Nga çerdhja deri tek shtëpia e të moshuarve!

344

Driton Arifi

(Imponimi i një jete të ftohtë e artificiale për krijesën e përsosur njeri) 

Jo të gjitha “produktet” dhe mundësitë që ofron modeli civilizues i jetesës bashkëkohore janë  në favor asbolut të njeriut dhe në interes jetik për të. Mbase për shumicën e këtyre “produkteve” as që pyeten shumica e njerëzve, se a do të duhej që të ofroheshin e t’i kemi në dispozicion apo jo?

Epidemia e pasurimit pa limit, rendja e shfrenuar pas parasë, kanë sjellur humbjen e vëmendjes nga familja si një nga vlerat më themelore të shoqërisë. Sot më shumë se kurdoherë më parë ka kërkesa këmbëngulëse që të ripërcaktohen e të modifikohen rolet e secilit individ në shoqëri. Në këtë kuadër ka kërkesa të përsëritura që të rishikohet edhe roli i familjes dhe përgjegjësitë e saj si celulë e parë e shoqërisë. Një fryt i “natyrshëm” i këtij trendi të modifikimit ka bërë që të themelohen institucione të cilat do të ndihmonin rolin e gruas, e pse jo edhe atë të burrit në familje. U themeluan çerdhet dhe shtëpitë e të moshuarve, si institucione “paralele”, të cilat lëkundën fuqishëm parimet themelore të një familjeje klasike.

Sigurisht që çerdhja, sikur edhe shtëpia e të moshuarve në këtë kuadër llogariten si produkte të një zhvillimi të hovshëm në të gjitha sferat e jetës që i përjeton prej disa dekadash bota bashkëkohore. Këto të dyja (çerdhja dhe shtëpia e moshuarve) heqin prangat dhe mundësojnë që fuqia potenciale punëtore e vendit të aktivizohet me tërë kapacitetet e veta dhe të japë kontributin e vet në avancimin e shteteve të ndryshme të botës. Sipas këtij parimi, për të pasur prosperitet e avancim të gjithëanshëm, s’duhet përjashtuar asnjëra gjini nga roli dhe kontributi individual e shoqëror i tyre, andaj edhe barrierat që ekzistojnë para cilit do, qoftë ai mashkull apo femër, duhen eliminuar pa kushte. Madje pjesëmarrja e femrës në punë nga ideologët kapitalistë ekstremë është llogaritur si  hapi më esencial që do ta bënte atë të çlirohet nga kthetrat e robërisë e varshmërisë totale ndaj gjinisë tjetër. “Përderisa të mos shkatërrohet miti për familjen, për amësinë dhe instiktin amësor (gruas si nënë), femra do të shfrytëzohej edhe më tej”, do të thoshte sociologia franceze Simeone De Bovuar. Në po të njëjtën vijë ideologjike, feminizmi ekstrem e konsideron përkushtimin e nënave dhe gjysheve ndaj fëmijëve si mbeturinë e kohëve të hershme. Gjithnjë sipas kësaj fryme mëmësia (aftësia për të lindur fëmijë), si detyrim i natyrshëm ekskluziv i gruas, llogaritet faktori kryesor që e bën femrën të jetojë e diskriminuar gjatë gjithë jetës nga gjinia tjetër.

Tipi i Engelsit e bashkëideologëve të tij, kur e përvijuan modelin e një familjeje se si ajo duhet të funksiononte në epokën moderne, thanë që “fëmijët e lindur, duhet të edukohen në institucione publike, pa e ditur saktësisht se kë e kanë prind”. Thjesht ruajtja dhe fuqizimi i lidhjes në mes të prindit dhe fëmijës në këtë koncept nuk është i domosdoshëm, madje sipas tyre mund edhe të sillte dëme në shoqëri. Në  parimin e tillë, fëmijët do të përgatiteshin si klasë punëtore, thjesht për tregun e punës, e rrjedhimisht në situata të tilla nuk iu nevojiten ndjenja e mëshirës e as ajo e ngrohtësisë prindërore, nga cilido prind.

Pa asnjë dilemë, mund të ndihen më të lirë, e pse jo edhe më komod e të relaksuar fizikisht, të gjithë ata prindër që fëmijët e tyre i lëjnë në duar të huaja që t’i edukojë e të kujdesen për ta në periudhën më delikate të jetës së tyre, pra atë të formimit dhe forcimit të themeleve të personalitetit të tyre. Prindërit që punojnë dhe janë aktivizuar jashtë shtëpisë, sigurisht se do të sigurojnë për vetveten një standard që po të mos punonin që të dy do ta kishin tejet të vështirë ta realizonin.

Mirëpo, kjo në asnjë rast nuk e mohon faktin se që të dy palët edhe prindërit edhe fëmijët po privohen nga diçka që është krejtë e shenjtë, e natyrshme dhe e çiltërt, e që është prehja dhe dashuria e ndërsjellë që do të duhej ta ndienin në çdo çast si prindi në raport me fëmijën e vet, po ashtu edhe fëmija në raport me prindin e vet. Duhet pranohet fakti se këta fëmijë janë privuar nga diçka që ka më shumë se çdo gjë tjetër vlerë në jetën e tyre, atyre u mungon për një kohë të gjatë ngrohtësia prindërore, afërsia fizike me ta, prehja pranë krahëve të tyre, e që po të pyeteshin fëmijët dhe të vendosnin vet, të tilla gjëra nuk do t’i zëvendësonin me asgjë në jetë.

which-describes-standard-care-elderly-disgraceful

Në formë të mprehtë e të dëlirtë e përvijoi një realitet të tillë Alija Izetbegoviç kur tha: “Çerdhet dhe shtëpitë për të moshuar të përkujtojnë lindjen dhe vdekjen artificiale. Të dyjat karakterizohen me praninë e komoditetit, ndërkaq me mungesën e dashurisë dhe të ngrohtësisë. Të dyjat janë opozitë e familjes dhe rezultat i ndryshimit të rolit të femrës në jetën e njeriut. Premisa e tyre e përbashkët është eliminimi shkallë-shkallë i marrëdhënies prindërore: në çerdhe janë fëmijët pa prindër, në shtëpitë e të moshuarve kemi prindër pa fëmijë. Të dyjat janë “mrekullitë e civilizimit dhe ideali i çdo utopie”.

Çerdhja do të ngjallë dilemë në kokën e fëmijës se kush është më meritor që t’i falet dashuria e respekti, a është ai prindi bilogjik (nëna në formë ekskluzive), apo kujdestarja e tij/saj që ia përmbush të gjitha kërkesat që ia shtron, madje rëndom, e përkëdhel atë sa herë që del ose hyn brenda në çerdhe. Fëmijët në këtë moshë së paku për këtë dilemë nuk kanë nevojë fare.

Në konceptin islam, ndaj prindërve duhet kujdesi i fëmijëve të tyre, rrjedhimisht i bie që shtëpitë e të moshuarve në vendet që jetohet mirëfilli me Islam, llogariten një investim i panevojshëm. Në Kuran, Zoti iu drejtohet fëmijëve që kanë prindërit gjallë, duke u thënë: “Lëshoi para tyre krahët tuaj të përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar kur isha unë i vogël!” ( El Isra, 24).

Por një shkëndijë e këtij citati sikur na thotë se për ta merituar një fjalë të ngrohtë e përgjëruese  nga fëmija yt në pleqëri, duhet vet ta mbjellësh këtë farë respekti e të merresh me edukimin dhe kujdesin ndaj tij kur ai është në vegjëli.

Një maksimë me peshë do të nxirrej nga domethënia e këtij citati se, aq sa do të jenë të mbushura çerdhet me fëmijë në një vend,  po aq do të jenë të mbushura shtëpitë e të moshuarve aty.

E sigurisht se ne dëgjojmë një arsyetim të përbashkët e fare unik në mes të atij personi që i dërgon fëmijët e tij në çerdhe dhe atij që i dërgon prindërit e tij në shtëpi të të moshuarve, që të dy justifikohen: “s’kemi kohë të merremi me ta, i dërgojmë atje që të mos heqin keq”.

Në një realitet të krijuar nga fryma e zhvillimit bashkëkohor, për shkak të distancimit fizik, nga çerdhja deri tek shtëpitë e të moshuarve, prindërit gjithnjë e më pak do të kenë shansin për të dëgjuar fjalën më të ëmbël “baba dhe nënë”. Në rastin e parë nuk e dëgjojnë këtë fjalë sepse ata vetë, fëmijët e tyre i dërguan në çerdhe, e u larguan prej tyre. Ndërsa në rastin e dytë, në fund të jetës së tyre nuk e dëgjuan sepse u dërguan nga fëmijët e tyre në shtëpinë e të moshuarve.

Besojmë se ky lloj privimi në thelb nuk duket të jetë një faturë edhe aq e lirë për t’u paguar nga prindërit kudo qofshin ata. Rast i mirë për të menduar më thellë rreth kësaj fature nga të gjithë prindërit!!

Revista “Familja”, mars 2017