Një shembull për t’u ndjekur- Intervistë me hoxhën nga Bujanoci, Ulvi Fejzullahu

118

Nga Armida Plumbi

Ulvi Fejzullahu është një ndër hoxhallarët e mirënjohur në Luginën e Preshevës. Shquhet për angazhimin e tij në thirrjen islame përmes mediave, qofshin ato të shkruara apo televizive po edhe përmes internetit. Aktualisht ai është imam në xhaminë qendrore në Bujanoc – jug të Serbisë dhe hutbet e tij përcillen nga një numër i madh njerëzish.

Ulvi Fejzullahu: “Shpresoj që në një të ardhme jo të largët, edhe në Kosovë dhe në Shqipëri të futet edukata fetare në shkollat publike, pasi kjo gjë e përmirëson shëndetin intelektual e moral të brezave.”

• Një biografi të shkurtër tuajën, kush është hoxhë Ulvi Fejzullahu?
Kam lindur në Preshevë dhe shkollën fillore e kam kryer në vitin 1988, pastaj në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, në vitin 1992. Vijova studimet në Universitetin Islamik në Medinë dhe jam diplomuar në vitin 2001. Nga viti 2002, jam në detyrën e imamit në xhaminë e qytetit në Bujanoc.


• Aktualisht jeni imam i xhamisë në Bujanoc, ky është privilegj për ju apo përgjegjësi? Si e shihni ju rolin e imamit në komunitet?
Sigurisht që të jesh imam, është privilegj i veçantë. Detyra e imamit është mision i shenjtë dhe me përgjegjësi. Të jesh i privilegjuar, për mua është dhuratë nga Allahu. Për këtë i jam falënderues Zotit, kurse për përgjegjësinë kërkoj ndihmën e Tij, që të jem i përgjegjshëm.
Roli i imamit në komunitet do të thotë të bartësh Mesazhin Hyjnor, të prezantosh fjalën e Zotit dhe të Dërguarit të Tij me mjaft elegancë, duke zotëruar dijet e nevojshme dhe edukatën profetike. Me një fjalë, të jesh imam, është shumëdimensionale dhe energjia duhet të derdhet në tri rrafshe, atë të edukimit, mësimit dhe besimit.
• Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur në detyrën tuaj si imam dhe si i keni tejkaluar ato?
Kur pranova detyrën e imamit, kontakti i parë me besimtarët ishte diçka e këndshme, sepse kjo ishte ajo çka kisha dashur. U përballa me fenomenin e mënyrës së organizimit, përgatitjen e leksioneve në xhami, ngritjen e vetëdijes për mësim, edukim dhe prurjet e reja në xhami, duke filluar nga rinia dhe shtresat intelektuale.
Me ndihmën e Zotit, arritëm t’i tejkalojmë. Gjithsesi, i jam mirënjohës këshillit të xhamisë që më ka mbështetur në çdo propozim. Me vullnet dhe punë, u arrit që xhamia të mbushet shumë shpejt me xhemat dhe interesimi të shtohet për fenë, besimin dhe moralin.

• Pas kthimit tuaj nga studimet në Medinë, si jeni pritur nga hoxhallarët e vjetër, si kuadër i ri?
Babai im është hoxhë që i takon gjeneratës së vjetër. Për pasojë, i kam njohur të gjithë hoxhallarët. Sigurisht që ka pasur jo qasje të mirë nga disa prej tyre. “Ja ky që erdhi tani, çfarë do të bëjë, si do ta shpjegojë Islamin?” e të tjera komente. Këto ishin paragjykime, por në momentin kur jepej mundësia për diskutime, në shumë raste kishim mirëkuptim. I jam mirënjohës të gjithë hoxhallarëve të vjetër që dhanë një kontribut të vazhdueshëm për ruajtjen e besimit. Kam respekt dhe i lutem Allahut, që ta pranojë punën e tyre dhe t’i shpërblejë me të mirat e Tij në të dy botët.
• Na flisni në lidhje me disa aspekte të organizimit të jetës fetare në Bujanoc dhe në përgjithësi në Luginën e Preshevës.
Bujanoci ka 2 xhami dhe fshatrat përreth të gjitha janë me xhami, ndonjëra prej tyre ka edhe nga dy xhami. Çdo xhami është e hapur dhe me imam të rregullt, ku falen pesë kohët e namazit. Sigurisht që organizimi i jetës fetare bëhet nëpërmjet institucionit të Bashkësive Islame, të cilat operojnë në Bujanoc dhe Preshevë. Këtu kemi disa pengesa administrative në organizim, që shpresoj të kapërcehen.
Dhunti e madhe në Luginën e Preshevës është që mësimi fetar zhvillohet nëpër shkollat publike, duke filluar nga klasa e pare, deri në të tetën (shkollat 8-vjeçare) dhe nga viti i pare, deri në të katërtën (shkollat e mesme).
• Në çfarë shkalle është bashkëpunimin i prijësve fetarë dhe komuniteteve fetare në Serbi?
Shumica absolute në Luginën e Preshevës janë shqiptarë. Presheva me mbi 95%, kurse Bujanoci diku 64%, ku të gjithë shqiptarët janë të besimit islam. Përqindja tjetër i takon komunitet serb, të cilët janë ortodoksë. Nuk kujtoj të ketë pasur ndonjëherë probleme mes prijësve të komuniteteve fetare.


• Si e shihni në optikën tuaj realitetin e shoqërisë kosovare dhe në veçanti të familjes?
Realiteti i shoqërisë shqiptare në Luginën e Preshevës pothuajse nuk ndryshon aq shumë, me atë kosovare. Lidhjet tona janë po ato që ishin më herët, ku shqiptarët e kësaj hapësire drejtim kishin Kosovën. Jemi një brumë. Kur përmendim familjen, kjo është tepër thelbësore dhe shumë e rëndësishme. Familja tradicionalisht shqiptare ishte një strukturë më shumë komplekse, sociale, morale e shpirtërore, me rregulla funksionimi mes brezave, me hierarki e me disiplinë të fortë.
Por, tranzicioni i ndodhur në shoqërinë tonë, me dimensione e kushte të reja, me presione të egra ka ndikuar që familja të ndryshojë në strukturë, koncept, në përbërje, moral etj.
Prej tipit tradicional të familjes, që ishte një ambient i ngrohtë familjar, tani ky “liberalizëm” e ka kthyer familjen në arenë konfliktesh dhe anarki sociale. Ndërkohë janë paraqitur krizat si pakësimi i lindjeve, shtimi i divorceve, fëmijë pa edukatë etj.
Mos të harrojmë faktin se problemet në familje janë të vjetra, sa është edhe familja. Por duhet pasur kujdes, që problemet në familje të tejkalohen me mirëkuptim, edukatë, besnikëri dhe besim.
• Si e shihni ju, si teolog e studiues, çështjen e futjes së edukatës fetare në shkolla. A është kjo domosdoshmëri për formimin dhe edukimin e brezave?

Unë personalisht nuk jam i angazhuar në mësimdhënien e lëndës fetare në shkolla, por jam duke e përcjellë me interes, sepse kjo është shumë domethënëse për shoqërinë tonë. Edukimin fetar e praktikojnë shumë shtete evropiane. E patëm fatin edhe ne shqiptarët në këto troje, pasi qeveria e Republikës së Serbisë miratoi një vendim të tillë. Kjo është domosdoshmëri për edukimin e brezave. Mjafton që nga klasa e parë mësohet morali, besimi dhe mirësjellja. Fëmijët dhe rinia vetëdijesohen me kohë për detyrat dhe përgjegjësitë jetësore. Ata orientohen edhe në shpirtëroren, që ishte mungesë për shumë dekada. Shpresoj që në një të ardhme jo të largët, edhe në Kosovë e Shqipëri të futet edukata fetare në shkollat publike, pasi kjo gjë e përmirëson shëndetin intelektual e moral të brezave.
• Donim të dinim përshtypjet tuaja në lidhje me jetën shoqërore dhe aktivitetet fetare në Shqipëri.
Shqipëria është e dashur për çdo shqiptar dhe më e dashur është për ne që jemi pika kufitare e Shqipërisë së hershme. Kombin tonë dëshirojmë ta shohim mirë e më mirë. Duhet të kemi parasysh se sistemi i kaluar la pasoja të mëdha, por, pas rënies së regjimit totalitar, u ripërtëri shkëndija e besimit. Si sot e kujtoj kur një grup hoxhallarësh nga Kosova, shkuan në Shqipëri për festën e Bajramit. Fotot na përcollën interesimin e njerëzve për t’iu përulur Zotit. Për herë të parë e kam vizituar Shqipërinë në vitin 1992. Vërtet, ishte një varfëri ekstreme, shihja fytyra të buzëqeshura dhe shpirtra të dashur, kur vizitonim xhamitë. Kanë kaluar shumë vite dhe sot shoh ecje përpara, hoxhallarë të kualifikuar, imamë të formuar me dije e moral, institucione të përgjegjshme për kultivimin e vlerave kombëtare e fetare. Mirësitë janë të dukshme e të prekshme, sigurisht që akoma duhet punë, por mund të them që çdo gjë është në rrugë të mbarë. I lutem Zotit ta ruajë Shqipërinë dhe t’i bëjë shqiptarët edhe më të dobishëm për vendin e tyre!
• Jeni një ndër teologët më aktivë në Kosovë. Si arrini të aktivizoheni në jetën fetare, kulturore, por njëkohësisht të jeni prezent edhe në rrjetet sociale, me këshillat dhe mesazhet tuaja?
Po mundohemi të jemi sadopak të dobishëm, me mundësitë që kemi. Jemi në detyrën dhe përgjegjësinë që kemi zgjedhur vetvetiu, andaj edhe duhet të jemi në nivel të përgjegjësisë. Detyra e imamit në xhami është njëra ndër detyrat e rënda që duhet t’i jepet haku. Kur kujtojmë hoxhallarët dhe dijetarët e mëparshëm, më duket sikur nuk po bëjmë asgjë. Padyshim që, me bekimin e Zotit, po arrijmë të japim edhe një kontribut modest me ligjërata, këshilla edhe në rrjetet sociale. Detyrimisht imami duhet të ndajë një kohë edhe për këtë. Kemi një vërshim të madh të rinisë dhe të shtresave të tjera të shoqërisë në rrjete sociale. Një ditë, pas namazit të sabahut, vura re që ishin aktivë mbi 220 veta, ndërsa në darkë me mijëra veta. Kështu që është me shumë rëndësi t’u thuash një fjalë të mirë, një këshillë të ëmbël, një sugjerim të dobishëm. Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta thotë një fjalë të mirë!”
Lus Allahun, të më përdorë në gjëra të dobishme!
• Cili është raporti juaj me vendlindjen?


Vendlindja ime ku u rrita, por nga mosha 15 vjeçe u largova, është Presheva. Kam mall, por ja, deshi Allahu që të jem me detyrë imam në Bujanoc, që prej vitit 2002. Këtu jam pritur mirë dhe e kam gjetur veten. E falënderoj Allahun, pastaj i jam mirënjohës qytetarëve të Bujanocit për përkrahjen dhe mbështetjen që më kanë dhënë këto vite.
• Sa gjeni kohë t’i përkushtoni rrethit familjar e shoqëror, përtej angazhimeve tuaja?
Po mundohemi. Deri më tani kemi arritur, deri diku, ta kemi një barazpeshim. Por detyrat janë të mëdha, nevojat e njerëzve janë të shumëllojta. Dëshira e madhe është për t’i ndihmuar njerëzve, por mundësitë janë të kufizuara. Sa i përket rrethit familjar, duhet t’i kushtohet rëndësi. Vizitat, interesimi dhe kujdesi ndaj tyre nuk duhet të anashkalohen. Për këtë na porosit edhe profeti Muhamed (a.s): “Padyshim që ai i cili mban lidhjet familjare, Allahu e bekon jetën e tij dhe i dhuron sukses të vazhdueshëm.”
• Përveç fushës së thirrjes islame, cilat janë nga disa pasionet tuaja?
Libri, leximi. Siç thuhet në urtësinë e vjetër: “Kërkoje diturinë nga djepi, deri në pragun e vdekjes!” Andaj ushqimi i trurit është leximi. Sigurisht që mendjen e shëndoshë duhet ta menaxhojë një trup i shëndoshë. Merremi nga pak edhe me aktivitete fizike dhe ecje.
• Na thoni, sa jeni të kënaqur me gjeneratën e re? Si e shihni perspektivën e të rinjve të Luginës së Preshevës dhe më gjerë?
Kemi një rini të mirë e të mrekullueshme, por sfidat e jetës kanë bërë që kjo rini të përballet edhe me probleme të natyrave të ndryshme. Unë them që pjesa dërrmuese e rinisë janë të ruajtur në besim dhe moral, megjithatë shohim edhe dukuri negative. Sulmet janë të mëdha dhe të shigjetuara te të rinjtë. Duhet vepruar në shumë drejtime, për ta ruajtur rininë. Familja duhet të kujdeset për fëmijët, ata janë “sytë e ballit’’, ndërsa shkolla duhet të kujdeset që t’i mobilizojë me dije e moral. Aq sa investojmë për gjeneratën e re, ashtu do ta kemi të ardhmen.
• Duke qenë se po troket Muaji i Madhëruar i Ramazanit, sezoni i adhurimeve, a mund të ndani me lexuesit tanë disa këshilla për një Ramazan sa më produktiv?

I lutem Zotit të na mundësojë ta shijojmë kënaqësinë e adhurimit në këtë muaj! Në momentin kur shohim ndërrimin e hënës, që na sinjalizon fillimin e Muajit Ramazan, çdo gjë në gjithësi ndryshon. Hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.
Ky është një lehtësim për besimtarin, që ta adhurojë Zotin, t’i përulet Atij, t’i përkushtohet me zemër e shpirt. Besimtari duhet ta kujtojë thirrjen e njohur: “O kërkues i mirësisë, shpejto!”
Çdo gjë në gjithësi ndryshon, po ashtu duhet të ndryshojë edhe njeriu, sidomos besimtari i cili duhet ta presë Ramazanin në paqe, në këto forma:
– Me lutje, për një Ramazan me shëndet të mirë, duke mundësuar që adhurimet t’i jetësojë me elegancë.
– Falënderim dhe mirënjohje ndaj Allahut, për një mundësi të tillë.
– Gëzimi për muajin dhe urimi për të tjerët, kështu vepronte profeti Muhamed (a.s).
– Planifikimi dhe hartimi i një programi, që çdo orë të shfrytëzohet në kënaqësinë e Zotit.
– Mos të harrohet ‘ISTIGFARI’ (kërkimfalja) për veten dhe prindërit, gjatë gjithë muajit.
• Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?
Fillimisht, më lejoni të them se revista “Familja” është familja ime. E lexoj dhe dorën në zemër. Po përfitoj shumë prej saj, madje disa herë shkrimet e “Familjes” i kam referencë për këshillime familjare.
Porosia ime për lexuesit është që ta lexojnë revistën “Familja”.
Aty gjeni njohuri të nevojshme për çështje sociale, kulturore e fetare, mundësi për gjithsecilin, që të njihet me nevojat familjare, brenda dhe jashtë saj.
Aty gjeni këshillimet e drejta mbi moralin, bamirësinë, besimin e kulturën, një ndër elementet thelbësore të komunikimit, mundësi për t’u shprehur hapur.
Aty nuk mungojnë këshillimet për fëmijët, për shëndetin, për librin. “Familja” ju familjarizon edhe me shqiptarët kudo që jetojnë në botë, nëpërmjet përshkrimeve dhe intervistave.
Allahu e bekoftë revistën “Familja” dhe gjithë stafin!
I lutemi Allahut, t’i mjaltosë familjet tona dhe “Familjen” me dije dhe besim!

Revista “Familja”, maj 2018