Si të mos iu bërtisni më fëmijëve?

170

Nga Elona Çeço

Lodhja, frustrimi, stresi dhe shqetësimet rreth fëmijëve mund t’ju bëjnë ndonjëherë t’iu bërtisni fëmijëve edhe për gabime të vogla. Gjithësesi nuk jeni të vetmit që e bëni këtë sjellje. Një studim tregoi se 90% e prindërve të fëmijëve 2-vjeçarë përdornin një lloj “agresioni psikologjik” kundrejt fëmijëve të tyre. Këtu përfshiheshin të bërtiturat, mallkimet apo kërcënimet për rrahje. Autoret Bort, Pflock dhe Renner raportojnë se të bërtiturat janë gjëja për të cilën ndjehen më shumë me faj nënat. Këtu janë disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të gjeni mënyra më të mira për të nxitur sjelljen e mirë tek fëmijët:

  1. Identifikoni momentin kur e bërtitura është e nevojshme

Disa të bërtitura janë të nevojshme, përgjithësisht ato që kanë për qëllim mbrojtjen e fëmijës nga rreziku. Nëse fëmija afrohet tek soba dhe ju bërtisni “Mos e prek atë!”, ju keni parandaluar një rrezikim të fëmijës për tu djegur ndaj në këtë situatë nuk keni pse të ndjeheni në faj se e keni ngritur zërin.

  1. Mos mendoni se fëmija nuk kupton

Në momente të tensionuara, ju mund të lëshoni disa fjalë që janë shumë të ashpra për fëmijën tuaj. Fëmija juaj mund të ketë një gjuhë të kuptuar të kufizuar dhe mund të mos i kuptojë ekzaktësisht të gjitha fjalët që keni thënë, por intonacioni juaj do t’i tregojë atij ekzaktësisht sa të këqija kanë qënë ato. Mos u çudisni kur fëmija juaj të përdorë ndonjë nga fjalët e dëgjuara në një situatë të ngjashme.

  1. Mbajini në mendje rregullat pozitive të disiplinimit

Fëmijët gjithmonë do të testojnë kufijtë tuaj, do të shpërthejnë në të qara, do të refuzojnë të flenë dhe do të gjejnë njëqind mënyra për t’ju çuar në fund të durimit. Ju mund t’i përballoni këto situata nëse përdorni disa teknika për të ulur tensionin dhe më e mira është të bëni “qesharaken”. Ju mund të ridrejtoni sjelljen e fëmijës suaj duke bërë fytyra që e bëni të qeshë fëmijën apo duke kënduar një këngë të preferuar me të për të shpërqëndruar sjelljen negative të tij.

  1. Faleni veten kur e humbni pak kontrollin

Bërtitja ndaj fëmijës kur ka bërë një gabim nuk lë gjurmë afatgjatë tek fëmija edhe pse mund t’ju bëjë juve të ndjeheni keq. Madje psikologu George Holden vërejti se fëmijët të cilëve u bërtitej, nxirrnin mësime të mira për menaxhimin e emocioneve negative, por Dr. Holden shpjegon se nëse ju jeni duke u bërtitur fëmijëve vazhdimisht, kjo është një shenjë që diçka nuk po shkon me ju. Stresi dhe depresioni shpesh reflektohen në mënyra të tilla në marrëdhënje me fëmijën. Nëse kërkoni ndihmë për të qartësuar çështjet tuaja personale, do të përfitoni dhe përmirësimin e ndërveprimit tuaj me fëmijën.

Rev. Familja, maj-qershor 2015