Një histori e suksesshme biznesi – Njihuni me fermeren nga Podujeva e Kosovës, Blerta Restelica Sfishta

1164

Armida Plumbi

Rrugëtimi në fushën e të bërit biznes nuk ka qenë i lehtë për kultivuesen nga Podujeva. Pavarësisht përkrahjes që ka pasur, sfidat nuk kanë munguar.

Blerta Restelica Sfishta zotëron dy pemishte, një me luleshtrydhe (dredhëz) dhe një me mjedër. Pemishtja me dredhëz përfshin sipërfaqen prej 0.50 ha dhe është grant i mbështetur nga USAID, ndërsa pemishtja me mjedër përfshin sipërfaqen 1.20 ha dhe është grant i mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Këto pemishte e kanë ndihmuar shumë në zgjerimin e njohurive, sepse tani i sheh më afër të gjitha proceset, duke përfshirë këtu rritjen, mirëmbajtjen, vjeljen dhe çdo gjë rreth tyre. Ka vizituar shumë pemishte dhe vreshta në Kosovë gjatë studimeve të saj. Dijet që ka marrë nga studimet dhe vizitat që ka bërë, mund t’i praktikojë në pemishtet e saj. Blerta ka bërë praktikë në fermën didaktike të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, e veçanërisht është fokusuar në shartimin e pemëve dhe  klasifikim e fidanëve. Aktualisht menaxhon dhe mirëmban pemishtet e saja.              

Më 16 shtator 2016 është mbajtur Dita Fushore e dredhëzës në pemishten e saj.  Kjo ngjarje u organizua në bashkëpunim me programin AGRO – USAID, ku morën pjesë shumë njerëz nga sektorë të ndryshëm dhe elementi i përbashkët i të gjithëve ishte bujqësia. Për të ishte një eksperiencë shumë e mirë.

Fermerja ka një mesazh të qartë për gratë që duan të nisin biznes në Kosovë. Sipas saj, nëse një grua ka vetëbesim, guxim dhe përkrahje nga të tjerët, atëherë do të arrijë t’i mposhtë të gjitha paragjykimet.

Blerta thotë se, “sukseset e vazhdueshme të grave në fushën e biznesit i kanë lënë pa tekst paragjykuesit.”

  • Blerta, pse zgjodhët të studioni në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, specifikisht në prodhimtarinë bimore?

Asnjëherë në jetë nuk e kam menduar veten se do të merrem me bujqësi, sepse kam jetuar në qytet dhe familja ime nuk është marrë ndonjëherë me punimin e tokës. Unë po ashtu si gjeneratë e kohës moderne, po ashtu nuk kam menduar për bujqësinë. Kur erdhi koha e studimeve, doja të studioja për Matematikë, por meqë në afatin e dytë nuk u hap ndonjë konkurs për këtë departament, atëherë në mënyrë krejt spontane vendosa të studioj bujqësinë. Arsyeja ishte fakti që numri i agronomëve në Kosovë është i vogël dhe se bujqësia është fusha kryesore në të cilën do të bëhen investimet më të mëdha në të ardhmen, sepse është degë kryesore e zhvillimit të ekonomisë.

Studimin e bujqësisë e shoh si një ndër hapat më të drejtë që kam bërë në jetë, sepse falë bujqësisë unë sot kam biznesin tim, i cili është mjaft fitimprurës për mua dhe familjen time.

Arsyeja pse zgjodha departamentin “Prodhimtari Bimore” është se nga alternativat që ishin në Fakultetin e Bujqësisë, kjo më pëlqeu më shumë dhe e shihja si drejtimin më me prespektivë.

  • Cilat janë vështirësitë dhe sfidat më të mëdha të një gruaje fermere? A është e vështirë të ndërtosh një biznes të tillë në Kosovë?

Vështirësitë dhe sfidat më të mëdha të një gruaje fermere në Kosovë është se ato nuk përkrahen nga shoqëria aq sa duhet. Sot ka shumë donatorë që japin grante për ndërtimin e bizneseve. Nëse biznesin tënd e ndërton në bashkëfinancim me donatorët, padyshim që është e përballueshme dhe më e lehtë, krahasuar me faktin nëse e fillon biznesin me shpenzimet e tua. Arsyet pse ka vështirësi është se shumica e femrave në Kosovë nuk punojnë, por edhe nëse ndonjë familjar punon, atëherë të ardhurat që merr ajo familje në përgjithësi janë vetëm sa për të mbuluar nevojat elementare dhe për ndërtim biznesi as që bëhet fjalë.

–  Si lindi bashkëpunimi juaj me USAID? Pse ju zgjodhën ju për t’ju mbështetur me grante? Çfarë të veçantë kishte projekti juaj mbi pemishten?

Bashkëpunimi im me USAID-in nisi kur unë isha në fund të studimeve bachelor. USAID përmes programit AGRO kishe si qëllim të ndihmonte 5 studente në përfundim të studimeve me nga një grant, për ngritjen e pemishtes me mjedër me sipërfaqe 0.50 ha, në mënyrë që studentet të kenë mundësi që në pemishtet e tyre të praktikojnë njohuritë e marra gjatë studimeve. Ne aplikuam me një projekt, në të cilin shfaqëm idetë tona për biznes. Arsyeja pse më zgjodhën mua ishin idetë e mia për punësimin e disa punëtorëve në pemishte, praktikimin e njohurive të mia si agronome, përfitimet ekonomike si për vete ashtu edhe për familjen, toka e përshtatshme për mbjelljen e dredhëzave, të gjitha këto ishin pikat që USAID-i i ka vlerësuar dhe më kanë dhuruar grantin.

  • Pse keni zgjedhur të kultivoni luleshtryshe (dredhëza) dhe mjedër?

strawberry-flat_large-836x1024

Luleshtrydhen apo dredhëzën siç e quajmë ne në Kosovë, USAID e ka caktuar për grant, sepse dredhëza nuk kërkon shumë punë për kultivimin, e po ashtu rendimenti dhe përfitimet ekonomike janë të mëdha. Pra, ne si studentë kemi mundësi të kultivojmë dredhëz, sepse nuk është e nevojshme të jesh gjatë gjithë kohës në pemishte dhe kështu ke kohë të merresh me gjëra të tjera, të angazhohesh në studime etj.

Ndërsa arsyeja pse zgjodha të kultivoj mjedër është se shitja e tyre është e garantuar. Në Kosovë, sidomos në Podujevë mjedra ka filluar të kultivohet shumë. Deri tani janë rreth 600 ha mjedër, madje Podujeva njihet si “Komuna e Mjedrës”. Pikat grumbulluese janë ato në të cilat bëhet shitja e mjedrave të freskëta, ku në këto pika bëhet ngrirja e mjedrave dhe eksportimi i tyre në vendet e BE-së. Pra tregu i sigurt dhe çmimi i mirë ishin arsyet që më shtynë të kultivoj mjedër. Gjithashtu edhe për pemishten kam marrë grant dhe e kam në bashkëfinancim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

  • Si funksionon pemishtja juaj? A keni menduar ta zgjeroni më shumë fidanishten?

Në pemishte kam 3 punëtorë të rregullt dhe deri në 10 punëtor sezonal. Pemishtja me mjedër është me sipërfaqe 1.20 ha, ndërsa me dredhëz 0.50 ha. Meqë mjedra kërkon shumë punë për kultivim nuk kam menduar që ta rris sipërfaqen e pemishtes. Për sa i përket dredhëzës edhe këtë vit nuk do ta rris, pasi dua të bëj një menaxhim më të mirë, ndërsa në vitet vijuese besoj që po, sepse kultivohet lehtë dhe ka fitime të larta.

  • A jeni e kënaqur nga të ardhurat që sjell ky biznes në Kosovë?

Po, sidomos me dredhëz jam shumë e kënaqur. Mjedra ka pasur rënie në çmim të shitjes, e po ashtu siç e ceka më lart kërkon më shumë punë në kultivim, fitime janë të mira, por edhe shpenzimet janë të larta, kështu që fitimi i pastër është më i ulët krahasuar me dredhëzat.

  • Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane kosovare, veçanërisht në aspektin e punësimit? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

Fatkeqësisht gruaja muslimane në Kosovë nuk zotëron të drejta aq sa duhet të ketë çdo njeri normal, kjo sepse shumë prej tyre të cilat janë bartëse të mbulesës islame, përveç paragjykimeve të shumta ndaj tyre, ato refuzohen për punësim, një padrejtësi shumë e madhe ndaj saj. Sfida më e madhe për femrën muslimane në Kosovë është punësimi, shumë femra që kanë përfunduar studimet me nota mesatare shumë të larta, kanë mbetur pa punë për shkak të mbulesës së tyre, sidomos në institucionet shtetërore.

  • Sa mbështetje keni patur nga familja juaj në iniciativën tuaj për hapjen e pemishtes?

Familja më ka përkrahur shumë, sepse studimet e deritanishme i kam falë përkrahjes morale e financiare të tyre. Pa përkrahjen e familjes sime unë nuk do të isha sot këtu ku jam. Unë ndihem shumë borxhlie ndaj prindërve të mi që kanë sakrifikuar shumë për shkollimin tim, motrës dhe vëllezërve të mi. Mënyra më e mirë për t’ja kompensuar atyre është korrja e sukseseve, edhe pse sakrifica e tyre nuk kompensohet dot sado të përpiqem.

kolazh-Blerta Restelica

  • Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, pra t’i përkushtoheni tërësisht Islamit, duke u mbuluar dhe praktikuar obligimet fetare si besimtare muslimane?

Kur Allahu e udhëzon dikë dhe gjithë bota të jenë kundër nuk do mund ta ndalin. Unë jam shumë falënderuese që Zoti me mëshirën e Tij të madhe më udhëzoi. Kam qenë muslimane së bashku me familjen time, por jo praktikues të namazit. Motra ime merrte pjesë në organizime e ligjërata fetare dhe me merrte edhe mua. Në ato ligjërata mësoja shumë për Islamin dhe me rritjen time kuptoja që në këtë botë jemi vetëm kalimtar. Më pas vendosa që t’i praktikoj obligimet e mia fetare, sepse ndieja qetësi shpirtërore. E falënderoj pafundësisht të Madhin Zot që më ka udhëzuar mua dhe familjen time!

  • Sipas mendimit tuaj, cilat janë pikëtakimet e Islamit dhe fushës që studioni e punoni njëkohësisht?

Nga të mirat e shumta që na ka dhënë Zoti janë frutat dhe perimet. Konsumimi i tyre përveç vitaminave të shumta dhe vlerave të larta ushqyese që zotërojnë, të bëjnë të mendosh që vetëm fuqia e Zotit i krijuar në formën më të përsosur. Ne duhet të punojmë tokën, në mënyrë që të korrim prej saj të mira. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “ Ai (Allahu) është krijuesi që Tokën e bëri të nënshtruar ndaj jush (në shërbimin tuaj) ecni në gjerësinë e saj dhe hani prej të mirave të saj dhe tek Ai (Zoti juaj) do të jetë kthimi.” (Mulk, 15).
Gjithë këto të mira që i gëzojmë është mëkat të mos i shfrytëzojmë, sidomos tokën e cila shumë herë lihet pa punuar. Madje Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Nëse shikoni se erdhi Kiameti dhe në dorë keni një fidan, mbilleni atë!”. Në këtë hadith shihet se sa shumë rëndësi i jep Islami punimit të tokës.

  • Çdo njeri e ka një motiv dhe një shtysë për të ecur përpara. Po ju çfarë ju motivon?

Po, çdo njeri ka një motiv. Motivi im është të punoj në maksimum, në mënyrë që të bëhem e pavarur, të mos jetoj mbi kurrizin e askujt, sepse Zoti na e ka caktuar rriskun të gjithëve. Nëse punojmë Zoti na jep të mira, sepse Ai i do punëtorët. Dua që kontributet e mëdha të familjes sime tua kthej në formën më të mirë, duke punuar, duke u bërë e pavarur dhe duke i ndihmuar ata në çdo aspekt. Tjetër motiv është edhe sfida që kemi ne femrat me mbulesë islame, pra paragjykimet nga shoqëria se jemi të prapambetura dhe se nuk mund të jemi të suksesshme. Ndaj dua të punoj në maksimum në mënyrë që t’u dëshmoj paragjykuesve se mbulesa nuk pengon në asnjë mënyrë në arritjen e sukseseve dhe arritjen e pavarësisë sonë si femra.

  • Cila është ëndrra juaj në aspektin profesional?

Ëndrra ime! Ëndrra ime në aspektin profesional është të kualifikohem sa më shumë në aspektin shkencor, në mënyrë që të zgjeroj diapazonin e njohurive, mandej të hap një shoqatë ku të mbaj trajnime për bujqësinë dhe të organizoj praktika të ndryshme bujqësore në terren për fermerët kultivues të pemëve.

  • Mesazhi juaj për gjeneratat e reja që po ballafaqohen me sfidat e studimeve dhe punësimit?

Fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur i shkolluari është i papunë dhe sakrificat për studime janë të mëdha, duke patur parasysh që të ardhurat janë të ulëta. Unë kam dashur të studioj matematikën, por rezultoi që bujqësia ishte më e mirë për mua. Ëndrrat duhet ndjekur gjithmonë, por kur jetojmë në një shtet siç është Kosova, atëherë ëndrrat duhet të lihen pak anash dhe prioritet të kesh tregun e punës, të studiosh atë që kërkohet më shumë, atë në të cilin ka pak të kualifikuar. Paraja nuk është gjithçka, nuk them që të studiojmë atë që e kërkon tregu i punës në mënyrë që të kemi shumë para, por edhe pa para është vështirë të jetosh. Mundi duhet të të shpërblehet. Duhet t’i përshtatesh rrethit dhe kërkesave të tregut. Porosia ime është që çfarë do që të studiojnë të rinjtë, çfarë do që të punojnë, të japin maksimumin e tyre, sepse duke dhënë shumë nga vetja mund të arrijnë tek synimet e tyre. Punoni dhe shfrytëzoni çdo të mirë që zotëroni!

Shkurt 2017