Çfarë duhet të dini për lojën horror që po vret fëmijët nga e gjithë bota? “Balena Blu” nuk ka ardhur rastësisht

1858

“Balena Blu” është loja vrasëse e krijuar nga një grup njerëzish në rrjetet sociale të cilët nxisin individë nga e gjithë bota (më së shumti fëmijë dhe adoleshentë) të vrasin veten. Ekzistojnë me qindra dhe mijëra postime në Instagram të cilët paralajmërojnë rrezikun që sjell kjo lojë për secilin që ftohet ta luajë.

Si funksionon?

Mendohet që personat të cilët e kanë krijuar këtë lojë makabre dërgojnë një mesazh ku të ftojnë të luash një lojë. Preja më e lehtë janë fëmijët, të cilët janë naivë dhe të gatshëm të pranojnë shumë gjëra, sidomos kur bëhet fjalë për një lojë. Në mesazhin e parë nuk jepen shumë detaje. Sfidat nuk paraqiten aq të rrezikshme në pamje të parë, dhe kjo është një lloj strategjie për të tërhequr viktimat. Në momentin që një person pranon të luajë, nuk ka kthim mbrapa. Ata përdorin metoda manipulative për t’i bërë fëmijët që mos të heqin dorë nga loja. Sfidat sa vijnë edhe bëhen më të tmerrshme. Ato konsistojnë në prerjen e pjesëve të trupit me thikë, të parit video të frikshme gjatë orëve të vona dhe në fund, pas 50 ditëve, sfidash torturuese, vdekja është shpëtim, fëmijët ftohen që të hidhen nga një ndërtesë shumë e lartë. Personat që e kanë krijuar këtë lojë, janë mjeshtra të psikologjisë. Lojtarë perfekt të mendjes njerëzore, të cilët e kanë planifikuar shumë qartë çdo lëvizje. Të gjitha sfidat që fëmijët apo adoleshentët ndërmarrin, çojnë në një kaos psikologjik i cili gradualisht të çon në depresion. Mendja e një njeriu që tashmë ndodhet në depresion, është shumë e lehtë të shkojë drejt vetëvrasjes, e cila është edhe sfida finale e kësaj loje.

Statistikat

Rusia është vendi me më shumë viktima nga kjo lojë e sëmurë. Sipas statistikave, rreth 140 persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj loje. Edhe Britania e Madhe ka pasur shumë fëmijë të cilët kanë nisur të luajnë, por sipas ekspertëve të krimit kibernetik, nuk raportohen viktima nga Britania. Loja ka përhapur rrënjët në shumë vende të botës si Amerikë, Rusi, Britani e Madhe, Greqi, Argjentinë, Brazil, Kili, Kinë, Kolumbi, Itali, Kenia, Paraguai, Gjeorgji, Spanjë, Serbi, Venezuelë, Uruguai, dhe së fundmi është regjistruar edhe rasti i parë në Shqipëri.

1kz-380

Si të mbroni fëmijet?

Në situata të tilla, ku është shumë e vështirë të ruash fëmijët nga teknologjia apo interneti, prindërit duhet të tregojnë kujdes maksimal. Kontrolloni të gjithë rrjetet sociale të fëmijës tuaj dhe kërkojini me mirëbesim që t’ju tregojë për të gjithë rastet kur kontaktohet nga njerëz të panjohur. Flisni me fëmijën tuaj për këtë rast dhe paraprijini rrezikut potencial. Shumica e viktimave kanë rënë pre e lojës nga mungesa e informacionit për rrezikshmërinë e saj. Qendroni vigjilent rreth sjelljeve të fëmijës tuaj, çdo ndryshim sado i vogël kërkon vëmendje. Kjo lojë tashmë është kthyer në një rrezik të vërtetë, dhe fëmijët tuaj janë të pambrojtur. Duhet të jeni koshient për çdo rrezik që e pret fëmijën tuaj.

Balena Blu nuk është krijuar në 2017

Pavarësisht se në vitin 2017 kjo lojë u bë virale për shkak të numrit alarmant të viktimave, historia e saj fillon që në vitin 2013 në Rusi. Në fillim nisi si një shaka adoleshentësh, e cila në mesin e vitit 2016 fitoi popullaritetin e saj. E gjitha u zbulua nga një gazetar i cili botoi një artikull ku prezantonte rreziqet e kësaj loje. Pas këtij artikulli prindërit në Rusi filluan të alarmoheshin. Krijuesit të cilët e bënë lojën virale, u treguan shumë të zgjuar pasi e ndërtuan lojën në një mënyrë perfekte për të mos lënë prova fizike për ekzistencën e saj. Prandaj është shumë e vështirë që policia të bjerë në gjurmët e këtyre njerëzve me mendje të sëmurë. Të vetmet prova që ekzistojnë janë disa statuse apo foto të shpërndarë nga adoleshentët në mediat sociale.

Rasti në Shqipëri

Sipas psikologes së shkollave, Ornela Belba, në Shqipëri ka patur një rast të “Balenës Blu”. Ajo tregoi se bëhet fjalë për një fëmijë të shkollës 9-vjeçare, që është kontaktuar nga një kurator dhe është përfshirë në lojë. Por për fat të mirë, mamaja e pikasi atë në fazat e para, siç duket e informuar nga artikujt që po shkruhen kudo nëpër media. Përderisa një fëmijë është rrezikuar, kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një situatë që kërkon kujdesin maksimal të prindërve.

Ema Shazivari/Opinion.al