Një muaj ndryshimi për mirë

69

Agjërimi është një prej obligimeve fetare i cili bazohet në vetëpërmbajtje, duke zotëruar dëshirat dhe duke u vetëpërmbajtur nga ajo që nefsi dëshiron më shumë. Qëllimi i agjërimit është thyerja e dëshirave që shpirti të forcohet në devotshmëri duke iu nënshtruar vullnetit të Zotit dhe jo egos njerëzore. Agjërimi është adhurim i hershëm që e kanë njohur popujt dhe para ardhjes së Islamit. Allahu në Kuran thotë: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (Bekare 183)

Allahu e zgjodhi agjërimin në fenë Islame në një muaj të begatë dhe të shenjtë. Ai është muaji në të cilin zbritën ajetet e para nga Kurani: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja – Pra, kushdo nga ju, që e arrin këtë muaj le të agjërojë.” (Bekare 185)

Udhëzimi është shfaqja më e madhe e mëshirës që Allahu u dhuron njerëzve. Ky libër mëshire, i është zbritur Profetit të mëshirës (a.s), i cili ka thënë: ”Kush agjëron Ramazanin me besim të paluhatshëm e duke shpresuar shpërblim nga Allahu, i janë falur të gjitha gjynahet që ka bërë..” (Buhariu dhe Muslimi).

Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: O Zot më prano mua ndërmjetës tek Ti, sepse ai u largua nga ushqimi dhe nga epshet. Ndërsa Kurani thotë: “O Zot më prano mua ndërmjetës për të, sepse leximi i Kuranit e ndaloi nga gjumi natën. Tha: Atyre u pranohet ndërmjetësimi” (Hakimi dhe Muslimi). Allahu e zgjodhi këtë muaj ndër të tjerë dhe e begatoi atë me shpërblime dhe dhurata të shumta prej bujarisë së Tij të pamasë për të gjithë ata që i binden Atij në këtë muaj, duke e bërë atë një sezon mirësie dhe fitimi shpirtëror për besimtarët. “Ai që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu do t’ia largojë zjarrin prej fytyrës së Tij në distancën e 70 viteve”. (Buhariu dhe Muslimi)

Agjërimi forcon dëshirën dhe edukon durimin. Agjëruesi ndjehet i uritur dhe i etur ndërkohë që para tij ka ushqim të shijshëm dhe ujë të freskët, ka dëshirë të rrijë pranë bashkëshortes, por gjatë ditës e pëmban veten. Agjëruesi për të gjitha këto, nuk ka mbikëqyrës përveç Zotit të tij, nuk ka gjykues përveç ndërgjegjes së tij. Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo gjë e ka zekatin e vet dhe zekati i trupit është agjërimi, ndërsa agjërimi është gjysma e durimit”. (Ibn Maxhe)

Nga urtësitë e agjërimit është që njeriu të dijë vlerën e mirësive të Allahut, sepse mirësitë vlerësohen atëherë kur i humbet ato. Agjërimi u përkujton njerëzve praktikisht urinë e të uriturve. Ky përkujtim nuk ka nevojë për predikime, por agjëruesi përdor zërin e stomakut për ta dëgjuar, atëherë ky zë i bëhet i dobishëm për shpirtin e tij, duke e shtyrë për të mëshiruar të varfërin, duke i dhënë atë që ia largon urinë. Allahu e përkufizoi agjërimin si adhurim të veçantë dhe për të shpërblimin do e jap vetëm Ai. “Të gjitha punët e bijve të Ademit janë për të, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë e shpërblej atë. Ai lë ushqimin për hatrin Tim, lë ujin për hatrin Tim dhe lë kënaqësitë për hatrin Tim.” (Ibn Huzejme).

Ky muaj nuk dallohet vetëm për sevapet e shumta në të, por edhe për dobitë e tij shëndetësore. Ai forcon lidhjet farefisnore dhe vëllazërore, rrit besimin në zemrat e praktikuesve të tij duke i bërë ata më të mirë dhe më të ndjeshëm. Ky muaj është muaj i faljes së mëkateve. Profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë Allahu (xh.sh) ua ka bërë obligim agjërimin e muajit të Rramazanit, dhe falja e namazit (të taravive) është sunet për ju, kush e agjëron atë me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut (xh.sh),do të dalë nga mëkatet e tij si në ditën që ka lindur”. (Nesaiu dhe Albani)

Ramazani është muaj në të cilin shumëfishohen shpërblimet. Profeti (a.s) ka thënë në hutben e tij: “O ju njerëz ju është afruar juve një muaj i bekuar, muaj në të cilin është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj (nata e Kadrit), Allahu (xh.sh) jua ka bërë obligim agjërimin e këtij muaji, ndërsa falja e namazit (të taravive) është sunet për ju, kush bën një të mirë në Ramazan (falë një namaz sunet apo nafile ose bën vepra të pëlqyera), do ta ketë shpërblimin sikur ta ketë kryer një farz jashtë Ramazanit, dhe kush e kryen një farz në Ramazan, do ta ketë shpërblimin sikur t`i ketë kryer 70 farze jashtë Ramazanit, dhe Ai është muaj i durimit dhe shpërblimi i durimit është xheneti, kush e ushqen një agjërues do të jetë shkak për shlyerjen e mëkateve të tij dhe do të shpëtojë nga zjarri, po ashtu do ta ketë shpërblimin sikurse ai që agjëron pa ju pakësuar nga shpërblimi i agjëruesit asgjë”.  Kanë thënë të pranishmit: “O i Dërguar i Allahut, të gjithë nga ne nuk i kanë mundësitë që t`i ushqejnë agjëruesit? Profeti (a.s) tha: “Allahu (xh.sh) ja jep këtë shpërblim edhe atij i cili e ushqen një agjërues edhe vetëm me një hurmë apo me një gotë ujë apo qumësht. Ky është muaj që fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje nga mëkatet dhe fundi i tij është shpëtim nga zjarri i xhehenemit”. (Bejhekiu)

Ai është muaji i durimit dhe durimi ka si shpërblim xhenetin. Ai është muaji i bollëkut dhe në të shtohet rrisku i besimtarit. Profeti (a.s) në prag të muajit të Ramazanit ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit se çfarë mirësish ka në Ramazan do të dëshironte populli im që i gjithë viti të ishte Ramazan”. Allahu nuk e bëri agjërimin të detyrueshëm që të dënojë e torturojë njerëzit, e si mund të jetë i tillë kur Ai e përfundon ajetin e agjërimit me fjalët: “..Allahu dëshiron që t’ua lehtësojë dhe jo që t’ua vështirësojë.” (Bekare 185)

Një nga dhuratat më të mëdha që Allahu i ka dhënë besimtarëve në muajin e begatë është nata e Kadrit. Vlera e saj është shumë e madhe, pasi në këtë natë filloi të shpallej Kurani. Nata e Kadrit është nata më e rëndësishme, të cilën nuk duhet ta kalojmë si netët e tjera, pasiqë në këtë natë varet e kaluara dhe e ardhmja jonë. Profeti (a.s) i përgëzonte shokët e tij duke thënë: “Erdhi muaji i Ramazanit, muaj i begatë, Allahu ka obliguar agjërimin e tij. Gjatë këtij muaji hapen dyert e xhenetit, mbyllen ato të xhehenemit dhe prangosen shejtanët…”. (Ahmedi)

Nga duatë që bënte Profeti (a.s) kur fillonte muaji i Ramazanit ishte: “Allahu është më Madhi. O Zot na e mundëso ta fillojmë këtë muaj me siguri dhe besim, me shpëtim dhe Islam, na jep sukses në atë që Ti e do dhe e pëlqen o Zoti im”. (Tirmidhiu)

Maj-qershor, 2014