Si të arredojmë dhomën e ndenjes?

188

Arkitekte Greta Disha

Dhoma e ndenjes është zemra e një shtëpie. Është vendi ku mblidhemi rreth oxhakut mbrëmjeve të ftohta të dimrit, ku strukur rreth zjarrit dëgjojmë përrallat e gjyshërve. Ku rreth tryezës shijojmë gatimet e shijshme të mamave, vendi ku të vegjëlit lodrojnë duke shpërhapur ngjyrat e tyre në çdo cep.  Vendi ku diskutojmë me miqtë ndërkohë që rrëfejmë gjithë ndodhitë e ditës, e ku strukemi në këndin tonë për të shfletuar një libër. Si i tillë ky mjedis duhet arreduar me shumë kujdes. Çdo dhomë ndenje ka karakterin e saj, karakter i cili shprehet me anë të dritës dhe ngjyrës, harmonisë dhe kontrastit, larmisë ose mungesës.

Përcaktimi i stilit

Na duhet të arredojmë dhomën e ndenjes. Dilema e parë: Çfarë stili do të jetë? Së pari duhet të informohemi mbi larminë e stileve, e më pas të zgjedhim atë që është shprehësi më i mire i  mënyrës sonë të jetesës. Është shumë e rëndësishme të zgjidhni nëse kur ktheni në shtëpi dëshironi të relaksoheni në një mjedis të “pastër”, me sa më pak mobilje me linja të drejta, apo në një mjedis ku mbizotërojnë mobiljet e mëdha e të kurbëta.

Ngjyrat

Shumë të rëndësishme në arredimin e një mjedisi ku kalojmë kohën tonë çlodhëse janë ngjyrat. Kini parasysh që nëse zgjidhni ngjyrat e gabuara mund të ndikojë në humorin, sjelljen dhe personalitetin tuaj po aq sa edhe në perceptimin e hapësirave tuaja. Ngjyrat më të përshtashme për dhomë ndenje janë: tonalitet e ngrohta si e kuqja, e verdha, portokallia si dhe ngjyrat e tokës kafja dhe bezha mund të përdoren, pasi mendohet se ato stimulojnë komunikimin. Këto ngjyra do të krijojnë ngrohtësinë e duhur për t’iu nxitur të uleni dhe të bisedoni me njëri-tjetrin.

Drita

Lejoni dritën e diellit të pushtojë hapësirat tuaja! Drita natyrale është e domosdoshme për një sërë procesesh biologjike. Ambientet me pak dritë bëjnë që çdo gjë përreth nesh të duket e zymtë, duke na bërë të ndihemi të plogësht e pa humor. Përdorni perde që nuk pengojnë ndriçimin natyral. Kujdesuni të mos përdorni ngjyra të errëta, të cilat e përthithin dritën. Gjithashtu vendosni ndriçues të tillë që të ofrojnë sasinë e nevojshme të dritës.

2f

Linjat e kalimit

Lërini të “pastra” linjat e kalimit. Një gabim i shpeshtë është vendosja e mobiljeve aq pranë njëra-tjetrës saqë nuk arrijmë dot të kalojmë midis tyre, e për pasojë shumë mobilje bëhen të paaksesueshme. Mos harroni që distance minimale për hapësirat e kalimit është 60 cm.

Këndi i ndenjes

Vendi ku ulemi duhet të jetë sa më i rehatshëm. Kështu që, së pari tentoni që të keni ulëse sa më të mëdha, sigurisht aq sa jua lejon hapësira. Përzgjidhni materiale të buta, si kamosh ose tekstile të tjera. Gjithashtu kujdesuni që këndi i ndenjes të mos jetë i pozicionuar përballë derës, pasi kalimi i njerëzve të tjerë bëhet shqetësues për ata që janë ulur. Përdorni jastiqe me ngjyra, të cilëve lehtësisht mund t’jua ndërroni veshjet sipas sinëve, duke bërë që dhoma juaj t’ju ofrojë çdo herë një pamje të re dhe aspak monotone.

Këndi i ngrënies

Poziciononi këndin e ngrënies pranë dritares, pasi siç e përmendëm më lart, drita ka një rëndësi të veçantë gjatë vakteve të ngrënies. Vendosni një kredencë pranë tavolinës, në mënyrë që t’ju shërbejë për vendosjen e pjatave. Mos harroni asnjëherë ta dekoroni këtë kënd me lule natyrale.

Këndi i leximit

Krijoni një kënd të vogël leximi. Zakonisht ky kënd vendoset pranë bibliotekës. Kujdesuni që të ketë dritë të bollshme, si edhe një ulëse të rehatshme.

Dekori

Së fundmi, mos harroni që të dekoroni këtë mjedis. Dekorojeni dhomën tuaj të ndenjes me sende që kanë simbolika të caktuara në jetën tuaj. Kjo do të bëjë që i gjithë mjedisi të jetë shprehje e karakterit tuaj. Përveç kësaj mos harroni asnjëherë gjelbërimin.

Revista “Familja”, nentor 2016