Si ta mbjellim dashurinë për Ramazanin në zemrat e fëmijëve tanë

92

Nga Abdyl Fuga

Përgjegjësia e rritjes dhe edukimit të fëmijëve është një obligim i madh mbi supet e prindërve. Ata janë djepi dhe shkolla e parë ku fëmijët marrin mësimet e para të edukimit dhe moralit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Tahrim, 6)
Prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të rriten, aftësohen dhe edukohen si njerëz të denjë, të dobishëm për familjen, rrethin e shoqërinë. Prindërit kanë për detyrë t’u formojnë fëmijëve të tyre shprehitë themelore kulturore, të cilat duhet të kultivohen dhe të ngrihen në nivel të lartë, në shkollë dhe jashtë saj. Arritja e mjeshtërisë së një prindi nuk matet me shkallën e shkollimit dhe nivelin e tij, por me aftësinë për të komunikuar me fëmijët, me lehtësinë dhe natyrshmërinë e kërkesave, me bindje, me qëndrim dhe parim të fakteve logjike jetësore.
Për këtë, i Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë do të përgjigjeni për kopenë tuaj. Sunduesi është bari′ dhe ai është përgjegjës për popullin e vet. Njeriu është bari′ dhe ai është përgjegjës për familjen e vet. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo është përgjegjëse për kopenë e vet.”
Edukata dhe morali i fëmijëve u bëjnë dobi prindërve në këtë botë dhe në Botën Tjetër. I Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Nëse vdes biri i Ademit, i ndërpriten të gjitha veprat, përveç tri veprave: Lëmosha, dobia e së cilës vazhdon; dituria e dobishme dhe fëmija i devotshëm, i cili bën duá për prindin e vet.”

Disa këshilla se si ta mbjellim dashurinë e Ramazanit në zemrat e fëmijëve tanë
1. Manifestimi i gëzimit dhe haresë për ardhjen e këtij Muaji të Bekuar, që fëmijët të ndjejnë rëndësinë e këtij mysafiri të çmuar, duke i treguar dënimin e atij i cili, në mënyrë publike, e prish agjërimin.
2. Informimi i fëmijëve mbi agjërimin. Për çdo ditë ulu me fëmijët e tu dhe tregoju vlerën e Muajit të Bekuar të Ramazanit, se dyert e Xhenetit janë të hapura, se ky muaj është një kopsht i mbushur plot me fruta! Mësoja atyre rregullat e agjërimit, çfarë kërkohet nga njeriu në Ramazan, ta edukosh dhe mësosh gjithçka mbi Ramazanin, t’ia bësh të qartë urtësitë dhe sekretet e agjërimit, ta mësosh se çfarë duhet bërë në Ramazan dhe prej çfarë duhet larguar!


3. Inkurajimi i fëmijëve për të agjëruar. Prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët e tyre që të agjërojnë disa ditë, që të mësohen me këtë dhe kështu do të rriten me njohjen e adhurimit të agjërimit. Po ashtu duhet të dinë edhe për faljen e namazit, sepse ky i fundit është thelbi i fesë. Kjo ishte metoda e edukimit në gjeneratat e para. Dëshmi për këtë, është hadithi që e transmeton Rabija bint Muvaje, e cila thotë: “Në mëngjes, në ditën e Ashuras, Profeti (a.s.) dërgoi një njeri te shtëpitë e ensarëve dhe i tha: ‘Kushdo që ka kaluar mëngjesin duke agjëruar, le ta kompletojë agjërimin e tij! Kushdo që nuk ka kaluar këtë mëngjes duke agjëruar, duhet të agjërojë në mënyrë vullnetare pjesën e mbetur të ditës.’ Ne agjëruam pas njoftimit, ashtu sikurse bënë edhe fëmijët tanë. Ne shkonim në xhami dhe u krijonim lodra prej pambuku, që ata të luanin me to. Nëse ndonjëri nga fëmijët fillonte të qante për shkak të urisë, ne u jepnim këto lodra për të luajtur, derisa arrihej koha për të ngrënë.”
4. Nxitja e fëmijëve për të shkuar në xhami. Këshillojini fëmijët që të vijnë me ju në xhami për namazin e akshamit dhe prishjen e agjërimit, së bashku me muslimanët, me qëllim që ata të ndjejnë madhështinë e agjërimit dhe unitetit të muslimanëve në adhurimin e Allahut.
5. Këshillimi i fëmijëve për vendin që duhet të zërë adhurimi, kundrejt veprave të padobishme. Nxitni fëmijët për të menaxhuar kohën, duke e shfrytëzuar një pjesë të saj për adhurimin ndaj Zotit! Paralajmërimi nga veprat e padobishme, nga gjumi i tepërt, ulja e kohës së gjatë para ekranit televiziv dhe largimi nga veset e këqija, janë detyrë e çdo prindi. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra, para se të vijnë pesë të tjera: Shfrytëzo rininë, para pleqërisë; shëndetin, para sëmundjes; pasurinë, para varfërisë; kohën e lire, para se të angazhohesh me diçka nga jeta dhe jetën, para vdekjes!”.
6. Dhënia e lëmoshës nga fëmijët. Mësojini ata të japin lëmoshë! Jepini të hollat atij, ose një vepër të tillë bëjeni në prezencë të tyre dhe tregojini se po e bëni këtë, sepse shpërblimet në Ramazan janë të shumëfishuara. Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut, është si i një kokrre që i mbijnë shtatë kallinj, me njëqind kokrra në secilin kalli. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron. Allahu është Bujar i madh, i di qëllimet.” (Bekare, 261)
7. Leximi dhe mësimi i Kuranit nga fëmijët. Cakto një kohë për ta, për të lexuar Kuran! Nëse nuk dinë, atëherë ky është një shans i mirë, që t′ua mësosh, apo t′i dërgosh në xhami ku mësohet mësim-leximi i Kuranit! Informoi ata se muaji i Ramazanit është muaj i Kuranit, andaj duhet lexuar, pasi një gjë të tillë e ka bërë edhe i Dërguari i Allahut (a.s), shokët e tij besnikë dhe gjithë njerëzit e mirë dhe besimtarë.
8. Nxitja e fëmijëve për të marrë pjesë në tubimet dhe ligjëratat fetare nëpër xhami.
9. Ngrënia e syfyrit dhe iftarit është gëzim për muslimanin. Zgjojini fëmijët për në syfyr, edhe pse nuk agjërojnë, ulini në sofrën e iftarit, mësojini lutjet që duhen bërë gjatë iftarit, në mënyrë që edhe ata të ndjejnë kënaqësinë dhe gëzimin e iftarit!
10. Korrigjimi i veprave të tyre gjatë Ramazanit, mbjellja në mendjet e tyre se janë të monitoruar nga Allahu dhe se veprat e këqija dhe morali i keq janë shkak që sevapet e agjëruesit të pakësohen.

Revista Familja, maj 2018