Suksesi i një veprimi ndërton të ardhmen -1

87

* Ky shkrim eshte fituesja e çmimit te pare ne konkursin e esese me po te njejtin titull.

Veprimet janë pasoja të ideve dhe i botëkuptimit tonë, ndërsa suksesi është një trampolinë e së ardhmes, ajo është një shkallinë e lartë që i labërdhohet ndjesisë mëshiruese .Veprimet ngjiten në suksese  duke kronometruar higjenën e ndërdijes. Braktisja e Uni-t dhe Ego-s që vetëflijohen në hapësirat dashakeqëse të mureve rrethuese që vendos e pandërgjegjshmja. Platoni thotë“Ngadhënjimi i parë dhe i madh është ngadhënjimi i vetvetes. Të jesh i mposhtur nga ana e vetvetes është gjëja më e turpshme dhe më e mjerueshme”.  Ky filozof ecën me moton e luftës së brendshme që kryen njeriu me vetëveten, të ngadhënjesh duhet së pari të ngadhënjesh mbi veten pastaj të depërtosh te të tjerët. Hapësirat joshëse e tromaksin individin, ata ngujohen përpara qenies dhe egoizmi shfytyrohet te tjetri. Veprimet egoiste janë cepina ndërdystashe që dyzojnë qenien, ato rrudhen në një përemër siç është “Unë” dhe zvetënon palosjen e disa Uneve që parakupton të tjerët përgjatë rrugëtimit të egos njerëzore.

Egoja është një reminishencë e qenësisë ,e gjësë që nget të jetësishmen. Ajo përbën thelbin e të qenurit. Kur egoja ngërthen vetveten ajo tejkalon caqet e të qenurit një masë ambivalente e ekzistencës njerëzore, por pluskon si pjesë e karakterit të njeriut. Ajo merr një dysi që zbërthehet në një ego ekzistenciale dhe një ego e ndërdytësuar që del si nevojë dhe si një mbilartësim i saj përballë Ego-ve të tjera. Sipas një studimi përemri vetor “Unë” në 500 biseda telefonike është përsëritur 3990 herë.

E ardhmja është një koncept tejet relativ që ekziston brenda nesh, jashtë nesh qenësi shpërfytyrimet tona për të ardhmen marrin forma të një koncepti të ideuar gjatë përfytyrimeve tona.Të ndërtosh një të ardhme do të thotë të paqësosh drejtësisht disa fije ndër dijesh që mbi shtresohen në shpirtin njerëzor. Dennis Waitley shprehet: “E ardhmja u takon atyre që mësojnë atë që duhet mësuar për të bërë atë që duhet bërë”. Ajo është tepër komplekse në raport me brendësinë dhe vetveten ku ajo trajtësohet. Brenda saj kapërthehen disa elemente tërësisht të ulëta, po ashtu edhe të lartësuara. Duke qenë një trajtë paformë, njeriu e mbush atë sipas veprimeve të hijshme apo të pahijshme, me mirësi apo çmirësi dhe pozicioni që zënë këto veprime peshojnë vlerën e tyre. Njeriu e mbush veten e tij me veprime, por veprimi më dobiprurës është lënia e egoizmit dhe lartësimi i qënies së tij që është mirësia me të tjerët. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Vepra e mirë është ajo vepër që njeriun e bënë t’i qeshë fytyra nga gëzimi”. Raporti  Ego-Tjetri duhet të jetë në ekuilibra të qëndrueshëm. Njerëzit kanë prirje që në rrugëtimin e tyre jetësor të vënë në ballë të tij egoizmin, që do të thotë t’i japësh rëndësi qenies tënde, Unit tënd dhe të harrosh praninë e të tjerëve, të ndihmosh veten duke u magjepsur pas suksesit dhe t’i lësh të tjerët nëpër thepina  duke vëzhguar të ardhmen tënde që ngrihet si fortesë në sytë e tyre. Duke mbivlerësuar egon harresa është dukuria e së keqes që i sjell zhvlerësimin e të tjerëve. Ata konceptohen si komponet të zeros pa ngarkesë dhe pa fuqi depërtuese në egon e tyre.  Njeriu i suksesshëm nuk është vetjak. Dëshira e tij më e madhe është t’i shërbejë njerëzimit. Njeriu zhytet në çngjyrimin e ngjyrave që çdo njeri mbart në shpirtin e tij, sepse shpirti njerëzor është një spektër shumë ngjyrësh. Tjetri zvetënohet kur përqaset me Egon, që dominon me zbrazëtinë e tij polivalente. Të jesh egoist nënkupton një vetmi të madhe në lëmin e këtyre qenieve njerëzore që kanë një mori ylberesh. Ato nuk marrin parasysh nëse njerëzit kanë nevojë për përkrahje, për një dorë të ngrohtë apo qoftë një grimcë të vogël buzëqeshjeje. Egoizmi e shkatërron njeriun, ajo i shumëzon të tjerët me pafundësinë e varianteve me çaste zero. Shfaqja e kundërt e saj është bamirësia, të japësh do të thotë të shesësh një pjesë të qenësisë tënde në këmbim të asgjësë, por fiton një dashuri të madhe për hapësirën qiellore.Teodor Drajzer thotë: “Në qoftë se njeriu dëshiron t’i gëzohet jetës së vet të shkurtër, ai duhet të përpiqet ta zbukurojë, jo vetëm jetën e vet, por edhe jetën e të tjerëve, sepse gëzimi i tij varet nga gëzimi i të tjerëve”.

Kush e njohu mirësinë?

Mirësia, ndoshta një zonjë e lashtë që tjerr dashuri me sytë që përshkëndisin si hënëza të zjarrta të lëmuara nga një përulësi shpirtërore. Të vësh të tjerët përpara vetes nuk është një mit urban që ka përshkuar botën, por është udha më e skajshme që ka ecur njeriu. Ajo e ngre njeriun në pozitat më të larta dhe i shfaq disa variante të pastra për të ecur me sy të kulluar drejt rrugicës sonë jetësore pa vështruar mugullësisht apo dëshpërimisht. Woodrow Wilson thotë: “Asnjë njeri ende nuk është ngritur në shkallën e pjekurisë shpirtërore derisa nuk e ka zbuluar se më mirë është t’i shërbesh tjetrit se sa vetes”. Kjo tregon se për të kuptuar se t’i shërbesh tjetrit duhet të arrish një pjekuri shpirtërore tepër të lartë, sepse shpirti duhet të ketë një klimë të favorshme mirësie për të qenë bamirës dhe,  për t’ua zgjatur një dorë të ngrohtë atyre që janë në nevojë. T’i shërbesh tjetrit nuk është një robërim me konotacione negative siç jemi mësuar rëndom të përflitet, një zemër e përulur kurrë nuk provon gllënka keqësie. Ndërsa për Aristotelin: “Njeriun ideal e gëzon ajo që t’ju ndihmojë të tjerëve, por turpërohet nëse ata i bëjnë shërbim atij”. Ndoshta njeriu ideal nuk ekziston, por për Aristotelin shembëlltyra e tij duhet t’i përngjajë atij që jep pa kërkuar koston e dhënies, për të ai gëzohet kur jep sepse e ka shpirtin të mbushur plot dhe nuk ka nevojë për këmbime, kur e këmben gjithçka e humbet magjinë. Të japësh është një magji që frytet e saj i ka në tokë dhe shpërblimi në qiell, aty ndërveprojnë disa elementë po aq të fuqishëm që nuk e prishin këtë ndjesi të bukur që prek emocionet . Suksesi i këtij veprimi është t`u shërbesh të tjerëve sepse kjo ndërton një të ardhme më të paqtë me veten dhe me ata që të rrethojnë. Kur u shërben të tjerëve është një detaj që bën diferencën nga masa, të jep ndjesinë e të qenit i veçantë në morinë e njerëzve, kjo të jep krahë të ndërtosh të ardhmen me ndjenjën e  solidaritetit, ndjeshmërisë dhe paqes me të tjerët. Kjo gjë e lartëson njeriun, e ngre në pozita të larta shpirtërore sepse kur jep tregon anët më të mira të tuat, duke lënë në hije të gjithë shiritin negativ që tenton të zhbirojë jetën tonë. Sipas një studimi njerëzit më të suksesshëm, janë njerëzit që kujdesen më së shumti për të tjerët.

Përfundime

Së fundmi mund të themi që t’i japësh dorëheqjen Uni-t ky është një veprim i sukseshëm që ndërton të ardhmen tënde, shtron kalldrëmin e rrugicës tënde jetësore ku do të ecësh, nëpër terr apo nëpër mirësi të përjetshme dhe këtë e vendos njeriu se si e ndërton të ardhmen dhe mbi ç’themele e ngre atë . “Uni tjetër” është më i fuqishëm se uni ynë fizik të cilin e shohim në pasqyrë. Ne na udhëheqin forca të paprekshme që nuk jemi në gjendje t’i njohim me asnjë prej pesë shqisave tona. Madje edhe krejt njerëzimi s’ka fuqi t’i kontrollojë forcat e paprekshme. Njeriu plotësisht është i nënshtruar nga ato forca si gravitacioni, forca e rrufesë, e elektricitetit dhe ende nuk e kupton forcën e paprekshme të inteligjencës, ndërdijes së pafundshme që gjendet në tokë, forcë e cila njeriut i ofron çdo kafshatë ushqimi që e han, veshje e pará që ka në xhep. Njeriu edhe përkundër gjithë kulturës dhe edukimit mburrës, di vetëm pak ose asgjë mbi forcën e paprekshme të mendimeve më të fuqishmen prej të gjitha forcave. Ai di vetëm pak mbi trurin fizik dhe mbi rrjetin kolosal të makinerisë së komplikuar në të cilin rrjedh  fuqia e mendimeve, ajo shndërrohet në ekuivalent material – fizik.

Uni ynë duhet t’i përgjigjet nevojës sonë për të ndërtuar të ardhmen, për t`u ngjitur lart dhe për t`u lartësuar shpirtërish, kur u shërben të tjerëve ky është një veprim i sukseshëm po aq i suksesshëm sa kur lufton me vetveten  çdo ditë për t`u ndriçuar. Ky veprim duhet kalitur që në zanafillën tonë dhe për të ecur me hapa të shpejtë dhe për të pasur një jetë të shëndetshme shpirtërisht dhe  për një të ardhme të mirë në çdo aspekt.

Maj-qershor, 2014