Një mesazh i mësuesit për prindërit!

1158

 Nga Nada Dosti

E di, jeni të shqetësuar! Çdo ditë, fëmija juaj vjen me një histori të re në lidhje me “atë” fëmijën. Atë fëmijën i cili gjithmonë godet, pickon, shtyn, gërvish, madje dhe rreh fëmijët e tjerë. Ai që lë gjithmonë një shkarravinë në bankë dhe që ulet mbi të në vend që të ulet në karrige. Ai që ngjitet tek lodrat pikërisht atëherë kur unë i kërkova të zbriste. Ai që ia derdh ujin shokut të vet me qëllim, ndërsa unë po e vështroja. Ai që i përdor në orën e fiskulturës të gjitha fjalët e pista që di.

Jeni të shqetësuar për atë fëmijë i cili po e shpërqëndron fëmijën tuaj nga mësimet. I cili ka mesataret të ulët sepse i mungon vetëbesimi, përqëndrimi, motivimi dhe mësimet janë preokupimi i fundit për të. Jeni të shqetësuar sepse ai fëmijë po më merr mua më shumë energji sa duhet dhe nuk po i kushtoj vëmendjen e duhur fëmijës tuaj. E di! Jeni të shqetësuar se ai fëmija një ditë do të vras dikë seriozisht dhe keni frikë se ai dikushi mund të jetë fëmija juaj. Dhe se edhe fëmija juaj do të mësoj t’i arrijë gjërat me forcë dhe inat.

Ajo që vërtetë ka rëndësi është se fëmija juaj, këtë vit, në këtë klasë, në këtë moshë nuk është ai fëmija. Sepse fëmija juaj mëson kur duhet të mësojë dhe luan kur duhet të luajë. E ngre dorën sa herë dëshiron të flasë dhe i ndan gjërat me të tjerët në mënyrë paqësore.

Një gjë duhet ta dini: unë shqetësohem për të gjithë. Jo vetëm për fëmijën tuaj dhe jo vetëm për atë fëmijën. Unë shqetësohem për atë që kutinë e ushqimit e ka gjithmonë bosh, për atë që xhaketa e hollë mund të mos i mjaftojë për t’u ruajtur nga ftohti i acartë i dimrit, për atë që këpucët i ka të çara dhe duhet të rrijë gjithë kohën në klasë me çorapë të lagura ose pa to fare, derisa të thahen.

Po e di! Ju dëshironi të flisni gjithmonë për atë fëmijën.

Edhe unë gjithashtu dëshiroj të flas për atë fëmijën, mirëpo ka shumë gjëra që nuk mund t’ju them.

Nuk mund t’ju them se ai fëmijë ka qenë i adoptuar që kur ishte 2 vjeçe. Se ai është në dietë ushqimore për shkak të alergjisë ndaj disa ushqime. Se prindërit e tij po përjetojnë një divorc dhe ai jeton me gjyshin, madje gjyshi i tij me shumë mundësi është pijanec. Nuk mund t’ju them se ndoshta ilaçet po e bëjnë atë fëmijën nervoz, prandaj është i acaruar gjithë kohën. Se nëna e tij është një prind i vetëm që po i rrit fëmijët e saj me sakrifica. Se ai vjen i pari në klasë dhe është i fundit që del dhe se shpeshherë më duhet të pres tek dera me të derisa të vijë prindi ta marrë. Se ai për të ardhë në klasë bën kushedi sa orë rrugë në këmbë sepse jeton në periferi dhe nuk ka mundësi për mjet transporti. Apo se ai i nënshtrohet përditë dhunës në shtëpi. Se ai e ka vështirësi të komunikojë sepse ende nuk flet si moshatarët e vet.

Do të doja t’ju tregoja edhe se ai fëmija vjen dhe ulet tek prehëri im, sepse “rrahjet e zemrës tënde mësuese më qetësojnë”, apo më kap përdore kur vijnë prindërit e vet, ma shtrëngon dorën fort dhe nuk do ta lëshojë.

Do të doja t’ju tregoja se tashmë ka kaluar nga 5 dënime në ditë në 5 dënime në javë.

Por mua nuk më lejohet të flas për gjërat personale të fëmijëve të tjerë. Por dijeni mirë se në një moment apo tjetër ai fëmija mund të jetë dhe fëmija juaj. Kështu që nuk do i ndaj shqetësimet e fëmijës tuaj me familjet e tjera.

Po do mundohem që fëmija juaj të marrë vëmendjen dhe dashurinë që meriton. Dhe nëse një prind tjetër do të vijë dhe do të ankohet për fëmijën tuaj do t’ia përsëris të gjitha këto. Edhe një herë nga e para.

Me shumë dashuri,

Mësuesja.

Revista “Familja”, tetor 2016