dhe magjinë e hapave të parë, e fjalëve të para?! Për të mos ecur më tej se pranë kujt i hedh këto fjalë, e pranë cilës i hedh ato hapa, para cilëve sy dhe para cilave duar mbështillesh i sigurtë. Edhe këta duar e sy përbëjnë një të shkuar krahasuar me minutat që flasim. Edhe kjo e shkuar përbën traditën tënde – timen dhe të çdo elektroni të kësaj shoqërie që kërkon të ndiehet më i lirë dhe i realizuar larg asaj që shkoi.

Në këtë vazhdë, kësaj rruge i kanë rënë shumë prej popujve, por ndalesa e tyre ka qenë e frikshme. Shoqëria sot, ku teknologjia thuhet se po eklipson gjithçka, ku sjell pranë nesh çdo gjë të largët e dikur të paarrirë, të pamundur e të përhumbur në paramendimet e imagjinatat tona, luan pa dyshim rolin e saj, por nuk sjell dot para syve tanë vlerën e atyre çfarë kemi pas krahëve, asaj traditës që na veçon ndër popuj, ndër fise e ndër soje njerëzish.

Por përse nuk e sjell dot me gjithë marshin madhështor që ka marrë teknologjia në shekullin e 21? Tradita është ajo që nuk e zbulojnë arritjet shkencore, as ato më gjenialet, pasi ajo është në ashtin njerëzor, është në shpirtin që nuk resht kurrë së transmetuari atë çfarë, në fakt, nuk mbahet brenda vetes, por që është deshtinuar t’iu transmetohet brezave.

Duke qenë kazus i tillë, që teknologjia dhe arritjet nuk e sjellin dot, është po aq e vërtetë që as nuk e shuajnë. E kjo për të vërtetën e madhe që ekzison mbi të, pasi ajo gjendet thellë aty e strukur në bagazhin konjitiv të çdokujt që ka mundur të përthithë e të gëzojë çdo gjë të dobishme nga tradita e tij familjare, fisnore të tij dikur, e më tej nga tradita e popullit të tij në përgjithësi.

Fillesat janë ato magjiket – gjeneza është ideali i paramendimeve tona. As që do e mendonim sikur çdo gjë para nesh e pas nesh të ishte e tillë, por ja që ajo ekziston dhe kur njihesh me të, mëson se ajo na ka brumosur dhe na ka bërë më solidë e stoikë, sepse është e tillë vetë. Kur lexon mbi një përkufizim tjetër të fjalës ‘traditë’një mënyrë e vendosur në kohë, e trashëguar e të menduarit, e të vepruarit; një model i vazhdueshëm i besimit apo praktikave kulturore, një metodë e zakonshme, por karakteristike dhe mënyrore.

Kur ndal tek ky përkufizim, has magjishëm fjalën ‘një mënyrë e vendosur mirë në kohë e të menduarit e besuarit’. Ky model i vazhdueshëm i besimit apo praktikave kulturore na bën që mos të na dallojë vetëm ‘e kuqja dhe e zeza’, as vetëm besa e urtësia e bjeshkëve, edhe pse “të namuna”, por kultura në besim, kultura e Kulturës. Ajo është e jona, e përbrendësuar në mënyrën më të çuditshme, e ngulitur në muret më solide të ndërgjegjjes sonë, e instaluar në instalacionet më reale të arkitekturës modern, të vetëm atij truri që gjeneron ide e kulturë, por që ia njeh këto traditës, asaj çfarë ka trashëguar. Shpeshherë ndodh që kur ke realizuar shumëçka dhe ndiehesh akoma i “pakurorëzuar”, kthehesh pas për të parë se mbetet akoma. Ajo që mbetet nuk është më para teje, por qëndron diku pas. Ndoshta shumë më pas, aq sa shpesh nëpërkëmbet nga brezat e rinj. Përpjekjet për t’i mbajtur gjallë dy kohërat, dy epokat: atë që lëmë pas dhe atë që na ka rritur, dhe ajo që jeton me ne, janë të shumta. Shumë kërkues, antrolopologë të ndryshëm, në studime sociologjike popujsh të ndryshëm, shprehen se pluhuri i harresës së traditës apo edhe spekticizmi për t’iu rikthyer asaj, ka bërë që shumë popuj të humbasin busullën e tyre për rimëkëmbjen e qytetërimeve.

Kjo është fjalë “e madhe”. Sa reale, por tronditëse. E në këtë sens kthimi tek ajo thuajse është emergjencë, dhe nuk do përbënte aspak regres, por përkundrazi përbën atë kthimin në origjinë mbi të cilën ne jemi ngritur dhe jemi këta që jemi sot. Origjina mbart hartën e perceptimeve tona mbi botën që shtrihet para nesh. Që në origjinë mund ta kemi perceptuar hapin e sotëm, e madje jemi habitur se si e ka paraparë ajo një gjë të tillë. Por rritemi duke na shtyrë e nxitur në avancë origjina jonë, pikënisja jonë – ky destinacion, të cilin duhet ta mbajmë mend mirë, e për më tepër duhet t’i rikthehemi, edhe pse si jo shumë pasagjerë të epokës sonë. E mbarë mrekullia e asaj çfarë gjenë kur kthehesh në një stacion të tillë është mirësi që vjen prej Zotit. Është Ai që ka dashur të na përgëzojë që në gjenezë me një origjinë të tillë, me një traditë që do të ndjekë e do përforcojë ecjen tënde, është rrugica prej dheu, janë gurët e parë që ke shkelur, që na drejtojnë të sigurtë autostradave pa fund që ngrihen para nesh.

Shumë prej shoqërive të sotme në rrokullisjen e shekujve të lirive politike, atyre universal, kërkojnë medoemos për të qenë pararojë e asaj çfarë do të ndodhë, e asaj që do të lindë, por rilindjen e diçkaje që mund të jetë shuar ndër ta nuk e kanë paramenduar asnjëherë. Ajo që iu është shuar në fakt është tradita – është historia e tyre, është vlera e asaj që i ka rritur. Është mundi i dikujt që kërkon një shpëblim, në mos me asgjë tjetër, me një duartroktitje më shumë kur vlerësohet për atë çfarë është. Kështu dhënia pas arritjeve të çastit, por qoftë edhe pas viteve  përpjekje i gjen të rinjtë e shoqërive të sotme neglizhentë dhe  mosbesues në traditën e lashtë, në fushën ku kanë luajtur e rrëzuar, por që kanë ditur të ngrihen.

Parë në këndvështrimin sociologjik të trendeve mbi zhvillimin e shoqërive kapitaliste, me tendencë shumë të lartë materializmi dhe konsuerizmi, shoqëritë sot vuajnë nga mënyra se si e vlerësojnë traditën dhe vendin që i japin asaj. Kjo shpeshherë të çon drejt mendimit se të tilla shoqëri vuajnë nga komplekse inferioritetesh të paana, komplekse të formimit jo vetëm psikomotor, por edhe qytetar, gjë që përbën frikë dhe mosbesim ndaj vazhdimësisë së një rruge të nisur si pa krye. Përthithja e vlerave të qytetërimeve të tjera ka bërë që më së shumti, këto dekadat e fundit, të kihet një prirje drejt traditave që kanë popujt tek të cilët adhurojmë, por e vërteta është se edhe ata popuj, përtej qytetërimit që gëzojnë, fshihet krenare tradita e tyre, e shkuara edhe pse pa shumë shkëlqime ndoshta, por jo në rrënajë. Kjo gjë lë për të dëshiruar, kryesisht tek të rinjtë e shoqërisë shqiptare dalluar qartë nga rinia e një bote perëndimore, që është shumë më e “lexuar” se sa kjo e jona. Çdo shoqëri bazohet në koefiçentë sigurie të ecjes së saj drejt përsosjes kur ka rininë – gjenerator të një të ardhmje që premton dhe zgjidh sfida. Dhe si të tillë çdo shtet tjetër mundohet t’i edukojë ndjenjën e dashurisë për traditën përmes shumë proceseve të tjera, jo vetëm në fushën e arsimimit dhe librit. Ndërkohë që në shoqërinë shiptare, ky aspekti ringjalljes tek të rinjtë i një ndjenje krenarie mbi traditën e të shkuarën tone është për të ardhur keq, përjashtuar olimpiadave të rralla sportive, ndeshjeve të futbollit, që zbehen pas një entuziazmi minutar e të tjera si këto. Shoqëria shqiptare ka tradita të hershme, por që në qendër të tyre ka gjallërinë që i jep jetë së tashmes. Ka vlera prej urtie të tillë që i ngjajnë fort mirë vlerës dhe qytetërimit që të bën besimi në Zot dhe mbarë dispozitat dhe urdhëresat jetike që vijnë si rrjedhojë e saj. Ndjenja e respektit, e turpit e pastërtisë së shpirtit, jo vetëm e shtëpive përdhese, do të thotë shumë. Respekti, fjala e mirë, besa dhe amaneti, e drejta dhe detyra, asete që na i kujtojnë të gjitha, një gjë që do duhet ta duam shumë, jetën tonë në Islam me një traditë të vlerë, që nuk ka transmetuar asgjë të ligë, por të dobishme në ndihmë të të qenit tonë humanë e besimtarë.

Janar- Shkurt 2013