Pse duhet t’i themi ‘po’, mjekesise alternative?

51

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje patjetër duhet të vendosen në peshore dy format e mjekimit, e më pas gjithsecili të vendosë vetë se çfarë rruge duhet të zgjedhë për mbrojtjen e shëndetit të tij.

Mjekësia alternative ka lindur me krijimin e botës dhe synon të vendosë harmoninë mes njeriut dhe botës që e rrethon. Ajo është një mjekësi e cila jeton bashkë me njeriun çdo ditë, çdo kohë, sepse mbështetet në ushqimet që ne hamë, në çajrat dhe lulet, në masazhet, vrapimet, sportet, liqenet dhe detrat, në të gjithë natyrën e mrekullueshme që ka krijuar Krijuesi i gjithësisë. Malet, fushat, kodrat, livadhet me gjelbërim, detrat dhe liqenet, me florën dhe faunën e mrekullueshme, janë armët më të fuqishme të mjekësisë alternative, që duhet të përdoren përditë që kjo mjekësi të japë frytet e saj. Meditimi në mrekullitë e natyrës, që Krijuesi i gjithësisë ka krijuar është një mjekim i shkëlqyer për streset, të cilat vijnë si pasojë e një imuniteti të dobët të një bote moderne me qytete të betonta, makineri pafund e ushqime boshe të supermarketeve me afatë skadence disavjeçare.

Ndërsa, nga ana tjetër, mjekësia moderne merret kryesisht me kurimin e simptomave. Çdo vit shfaqen sëmundje të reja, çdo vit flitet për një virus apo mikrob të ri. Kur në vazhdimësinë e sëmundjes kapet një mikrob, si të bëhej fjalë për një hajdut, menjëherë ky përkufizohet si “mikroorganizëm” dhe mbahet përgjegjës për vet sëmundjen. Për të larguar këtë të “keqe” bëhen përpjekje për të eleminuar këto bakterie në rrugë kirurgjikale dhe farmakologjike. Eleminimi i simptomave me anë të medikamenteve nuk sjell ndonjë ndihmesë të madhe, por përkundrazi e dobëson organizmin. Mjafton të shohësh efektet anësore të tyre dhe e kupton qartë këtë gjë.

Mjekësia alternative ka përdorim krejt ndryshe. Ai që ndjek një vijë të drejtë mendimi, nuk arrin asnjëherë të vendosë pengesa të kota midis vetes dhe botës së bakterieve. Ai e di që dhe viruset, dhe bakteriet e kanë një arsye pse ekzistojnë, dhe se janë të dobishëm për njeriun. Bakteret nuk janë armiqtë tanë, ata janë pjesë e vetë jetës sonë. Ato gjenden në ushqimet që ne konsumojmë, në ujin që ne pimë, në ajrin që ne thithim. Prandaj nuk mund ta dëmtojnë bakteret ose viruset një person që gëzon një shëndet të plotë. Të gjithë ne duhet të mësojmë të kurojmë vetveten. Mjekësia alternative na mëson se mjekimi më i mirë është ushqimi pastaj bimët, uji, dhe teknikat e ndryshme, si: hixhamja, akupuntura, masazhet, ujërat kurative për të kuruar sëmundjet specifike.

Nga ana tjetër qëndrimi “antimikrob” i shkencës sonë moderne është zhvilluar nga paaftësia e njeriut modern për t’u mbajtur i fortë në trup dhe në shëndet. Mjekësia moderne është në një masë të madhe analitike, sepse ata që e praktikojnë priren ta zbërthejnë trupin njerëzor në pjesët që e përbëjnë atë. Ata kërkojnë ta izolojnë sëmundjen në një pjesë të vetme dhe i përqendrojnë kurat e tyre në atë pjesë specifike të ndarë. Nëse na dhemb stomaku pjesa më e madhe e mjekëve dalin në konkluzionin se vetëm stomaku është i sëmurë. Ndonjëherë rreken ta “kurojnë” pjesën e sëmurë duke e hequr, si në rastin e ulçrës gastrike. Ulçerat gastrike shkaktohen nga tretja e tepruar e ushqimit dhe nga tretja e keqe e tij. Heqja e organeve është zgjidhje tepër e thjeshtëzuar. Të shkatërrosh nuk do të thotë të kurosh. Nuk mund të heqim një pjesë të trupit pa e dëmtuar të gjithë organizmin.

Mjekësia alternative nuk e koncepton trupin si një tërësi pjesësh të ndara, por e konsideron çdo organ si pjesë të së tërës dhe sëmundjen një degradim të të gjithë sistemit trupor. Mjekët më të mirë reflektojnë vazhdimisht mbi rolin e njeriut në këtë botë dhe mbi funksionimin e sëmundjeve në jetën e tij. Ata e dinë se trupi ynë nuk është i ndarë nga toka që e ushqen. Toka, bimët që ajo prodhon, kafshët dhe njerëzit janë të gjithë në marrëdhënie mes njëri-tjetrit. Në mjekësinë alternative përfshihen të gjitha parimet bazë, si zhvillohen sëmundjet, si mund të parandalohen dhe si mund të kurohen në mënyrën më praktike. Këtu i jepet shumë rëndësi ushqimit që konsumohet, pikërisht sepse ushqimi është themelor. Asnjë mjekë i përgjegjshëm nuk rekomandon asnjë ilaç të caktuar, pa u siguruar më parë se pacienti e ka kuptuar rëndësinë e mbajtjes të një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar. Nuk duhet të gënjejmë veten tonë dhe të mendojmë se sëmundjen e kemi nga një armik i jashtëm, por ne jemi përgjegjësit kryesorë për sëmundjet tona, sepse ato vijnë nga gabimet që kemi bërë vet në përzgjedhjen e llojeve të ushqimit, në lëvizje, në sporte e ushtrime.

Qelizat duhet të ushqehen me esencën e këtyre ushqimeve. Nëse organet tona nuk arrijnë të furnizohen me esencën nga ushqimi i marrë atëherë dobësohen dhe u hapin dyert shumë sëmundjeve. Ushtrimi korrekt i mjekësisë alternative kërkon aftësi të qarta gjykimi. Ne duhet të jemi në gjendje të seleksionojmë ushqimin tonë dhe ilaçet tona për pastrimin, kurimin dhe ushqimin e këtyre organeve. Unike në këtë mjekësi është se ajo mund të ushtrohet nga të gjithë. Kjo mjekësi nuk bazohet në rregulla komplekse që i “kuptojnë vetëm ata pak të përzgjedhur dhe që shkojnë përtej aftësive njohëse të të tjerëve”. Kjo lloj mjekësie flet me gjuhën e njerëzve.

Mjekësia alternative, që merret me njeriun, duhet t’u mësojë atyre praktikën e elementare të një mjekësie të thjeshtë, që të na çlirojë si qenie sociale nga zakoni i keq i besimit te gjykimi i mirë apo i keq i një njeriu tjetër, zakon ky që ka për rezultat të vetëm atë të largimit nga qëllimi për të cilin luftojmë të gjithë: i një jete të mirë dhe i një shëndeti të mirë. Në mjekësinë alternative njeriu gjen lirinë, në një kohë ku makineritë janë duke zëvendësuar gjykimin e natyrshëm të njeriut, për një jetë të qetë dhe shëndet të plotë në një natyrë të bukur të mbushur plot gjallëri, jetë dhe shëndet. Parandaloni sëmundjet tuaja me  mjekësinë alternative përpara se…

Mars-Prill 2013