Agjërimi në dimensionin neuropsikologjik

111

Nga Blerina Memaj, psikologe

Agjërimi është praktikë e cila ka qenë pjesë e stileve religjioze të jetës për shekuj të tërë. Agjërimi parasheh ‘ndaljen’ e konsumimit të ushqimit për një periudhë të caktuar kohore. Shumë mund të mendojnë se ta ndalosh trupin nga vlerat ushqyese, mund t’ju bëjë vetëm dëm, por, faktikisht, kjo dukuri sjell vetëm se efekte pozitive për të gjithë organizmin. Shumë studiues me famë botërore kanë dalë në përfundime mahnitëse, gjatë kohës që kanë eksperimentuar për agjërimin. Nga studimet, rezulton se agjërimi është forcues i sistemit nervor dhe përmirëson funksionin e trurit. Shumica e shkencëtarëve tashmë besojnë se agjërimi i rregullt është një nga strategjitë kyçe për të maksimizuar funksionin e trurit dhe për ta fuqizuar atë.

Një studim ka treguar se agjërimi mund të reduktojnë ndjeshëm efektet e plakjes në tru.

Hulumtuesit në Institutin Kombëtar të Plakjes, në Baltimore, kanë shqyrtuar literaturën dhe kanë kryer studime për të treguar influencën që ka agjërimi në parandalimin e këtij fenomeni, krahasuar me ata që nuk e aplikojnë atë. Këtë e ka bërë të qartë profesori Mark Mattson, kreu i laboratorit të Neuroshkencës në Institut. Gjithashtu ai ka qartësuar se këto përfitime nuk ishin të lidhura vetëm me kufizimin e kalorive.

Një gjetje tjetër tregon se, pas agjërimit, për më shumë se 6 orë fillon faza e spastrimit. Gjatë kësaj faze shkatërrohen qelizat e vjetra të dëmtuara. Ky proces kthehet në autofag të trurit ose “vetëngrënie”, ku qelizat nervore riciklojnë mbeturinat, rregullojnë produktet e mbeturinave dhe riparojnë veten.

Agjërimi është ushtrimi i qelizave të trurit, ngjashëm me palestrën për trupin

Disa ekspertë besojnë se agjërimi i përhershëm i vë qelizat e trurit nën ‘stres’ të butë, që është e ngjashme me efektet e ushtrimeve gjimnastikore mbi qelizat e muskujve. ‘Stresi’ bën që ato të përshtaten për të marrë energji me efikasitet. Dihet se trupi rimëkëmbet, nga stërvitja intensive, nëpër dy faza: ndërtimi dhe pastrimi. Diçka e ngjashme ndodh edhe me sistemin nervor gjatë agjërimit.

Agjërimi përmirëson komunikimin midis qelizave nervore (neuroneve)

Faktori BDNF drejton procesin e formimit të neuroneve të reja dhe gjenerimin e sinapseve (lidhjeve të reja midis neuroneve) brenda trurit. Nivelet më të larta të BDNF çojnë në neurone më të shëndetshme dhe procese më të mira të komunikimit mes këtyre qelizave neurologjike. Ky mekanizëm, sipas disa ekspertëve, merr hov gjatë agjërimit. Nivelet e ulëta të BDNF janë të lidhura me Alzheimerin, humbjen e kujtesës dhe probleme të tjera psikologjike.

Agjërimi dhe inteligjenca

Disa ekspertë besojnë se praktika e agjërimit në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë ajo e tipit “një ditë po, një ditë jo”, kontribuon në rritjen e koeficientit të inteligjencës. Pra, për të pasur një rezultat të kënaqshëm, duhet të aplikoni sa më shpesh agjërimin çdo dy ditë (pra një ditë po, një ditë jo), sepse ky lloj agjërimi stimulon rritjen e qelizave të reja të trurit. Rrjedhimisht, gjenerojnë më shumë lidhje sinaptike, çka çon në nivel më të lartë inteligjence.

Së fundmi, ka qenë shkencëtari japonez Joshinori Ohsumi i cili në zbulimin e tij ka folur për mënyrën se si pastrohet trupi nga qelizat e dëmshme, nëpërmjet programit“Otofazhoni”, gjatë ditëve të agjërimit.

Por, para se të jetë pastrues i trupit, pjesë materiale të njeriut, agjërimi është pastrues për të brendshmen e tij, shpirtin.

Gjate orëve të caktuara të agjërimit, njeriu shkëputet nga nevojat bazë, veç të tjerash, ushqimi dhe pija. Sipas teorisë psikologjike të A. Maslow, në piramidën e hierarkisë së nevojave, ushqimi dhe pija klasifikohen si primare, në drejtimin nga poshtë – lart.

Por çfarë ndodh me unin (nefsin), nëse shkëputesh nga këto nevoja për disa orë në ditë, gjatë një muaji?

Një segment i rëndësishëm i agjërimit, në këndvështrimin psikologjik, është të qënurit terapi hyjnore. Kjo shërben si mbrojtje për individin nga prirjet çrregulluese të egocentrizmit. Në kohërat që po jetojmë, është vështirë t′i gjesh ‘urat’ e zbutjes së këtij fenomeni destruktiv shpirtëror. Egocentrizmi bëhet shkak që njeriu të kalojë në vetëpëlqim, përqendrim te vetvetja, duke përbuzur njerëzit rreth tij, apo gjëra të tjera edhe më të çuditshme!

Duke qenë se agjërimi, siç e theksuam më lart, në vetvete privon nga konsumimi i ushqimit dhe pijeve, automatikisht themi se njeriu, para së gjithash, i anashkalon kërkesat e trupit, duke u dhënë përparësi nevojave të shpirtit. Ky, në vetvete është një edukim, një edukim hyjnor. Niveli i vetëkontrollit rritet dhe kontribuon në prirjen për të drejtuar personalitetin. Ndonjëherë kjo nuk është e lehtë të ndodhë, por mbetet në nivelet e edukimit, pavarësisht intensitetit të efekteve. Nëse analizojmë me kujdes, agjërimi ndikon në pikëpamjen që kemi për modestinë, duke e përsosur atë.

 

Gjatë agjërimit, perceptimi për veten ekuilibrohet, kuptojmë se vërtet nuk jemi të përkryer, aq më pak superior. Duke ndjerë urinë dhe etjen, në fakt ndjen nevojën dhe dobësinë. Aktivizohet dhe avancon empatia, elementi pa të cilin një profesionist si psikologu nuk mund të punojë. Kupton se edhe ti je i lëndueshëm dhe i dobët, ashtu si shumë prej atyre përreth teje, qëndron në pozicionin e tyre, në realitet. Kupton botën në prizmin real të tjetrit, sa i përket nevojave themelore, të varfrit, nevojtarit, jetimit e të ngjashëm me ta. Të provuarit e kësaj ndjesie, nxit ndjenjat e mëshirës, dashurisë, përkujdesjes.

Pas shpjegimit sa më lart, mund të themi se njeriu, si qenie sociale, nëpërmjet agjërimit, ngrihet në një tjetër dimension. Gjendja e agjërimit rrit gatishmërinë e tij për ta çliruar veten nga plaga bashkëkohore e egocentrizmit, si sjellje destruktive, vetëshkatërruese.

Revista Familja, maj 2018