Intervistë me Kryeredaktoren e “Design Magazine” – Khulud Attar

Nuk janë të pakta femrat që kanë arritur majat e suksesit në fusha të ndryshme. Madje jo rrallëherë, kanë shënuar rezultate që janë vlerësuar nga mbarë shoqëria njerëzore. Siç mund të themi se nuk ka mbetur ndonjë fushë e pa shkelur apo tabu që femra të mos ketë dhënë kontributin e saj të pazëvendësueshëm. Në kohën që jetojmë, kur bota falë arritjeve bashkëkohore është kthyer në një “fshat të vogël”, njihemi gjithnjë e më shumë me sukseset e arritura nga femrat në politikë, ekonomi, kulturë e art, apo dhe fusha të tjera. Kohë në të cilën femra është e angazhuar ku më shumë e ku më pak në të gjitha nivelet vendimmarrëse, drejtuese e menaxhuese të çdo shoqërie. Edhe pse e keq interpretuar në rregullat e saj shoqërore, bota arabe, sulmohet edhe sot për mungesën e emancipimit të femrës, madje janë kryer fushata të tëra nën pretekstin e çlirimit të saj, nën trysninë e pandërprerë të mediave botërore ku femra mulsimane në përgjithësi dhe ajo arabe në veçanti paraqitet si një njollë e zezë me petkun e saj e asgjë me tepër. Si për t’iu kundërpërgjigjur gjithë kësaj, krejt natyrshëm takohemi me një nga femrat e suksesshme të botës së biznesit nga bota arabe, e vlerësuar nga kanale ndërkombëtare prestigjioze. Ajo është një vajzë nga Arabia Saudite – Khulud Attar, e vlerësuar për arritjet e saj në fushën e biznesit nga revista e famshme Forbes. Ajo është kryeredaktorja e një prej revistave unike në Lindjen e Mesme – “Design Magazine”. Për t’u njohur me sekretet që e bënë Khulud Attar një femër të sukseshme në biznes, i drejtojmë asaj disa pyetje:

RWAgNJjlSDjaq-KzSSElH1QNOMaR8QU-VFKR0vxyu7MKeni arritur famë duke u kthyer në një nga femrat më në zë në botën e biznesit  jo vetëm në Arabinë Saudite por në tërë Lindjen e Mesme. Pse vendosët të hapni pikërisht Design Magazinë dhe pse fushën e dizajnit?

Unë kam zgjedhur dizajnin pasi besoj se duke investuar në fushën e dizenjimit, investojmë në zhvillimin e shoqërisë. Duke e parë çdo gjë në jetën tonë si dizajn, deri edhe veshja dhe ushqimi janë dizenjim më vete, vendosëm të sillnim një kontribut pozitiv në shoqërinë tonë. Unë e kam parë dizajnin si metodë e cila përfshin çdo anë të shoqërisë dhe si e tillë vetë shoqëria ndryshohet nëpërmjet dizajnit. Në përgjithësi shohim që revistat që hapen, synojnë një audiencë apo publik komercial, duke u përqëndruar tek femra, e bukura, apo të ngjashme, ndërsa revista jonë “Design” është diçka e re. Unë besoj në idenë se nëse përpiqesh do të arrish ose thënë ndryshe nëse ndërton diçka të tjerët do të vijnë të hyjnë brenda.  Nëse dikush mendon të hapë një biznes në një fushë të sigurtë e të rrahur, sigurisht që do arrijë të fitojë por të synosh të rrahësh shtigje të pashkelura kjo është e veçanta, kjo të bën më të fortë. Unë i hyra kësaj pune dhe tani kemi rreth 20 mijë abonentë sepse ne ofrojmë jo thjesht një revistë por një shërbim të mirëfilltë duke e kthyer këtë revistë në një portë për të gjithë novatorët dhe krijuesit edhe nëse ata nuk janë profesionistë, mjafton që të jenë krijues dhe kanë derën hapur, këta janë vrulli dhe çelësi i suksesit tonë.

Ju keni studiuar dizajn – mbase që në shkollë keni pasur frymëzim për të hapur një revistë dizajni pa menduar për të ardhurat duke thënë me vete që paratë do të ishin një çështje e mëvonshme…?

Jo, çështja e parave duhet menduar që në fillim. Nuk mund të thuash se mund t’a zgjidhësh më vonë atë. Ajo duhet të jetë çështje e menduar mirë. Ndërsa prej ditëve në fakultet kam pasur ide për të sjellë diçka ndryshe, pra ne edhe pse asokohe mendonim që të sillnim ndryshim përmes politikës. Dhe ja! Po sjellim ndryshim nëpërmjet krijimit inovativ dhe mbi këtë mendim jam nisur; që nëse punoj, do punoja mbi diçka që vërtet do sillte ndryshim. Vetë studimet universitare të bëjnë të futesh edhe më tepër në fushën e dizajnit. Frymëzimi vjen nga njerëzit pasi janë ata që na frymëzojnë për të sjellë risi në fushën tonë përmes revistës “Design”… sa më shumë ka njerëz që sjellin ide apo novatorë aq më shumë e rrisim ritmin e punës sonë.

Që në fillim ju kanë thënë që nuk do keni sukses me këtë revistë, madje edhe ekspertë në këtë fushë, madje edhe profesorë…

Sigurisht, isha tek zero dhe isha e re. Bëhet fjalë para 5 vitesh dhe unë e testova revistën tonë në treg para se t’a hapja për publikun. Kështu që e prezantova fillimisht në rrethet e ngushta profesionale, për të marrë mendimin e ekspertëve dhe atyre që operonin në këtë fushë. Shkova tek një nga drejtorët e një prej mediave prestigjoze dhe njëkohësisht një prej ekspertëve më të mirë të fushës dhe pasi e pa modelin e revistës, më tha: “O vajzë shko tek shtëpia dhe merru me punë të tjera dhe flije mendjen se s’merr vesh nga këto punët e revistës apo medias”. Kjo bisedë është zhvilluar para 5 vitesh ndërsa kjo kompani është sot një nga klientët tanë më të mëdhenj e për çudi drejtohet nga i njëjti person që më kishte rekomanduar të hiqja dorë. Por kjo nuk do të thotë se ai ishte gabim në gjykimin e tij, por kjo tregon që unë kam evoluar në punën time. Në fillim vërtet s’kam pasur eksperiencë por pastaj mësova edhe në ide edhe në mënyrat e punës, evoluam së bashku.

Në mënyrë që fillestarët të mësojnë nga gabimet tuaja, a na përmendi disa nga ato gabime prej të cilave keni mësuar pasi keni humbur kohë e para?

E para duhet studiuar çdo gjë. Unë në fillim nuk e shikoja të gjithë pamjen. E shikoja punën time thjesht si hapje të një reviste dhe nuk kisha bërë një plan të detajuar deri në hollësitë më të vogla, por ajo që mund të them është se asnjëherë s’pata frikë nga ajo me të cilën do të përballesha. Gjithsesi mund të kisha evituar shumë probleme të fillimit, qoftë në drejtim të buxhetit qoftë në drejtim të studimit të saktë të të gjithë çështjes.

E dyta, nuk duhet hyrë në dicka që nuk e do, pasi nëse unë nuk do ta kisha dashur këtë punë, asnjëherë nuk do të kisha arritur ndonjë gjë të veçantë, pasi dihet që në fillimet e tua gjithmonë do të gjesh më shumë njerëz që të dekurajojnë sesa ata që të japin zemër për të filluar diçka. Asnjehërë mos fillo një aktivitet vetëm se ai mund të të sjell shumë para. Më e rëndësishme se kjo është t’a duash atë aktivitet, të kesh njohuritë e duhura në atë fushë dhe pastaj të vazhdosh.

A keni punuar në këtë fushë para se t’i futeshit këtij biznesi?

Në universitet kam punuar në disa media por që në shkollë unë kam ëndërruar të ndërtoj një biznes timin, madje që atëherë dizenjoja për bashkëmoshatarët në shkollë dhe fitoja nga 50 rijalë për çdo punim që bëja. Njeriu duhet të hyjë në një punë dhe të shikojë se si të përmirësohet në punën e vet. Edhe ne nuk funksionojmë thjesht në raportin reklamë – klient, por shohim edhe mundësi të tjera, për shëmbull, duke publikuar edhe CV të punëkërkuesve, duke synuar të hapim një dritare të re për shoqëritë e biznesit nëpërmjet ofrimit edhe të një shërbimi ndryshe. Shumë flasin se koha e revistave është duke perënduar por unë e shoh këtë fushë si një shërbim që ofrohet për reklamuesit, apo thjesht për klientët, por si një art më vete. Për shembull t’i ke një biznes dhe do t’a reklamosh atë. Për t’a bërë këtë duhet të shkosh dyerve të mediave apo tek administratorët e rrjeteve sociale apo dyer të tjera.  Ne ofrojmë një platformë të mirëstudiuar për promovimin e biznesit tënd në përputhje me natyrën dhe buxhetin që keni në dispozicion.

Çmimi Forbes, për lexuesit tanë, për çfarë jeni lauruar me këtë çmim apo çfarë është ky çmim?

Forbes operon në fushën e biznesit dhe risive të sjella në këtë fushë. Unë fillimisht falenderoj Zotin, ndërsa nga ana tjetër, për mua ekspozimi dhe prania e njerëzve apo të qënit në qendër të vëmendjes është si një pikë ku njeriu duhet t’i kërkojë llogari vetes.  Duket sikur fitimi i një çmimi të madh është fundi i një pune, por në fakt duhet të shërbejë si fillim i një pune edhe më voluminoze, pavarësisht se në këto raste të thonë fjalë të mira si: “Ti je e zgjuar, ti je e sukseshm, ja fitove çmim”. Këto duhet të të kujtojnë se ke ende shumë për të bërë edhe pse ke arritur në këtë shkallë. Të të bindin se t’i mund të sjellësh serish risi dhe të kujtosh se për të arritur këtu kanë kontribuar shumë njerëz. Prandaj e thashë, për mua ishte si një provim, madje disa me thonin “Khulud, e kape Forbsin tani mos puno më !”

Meqë jemi në fund – fillim vitesh, çfarë ishte për ju 2013?

Ishte një vit sfidues, ka patur momente që i kam thënë vetes ke bërë çke bërë, ke arritur deri diku, tani është koha të pushosh, kam ndjerë se jam gjendur përballë sfidash të mëdha por unë e kam shtyrë ditë pas dite dhe ajo që më ka bërë të vazhdoj ka qenë impakti që ka puna jonë në jetën e njerëzve, psh kur shikon se si një njeri ka gjetur punë përmes punës tënde apo puna jote ka ndikuar në jetën e dikujt, më ka bërë të them “jo” duhet të vazhdoj, edhe pse me zë të ulët familjarëve të mi u thoja në tavolinën e bukës : “më duket se po heq dorë, jam lodhur”.  Dhe një rast kur u bëra gati të hiqja dorë, më vjen një telefonatë e më thotë: “Kam degjuar që revista “Design” do të mbyllet, problem që përshpëritet”, duke më lutur që të mos e mbyll dhe duke më siguruar mbështetje. Pra, vërtet Zoti sjell sukses edhe atëherë kur je gati të dorëzohesh.

Si ja bëni t’a përballoni trysninë sidomos në  raste festash nga klientët?

Do të doja t’ju thoja që unë them 1…2…3… dhe presioni i punës zhduket ose t’u tregoj ndonjë marifet tjetër, por në fakt unë akoma nuk kam një mekanizëm anti trysni apo të them që unë di ta trajtoj presionin e punës. Janë disa gjëra që kam mësuar në këto 5 vite eksperiencë. Një ndër to është të mos e marr problemin më rëndë se ç’është apo t’i kushtoj më shumë rëndësi se sa duhet në të vërtetë. Njeriu ka frikë nga çfarë nuk di. Dikur thoja o Zot, ma zgjidh këtë apo atë, por krahas kësaj duhet të mendosh dhe gjithmonë unë kam lexuar shumë me të gjitha llojet e saj dhe tek leximi është zgjidhja.

Si arrini të harmonizoni mes kërkesave të tregut, klientëve dhe objektivave që keni ëndërruar të realizoni që nga fillimi, a mendoni se dikur donit të bënit gjëra të mëdha, ndërsa tani jeni më pragmatiste dhe jetoni me realitetin?

Për të tjerët kam qenë një vajzë arabe e cila ka hyrë në një fushë ku konkurrenca është e madhe, ku sipas tyre do të mbahesha një a dy muaj dhe do zhvendosesha në një fushë tjetër më të lehtë. Ajo për të cilën jam përpjekur që në fillim ishte si të fitoj besimin e klientëve, si t’u tregoj atyre se kjo gjë e filluar do të vazhdonte për vitet në vazhdim. Në fillim mendoja që vetë puna ime do prezantonte veten e saj. Duke e bërë atë si duhet njerëzit do e shihnin vetë rezulatin. Filluam të shtrihemi në treg sidomos me krijuesit e profesionistët dhe debatet me ta qofshin pozitive apo negative, bënë që unë të mësoj më shumë, të dëgjoj më shumë dhe përkundrazi të punoj më shumë e të jem më kërkuese ndaj vetes. Fillimisht unë e bëja punën siç e shihja por gjithmonë sigurohesha të përcillja siguri tek ata të cilët më besonin një punë si dhe të respektoja moralin e shoqërisë, pavarësisht se ç’karakter kishte reklama, fetare apo sociale. Revista del 6 herë në vit, një herë në dy muaj. Ajo nuk mund të konceptohet thjesht si një përbërje rubrikash e ndarje mes tyre, por mbi të gjitha ajo duhet të jetë një qasje ndaj perceptimit të publikut. Çdo rast përqëndrohemi tek ndryshimi që nga kopertina duke sjellë tema mbi çfarë synon media apo ndonjë temë tjetër pasi këto gjëra janë interesante për publikun. Gjithashtu, ne në çdo numër sjellim pamje të realitetit të shoqërisë sonë. Ne nuk përpiqemi të vendosim në faqet e para personalitete por ne përqëndrohemi tek modelimi cilësor e tërheqës që të shpie tek suksesi.

Pyetja tjeter – A keni hasur vështirësi në punën tuaj në treg duke qenë femër?

Unë kam hyrë në treg si njeri. Nuk kam shfrytëzuar të qenit femër por as jam ndierë inferiore për këtë fakt. Nuk e kam parë këtë si barrierë në punën time, pavarësisht se si e shohin njerëzit një femër që punon, çdo gjë varet se si e sheh njeriu vetë punën e tij dhe të synojë  që vëmendja e tjetrit të përqëndrohet tek puna jote. Psh, kur hyn në një zyrë ti e di që po hyn për punë dhe duhet të jesh aty vetëm për këtë. Në eksperiencën time kam parë që shumë biznesmenë apo bizneswoman kanë preferuar të punojnë me një grua nga Arabia Saudite, për seriozitetin e korrektesën. Pra, principi im me të cilin kam hyrë është prezantimi i punës apo i asaj që unë arrij ta bëj më mire dhe me të cilën i shërbej zhvillimit të shoqërisë përmes prezantimit të ideve të reja. Më frymëzon e mira e njerëzve, kur shoh mirësi tek ata dhe e ndjej që jeta e tyre po përmirësohet.

Mars-Prill, 2014