Pse kaq shumë ndarje?

18

Fenomenet sociale të një shoqërie ndodhin vazhdimisht përpara syve tanë dhe në të shumtën e rasteve “jemi” në dijeni të shkaqeve që i venë në lëvizje këto fenomene. Nëse pyetet një shqiptar rreth rritjes së numrit të emigrantëve ose rreth rritjes së rasteve të dhunës në familje, do jetë i aftë të japë, të paktën, një shkak që e shpjegon situatën. Këto shkaqe janë gjithmonë ato të dukshmet, sipërfaqësoret, të cilat i kemi mësuar përmendësh falë mediave tona shterpë ose i kemi dëgjuar nga pseudoanalistët që nuk dinë të shqiten nga publikja edhe pse fytyrat e tyre i kemi memorizuar më mirë se ato të familjarëve tanë.

Për të kuptuar vërtetë atë që ndodh para nesh na duhet një “çekiç Niçjan”, sepse fenomenet janë të maskuara, të groposura dhe duhet punë për t’i nxjerrë në sipërfaqe. Si është i maskuar fenomeni i ashtuquajtur “NDARJE”?

A ka pas ndarje më përpara? Nëse ka pasur, sa të shpeshta kanë qenë rastet? Cilat kanë qenë arsyet që kanë sjellë ndarjen? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të diskutueshme, por për diçka mund të biem të gjithë dakord: numri i ndarjeve mes bashkëshortëve apo çifteve në lidhje dashurore janë më të shumta se asnjëherë më parë. Shpjegimi klishe i kësaj situate është se, ndarja vjen si shkak i paqëndrueshmërisë ekonomike, mospërputhjes karakteriale, tradhëtisë dhe dhunës në familje (në shoqërinë tonë edhe faktori familjar). Këta faktorë kanë ekzistuar gjithmonë, por nuk kanë sjellë të njëjtat përfundime.

Sot jetojmë brenda një konfigurimi shoqëror ku konsumi është kryefjala e çdo gjëje. Shoqëria e konsumit ndihet më e ‘lirë’ se kurrë për të zgjedhur objektet që do, lehtësisht të zëvendësueshme dhe me detaje që synojnë përmirësimin gradualisht. Nëse një objekt fillon të shfaqë probleme të çfarëdo lloj natyre, ai nuk riparohet por zëvendësohet. Nëse nëna ime grisjen e çorapeve e zgjidhte duke i qepur ato, unë sot zgjedh t’i zëvendësoj me një palë të reja. Kjo, jo shumë për arsye të ndikimit të faktorit ekonomik apo mungesës së aftësisë për të qepur, se sa për arsye mendësie që ndryshon bashkë me ndryshimin e konfigurimit shoqëror.

Marrëdhënia mes çifteve nuk ndryshon aspak nga ajo e njeriut me objektet. Kur njëri nga partnerët fillon të shfaqë “difekte”, që konsiderohen si problematike nga pala tjetër, nuk ka përpjekje për të zgjidhur atë që nuk shkon siç duhet, por ndërpritet marrëdhënia me arsyetimin se lidhja e ardhshme do jetë më e suksesshme. Eksperiencat tona nuk tregojnë diçka të tillë, ndarja përsëritet e përsëritet dhe kjo për arsye se individi është i prirur të konsumojë dhe të ndihet i lirë, duke zgjedhur. Sot është e vështirë të besohet apo shpresohet për lidhje ose marrëdhënie afatgjata, sepse koncepti i konsumit është pjesë e mendësisë tonë, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet mes nesh.

Karakteristikë e periudhës moderne, ndër të tjera është edhe individualizmi. Individi është kult në shoqërinë moderne dhe siç ndodh me kultet e tjera, edhe ai i individit nderohet dhe ruhet me fanatizëm. Ligjërohet vazhdimisht për anët pozitive të të jetuarit vetëm, i lirë dhe sa më larg raportit me tjetrin. Fatkeqësia jonë është se nuk i kemi të qarta konceptet. Çfarë do të thotë për secilin nga ne të qenit i lirë? A mund të ndihemi të lirë edhe brenda një marrëdhënie me një person me të cilin na lidh afekti i dashurisë? Për ne, bijtë e modernizmit, që na brumoset koncepti i individualizmit vazhdimisht, nuk mund të jetë e mundur. Prandaj sot, kryesisht nga të rinjtë, marrja e përgjegjësisë të ndërtimit të familjes është më pak e pranueshme. Është shumë e vështirë dhe shpesh e pamundur, që pasi ke krijuar një rend jetese të mirëpërcaktuar dhe ideuar vetëm për veten, të fusësh një pesonazh të dytë e bashkë me të edhe një rend të ri që nuk i përshtatet mendësisë tënde. Dhe kjo bashkëjetesë e paragjykuar apo keqstrukturuar që në nisje nuk mund të ketë jetëgjatësi.

A është i qëllimshëm formimi i një modeli që refuzon socialen, familjen dhe priret drejtë individualizimit dhe si rrjedhojë drejtë robotizimit të vet individëve dhe shoqërisë? Unë them se po. Dhe kjo mund të jetë qëllim në vetvete dhe pasojë e sistemeve të krijuara së bashku me ideologjitë e tyre.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Sidorela Brahaj