Procesi i socializimit nën ndikimin e internetit

106

Njeriu është qenie e krijuar për të jetuar në shoqëri me njerëzit, për të pasur miqësi dhe raporte të ndërsjella njerëzore. “Nëse do të kishim nevojë për prova se njerëzit janë krijesa sociale ne thelb, ekzistenca e miqësisë do të na mjaftonte plotësisht. Siç thotë Aristoteli: “Askush nuk do të zgjidhte një jetë pa miq, edhe sikur t’i kishte të gjitha të mirat”.

Një ndër problemet më të mëdha të shoqërisë së sotme është dhe humbja apo zbehja e dëshirës për t’u shoqëruar për të qëndruar me njerëz, edhe siç u citua më lartë, qëndrimi është nevojë jetësore. Shkaqet që çojnë në këtë individualizëm janë të shumtë, qofshin këto sociale, siç është pamundësia për të pasur kohë të lirë sepse “vorbulla e jetës” dhe rutina e përditshme e punëve sa vjen dhe bëhet më vrastare. Por ka dhe një problem tjetër, i cili ndikon pikërisht në këtë individualizëm vrasës.Charles Taylor e ka quajtur Individualizmin si një shqetësim dhe sëmundje reale të shekullit tonë. Ai thotë “Jetojmë në një botë ku njerëzit kanë të drejtë të përzgjedhin modelet e veta të jetës, të vendosin me vetëdije se çfarë bindjesh të përqafojnë, të përcaktojnë trajtat e jetës në një shumëllojshmëri mënyrash, të cilat paraardhësit e tyre nuk mund t’i kontrollonin”.

Problemi nuk qëndron në këta që sapo përmendëm, por në faktin se njerëzit mendojnë se mendimi i tyre është absolut dhe se nuk gjejnë dot gjuhën e përbashkët me bashkëbiseduesit duke menduar se supermacia e tyre në mendim është e panegociueshme, ndaj dhe mbyllen në vetvete gjithnjë e më shumë.

communication-technology4Disa gjejnë ngushëllim në lidhje të reja me metoda të reja, siç janë mundësitë e shumta që na ofron Kibernetika. Shohim shumë të rinj dhe të reja që teksa janë në grup më tepër i kushtojnë rëndësi përdorimit të Smart Phone-ve, për të komunikuar me personin tjetër që gjendet diku larg në hapësirë se sa të komunikojnë me kolegun që kanë ngjitur me të. Si për të mos mjaftuar telefoni, që është përhapur në masë sidomos më afrimin e internetit nga operatorët e telefonisë celulare, por dhe kur janë në shtëpi pranë njerëzve të tyre më të afërt, më shumë dëshirë kanë të hapin Facebook-un se sa të rrijnë e të flasin më familjen dhe fëmijët e tyre. Kjo është një problematikë e cila dita ditës po merr përmasat e një epidemie sociale ku nuk i dihet e ardhmja. Për vetë shtrirjen e saj në këto përmasa shumë studiues i kanë kushtuar rëndësi studimit të këtij fenomeni për të qenë në gjendje t’i dalin përpara këtij fenomeni për ta orientuar përdoruesin e internetin që ta shfrytëzojë në mënyrë sa më efiçente.

Studimet vënë në pah avantazhet dhe disavantazhet që ka ky lloj komunikimi.

foto1- Ja disa nga këto avantazhe:

• Shpejtësia e përçimit të mesazheve nga një përdorues tek një tjetër në kohë reale. Kjo ndodh kur kemi komunikim Sinkronik. Por jo vetëm kur janë të dy palët on-line, sepse mundësia e përdorimit të e-maile-ve ka bërë që komunikimi të jetë edhe në rastet kur dikush nuk është i disponueshëm në anën tjetër.

• Shmangia e distancës, sado të mëdha qofshin ato. Komunikimi Kibernetik na e ofron këtë mundësi në një formë të përkryer, “ne mund të komunikojmë me njerëz në shtete të tjera, aq lehtë, sikur të flasim me fqinjin tonë përballë. Kjo paraqet mundësi stimuluese”.

• Filtrimi i informacionit, “mbi të cilin bazohen përshtypjet e para si tërheqja fizike, gjinia, mosha dhe raca. Ndërsa mund të na duket e dobishme të marrim informacion rreth karakteristikave të njerëzve, ky informacion gjithashtu nganjëherë shkakton paragjykim dhe diskriminim”. Ne kemi mundësi që t’i bazojmë bindjet tona duke u nisur nga ajo që na është përçuar nëpërmjet postës elekronike, duke lënë anash çdo lloj ndjesie negative që mund të na ngjallë komunikimi i drejtëpërdrejtë.

• Eleminimi i komunikimit me simbole. Komunikimi me simbole ka problematikat e veta shumë të mprehta. Në më të shumtën e rasteve ai sjell keqkuptime sa se mirëkuptime. Ka të drejtë Umberto Eco kur flet për simbolin dhe thotë se nuk ia sugjeronte nxënësve të tij këtë lloj komunikimi vetëm në rastet kur janë plotësisht të sigurtë për të shmangur çdo lloj keqinterpretimi të tyre. Këtë problematikë nuk e hasim në komunikimin on-line, sepse kjo mënyrë e të komunikuarit e shamang “gjuhën e trupit”, me atë të cilit përçohen shumica e simboleve. Kjo është një meritë e madhe e komunikimit kibernetik, ndaj dhe po aplikohet gjithnjë e më shumë në organizatat më përbërje shumë kulturore pikërisht për të shmagur këtë lloj keqinterpretimi.

• Mirartikulimi i mesazhit. Duke qenë se në komunikimin kibernetik ke kohën e duhur ta shohësh dhe rishohësh mesazhin që doni t’ia dërgoni dikujt, kjo ju jep mundësinë që të shmangni në maksimum, qoftë gabimet ortografike, qoftë ato esenciale. Përveç kësaj ky lloj komunikimi ju jep mundësinë që të shkruani përgjigjen apo reagimin ndaj dikujt me qetësi e gjakftohtësi, duke shmangur kështu acarimin me personin që jeni ne lidhje ndërvartësie me të.

• Verifikimi i mesazheve. Teknologjia ka bërë të mundur që të arshivohen të gjitha mesazhet e dhëna dhe të marra për t’u ballafaquar më pas për çdolloj keqinterpretimi. Kjo të jep mundësinë që në një farë mënyre të jesh i kujdesshëm në ato që thua dhe që shkruan duke e ditur se një ditë mund të ballafaqoheh me pasojat që mund t’ju sjellin ato mesazhe. Nga ana tjetër kjo është dhe pozitive sepse shmang çdo lloj mosmarrëveshje nisur nga keqkuptimi që mund të lindë nga ato që ke thënë apo ke shkruar.

2- Disavantazhet

Le të ndalemi tani tek disavantazhet që ka komunikimi kibernetik. Po t’i shohim me vëmendje, disa nga këto avantazhe kthehen në të kundërtën e tyre nëse ato keqpërdoren.

• Komunikim i cunguar. Të gjithë biem dakord se “gjuha e trupit” ka rëndësinë e vet në komunikim, pasi ajo jep mesazhe të cilat vështirë se mund të jepen në komunikimin on-line. Sado që të mundohemi për ta shprehur me fjalë një ndjenjë gëzimi, hidhërimi apo mërzie është shumë herë më e vështirë për ta përçuar këtë mesazh nëse nuk gjendemi në komunikimin ballë për ballë. Atë që na e tregon mimika e fytyrës vështirë se mund ta thonë një mijë fjalë.

• Koha e gjatë. Është llogaritur se diferenca kohore për të dhënë një mesazh nëpërmjet internetit është katër herë më e madhe se sa komunikimi i drejtpërdrejtë. Kjo e vështirëson disi komunikimin sidomos në ato vende  ku interneti është akoma i shtrenjtë dhe nuk është aq familjar për një shumicë të konsiderueshme njerëzish.

• Reagimi i vonuar. “Shpejtësia e reagimit ndaj një mesazhi është tregues i nivelit të mardhënieve ndërmjet dy personave që kanë zgjedhur komunikim kibernetik. Një përgjigje e menjëhershme tregon respekt dhe pëlqim në një marrdhënie të re ose në lidhje me punën. Nga ana tjetër, një përgjigje e vonuar ndaj dikujt mund të tregojë ndjenjë dhe pëlqim në një marrdhënie më intime; partnerët, të cilët ndihen mirë me njeri-tjetrin, s’kanë nevojë t’u përgjigjen me shpejtësi njëri-tjetrit.”

• Mungesa e dhuratave. Mund të duket si jashtë kontektsit, por komunikimi on-line përballet me këtë disavantazh në krijimin e marrdhënieve të ngushta apo socializimin me dikënd, pasi nuk ta ofron mundësinë e dhënies së dhuratave. Emmanuel Mounier tregon: “Forca e gjallë e hovit personal është bujaria dhe dhurimi. Ekonomia e personit është një ekonomi dhurimi, jo një ekonomi shpërblimi apo përllogaritjeje. Dhurimi e shkrin mjegullën dhe e asgjëson vetminë e subjektit, edhe kur ai nuk shpërblehet…”.

• Manipulimi. Në komunikimin on-line mundësia për të përcjellë atë informacion që është pozitiv dhe mënjanimi i atyre të dhënave që nuk do dëshiroje t’i merrte vesh personi në anën tjetër, diku larg, është shumë e mundshme. Pra, ti paraqet atë që ju shkon për shtat dhe ju nderon. Në këtë rast marrdhëniet mund të pësojnë një çarje kur dalin në shesh, nga komunikimi i drejtpërdrejtë, ato mangësi që nuk i shfaqte komunikimi on-line.

3- Second Life

Jeta e Dytë (Second Life) është një botë virtuale e zhvilluar në laboratorët e kompanisë LINDEN dhe e ka zanafillën më 23 qershor 2003. Nëpërmjet aksesit në Internet një program i quajtur VIEWER, lejon përdoruesit e tij të quajtur RESIDENTS të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Rezidentët mund të eksplorojnë, të shoqërohen e takohen me rezidentë të tjerë, të marrin pjesë në aktivitete individuale dhe në grup, të krijojnë dhe tregtojnë prona dhe shërbime virtuale me njëri-tjetrin, ose të udhëtojnë apo fluturojnë nëpër botën virtuale.

Studimet e fundit tregojnë se Jeta e Dytë përdoret në më shumë se 80% të universiteteve në Mbretërinë e Bashkuar (UK). Së paku 300 universitete në mbarë botën mësojnë kurse apo kryejnë hulumtime në Jetën e Dytë. Ka institucione të reja arsimore që operojnë vetëm brenda këtij mjedisi, duke përfituar nga platforma për të dhënë përmbajtje në një audiencë të gjerë botërore me kosto të ulët.

Shërbimet që ofron ky sistem janë akademike, publike dhe speciale. Një program pilot filloi në Jetën e Dytë, në shtator të vitit 2006 me thirrjen për pjesëmarrjen e vullnetarëve. Shumë bibliotekarë shfaqën interes për këtë mjedis të ri dhe morën pjesë në këtë projekt në kohën e tyre të lirë. Ky trend tani ka ndryshuar dhe shumë bibliotekarë janë bashkuar në shërbimin e referencës në Jetën e Dytë edhe me mbështetjen e administratorëve të tyre. Përpara se të fillonte projekti, bibliotekarët pjesëmarrës patën një trajnim orientues të shpejtë për objektet të cilat do të kishin në inventar dhe do t’i ndanin me përdoruesit dhe të dinin të jepnin përgjigje për pyetje kyç.

Studimi i kryer nga Joseph Walther, mbi komunikimin kibernetik tregon: “Njerëzit që njihen on-line mund të fillojnë një marrëdhënie intime po me aq efektshmëri sikur të ishin njohur ballë për ballë, por në vend që të krijojnë përshtyjet e tyre për njëri-tjetrin nëpërmjet sinjaleve joverbale, ata e bëjnë këtë gjë nëpërmjet të asaj që shkruajnë”.

Po paraqes disa statistika të disa anketave të bëra në Amerikë rreth frekuentimit dhe lidhjeve që mund të krijohen nëpërmjet internetit. “Përsa i përket frekuentimit ndërkulturor në çift on-line, 31% e të rriturve amerikanë (63 milionë njerëz), thonë se ata njohin dikë që ka përdorur një faqe interneti frekuentimi në çift; 14% thonë se njohin dikë që është në një marrëdhenie të gjatë apo i/e martuar me dikë që ka takuar on-line; dhe rreth 1 në 10 përdorues interneti, thonë se ata kanë vizituar një faqe interneti frekuentimi në çift. Të rinjtë dhe meshkujt, më tepër se femrat, janë më entuziastë rreth frekuentimit në çift on-line”.

KORRIK-GUSHT 2013