Si t’i argëtojmë fëmijët në stinën e pranverës?

20

Jemi pikërisht në atë periudhë të vitit që e cilësojmë si stina e luleve të bukura. Duket sikur natyra ka zgjedhur të na ofrojë një spektakël pa pagesë: bari gjelbëron, pemët janë të mbushura me gjethe të gjelbra e me lule të ngjyrave të ndryshme. Natyra është në festë. E pse të mos jemi edhe ne? Aq më tepër vogëlushët, që i gëzohen jetës më tepër se të rriturit.

Më poshtë do të rendisim disa nga aktivitetet që mund të organizojmë në mënyrë që të vegjlit tanë të marrin gjithë gëzimin që meritojnë në këtë stinë të mrekullueshme.

*Lojërat e ujit

Ka shumë mundësi sesi ju mund të organizoni këto lojëra në plazh apo në pishina. Shumica e fëmijëve e kanë me shumë dëshirë notin, pistoletat e ujit, kështu që përfshirja në aktivitete të tilla do ta bëjë fëmijën të përjetojë emocione positive, përveç dobive shëndetësore.

*Vizitë në kopshtin zoologjik

Dihet që fëmijët kanë një natyrë tepër kureshtare dhe kanë dëshirë të kenë informacion në lidhje me shumë nga gjërat që i rrethojnë apo terma që i dëgjojnë për herë të pare, prandaj është detyra e prindit t’ia shpjegojë me fjalët që ai arrin të kuptojë në varësi të moshës që ai i përket. Arsyeja pse kemi rekomanduar një vizitë në kopshtin zoologjik është sepse në këtë mënyrë fëmija ka mundësi të mësojë ekzistencën jo vetëm të kafshëve e shpendëve që ndodhen në vendin e tij, por edhe të atyre që i kanë sjellë nga shtete apo kontinente të tjera.

*Kampingu

Mund të organizohet si në zonat malore edhe në ato bregdetare qoftë për një ditë apo për disa ditë. Në varësi të preferencave tuaja dhe motit. Do t’a konsideroja si një eksperiencë të paharrueshme për fëmijët, sepse ka në brendësi të tij një sërë aktivitetesh si: ngritja e çadrës së kampingut, ndezja e zjarrit, lojërat e ndryshme, soditja e qiellit plot yje shtrirë në tendë, ndihma që të vegjlit duhet të japin gjatë kësaj kohë, etj.. Kjo i bën ata të ndihen më të përfshirë.

*Pikniku

Në ditët me diell kur moti është i ngrohtë gjëja më e mirë që mund të bëni për fëmijët tuaj është organizimi i një pikniku enkas për ta në një vend malor që karakterizohet nga gjelbërimi. Mund të organizohet gjatë fundjavës dhe nuk të merr shumë kohë përgatitja e tij. Fëmijët kanë një ambient të ri për të eksploruar dhe ushqime të shijshme për të provuar.

*Gatime

Nëse ka ndonjë aktivitet që të gjithë fëmijët e duan është padyshim ndihma që ata duan t’u japin më të rriturve, përfshi këtu prindërit ose gjyshërit, gjatë procesit të gatimit të ushqimeve të tyre të preferuara, veçanërisht ëmbëlsirave. Mund të provoni të gatuani së bashku një recetë të re ose atë tradicionalen. E rëndësishme është që fëmijët përveçse të shijojnë gatimet edhe të ndihen të lumtur gjatë këtij procesi.

*Kopshtaria

Për ata që kanë shtëpi private pranvera është stina e sistemimit të kopshtit, kujdesit për lulet dhe pemët. Mbjellja e perimeve dhe luleve të reja në mënyrë që ky mjedis të dhurojë sa më shumë kënaqësi. Është shumë e rëndësishme që edhe fëmijët të ndihen të përfshirë. Kuptohet që rolin kryesor e kanë më të rriturit. Mbjellja e një lulje të re apo e një peme dhe orientmi i fëmijës se si duhet të kujdeset në mënyrë që ato të zhvillohen nxit tek ai ndjenjën e përkujdesjes jo vetëm ndaj bimëve, por e bën atë më empatik edhe në raport me të tjerët.

*Krijimet me letër

Ekzistojnë shumë krijime me letër që janë të dashura për fëmijët, ndër to mund të përmendim: origami, ngjyrosja për ata që janë në moshë më të vogël, pikturimi. Kjo është një mënyrë jo vetëm për të mbushur kohën e lirë, por edhe për të nxitur kreativitetin dhe për të zhvilluar imagjinatën te ta.

*Kurset

Në varësi të talentit që ju vini re te fëmija juaj përpiquni që t’i krijoni atij mundësinë për ta çuar më tej këtë aftësi të tijën. Ka fëmijë që kanë talent në sporte. Më e mira për ta është t’i dërgoni në kurse ku ushtrohen veprimtari sportive. Për ata që kanë dhunti artin, kurset e pikturës ose skulpturës janë zgjidhja ideale. Kështu pra, në varësi të asaj që vini re te fëmija tuaj, që e bën atë të veçantë nga të tjerët, përpiquni t’i krijoni atij mundësinë për t’u përmirësuar aty dhe jo t’ia impononi ndryshimin e dëshirave të tij, duke sjellë zbehjen e asaj çfarë atë nesër mund ta bëjë të jetë gjeni në atë lëmi.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Sherife Kalaja