Përrallë “Dasma e iriqëve”

60

Na ishin njëherë disa iriqë që jetonin së bashku në folenë e tyre brenda një pylli të dendur me shkurre e me pemë të larta. Mami dhe babi iriqi kujdeseshin shumë për të vegjëlit e tyre. E ëma, nga meraku që kishte për to, nuk i linte të dilnin nga foleja e tyre asnjë çast.

Kështu, iriqët e vegjël nuk njihnin askënd përveç prindërve të tyre. Një ditë të bukur plot diell, prindërve iriq iu erdhi një ftesë dasme nga të afërmit e tyre. Pas këtij lajmi të gëzueshëm, ata filluan të përgatiteshin për të marrë pjesë në dasmën e kushërinjve. Mirëpo, ndodhi diçka e padëshiruar për to. Iriqi më i vogël nuk pranonte të vishej e madje as të shkonte në dasëm.

  • Eja të vishesh se u bëmë vonë, dasma fillon pas pak, – i lutej e ëma iriqit të vogël.
  • Jo, unë kam frikë, nuk i njoh kushërinjtë iriq. Ato asnjëherë nuk kanë ardhur tek ne dhe as ne nuk i kemi vizituar më parë, – ia kthen iriqi i vogël.

E ëma e kuptoi se kishte gabuar duke i lënë të vegjëlit e saj vetëm brenda. Pas disa përpjekjesh arritën që ta bindnin iriqin. Më pas, e gjithë familja e iriqëve u bë gati dhe u nisën të gëzuar drejt folesë së kushërinjve që kishin dasmën. Që prej asaj dite, prindërit iriq i lejonin të vegjëlit e tyre të shoqëroheshin me kushërinjtë, me qëllim që të njiheshin dhe të duheshin mes tyre.

Morali: Ruani dhe forconi lidhjet farefisnore.

Foleza jeshile, nr. 23