Teuhidi, beteja më e madhe profetike

54

Kurani fisnik dhe suneti i Profetit (a.s)  në mënyrë të qartë na kanë sqaruar rolin dhe detyrën e të dërguarve të Zotit. Ata janë ambasadorë prej Allahut dërguar njerëzve në tokë me një mision të caktuar nga vetë Ai, për të përçuar mesazhin të cilin e morën amanet nga Ai (xh.sh.): “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t‘u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën…” (El Maide, 67). Qëllimi i dërgimit të tyre ishte udhëzimi i njerëzve në rrugë të drejtë dhe të vërtetë,  për  besimin në një Zot të Vetëm dhe për largimin e tyre nga rruga e shtrembër,  nga e pavërteta,  nga adhurimi i shumë zotërave. Allahu (xh.sh.) thotë: “Vërtetë, Unë jam Allahu, nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Meje, pra Mua më adhuro.” (Taha, 14).

Të gjithë të dërguarit e Zotit, që nga njeriu i parë e deri te Muhamedi (a.s.), sollën të njëjtin mesazh.  Prandaj Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai dhe Isai, sipas Kuranit ishin muslimanë. Të gjithë të Dërguarit e Zotit, e kanë filluar misionin e vet me thirrje në Teuhid, sepse Allahu (xh.sh.) ka urdhëruar që t’ua komunikojnë këtë njerëzve. “Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje e që të mos ia kemi shpallur: ”S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj adhuromëni vetëm Mua!” (El-Enbija, 25).

Të parët që devijuan në adhurimin ndaj Allahut ishte populli i Nuhit (a.s). Ata ishin populli i parë të cilët ranë në shirk (filluan të shenjtëronin njerëzit e mirë). Më pas popujt pas tyre ndoqën rrugën e popullit të Nuhit. “Njerëzit ishin një popull (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) Allahu dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues” (El-Bekare, 213). Profeti Muhamed (a.s.) tregon:  “Mes Ademit dhe Nuhit kaluan dhjetë gjenerata dhe të gjithë ishin në Islam”.  Kur njerëzit filluan t‘i adhurojnë idhujt dhe tagutat filloi përhapja e kufrit dhe shirkut. Në këtë kohë Allahu dërgoi Nuhin (a.s.) si të dërguar të parë, që të thirrë në adhurimin e Allahut dhe largimin nga shirku, thirrje e cila zgjati nëntëqind e pesëdhjetë vite. “Ne me të vërtetë, ua kemi dërguar Nuhun popullit të tij, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! – Unë frikësohem për ju nga dënimi në Ditën e Madhe!” (A’raf, 59).

Për të gjithë pejgamberët e tjerë që vijnë pas tyre ka argumente të qarta se thirrja e tyre ishte për Teuhid (Njëshmërinë). Sikurse dhe Ibrahimi kur i tha babait të tij: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur një pjesë e dijes, që ty nuk të ka ardhur, prandaj më paso mua dhe unë do të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro shejtanin, sepse ai është i padëgjueshëm ndaj Mëshiruesit (Allahut). O babai im, unë kam frikë se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i shejtanit”. Pra, Allahu i Lartësuar na ka treguar qartë se kjo është palca e thirrjes së të gjithë profetëve të tij: Të adhurohet vetëm Allahu dhe njerëzit të largohen nga shirku (politeizmi).

Allahu (xh.sh.) na tregon në Kuranin Famëlartë, se Pejgamberët thërrisnin në Teuhid para se të thërrisnin në zbatimin e obligimeve tjera: “Ne çdo populli i kemi dërguar nga një Pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuroni Allahun, e shmanguni nga djalli!” (Nahl, 36).

Rëndësia e besimit  në jetën e muslimanit

Feja Islame është një ndërtesë e kompletuar që përfshin tërë jetën e muslimanit, që prej lindjes së tij e deri në vdekje, madje edhe atë se çdo të ndodhë pas vdekjes së tij. Kjo ndërtesë gjigante ngritet mbi një themel të fortë. Ajo është Akideja islame, e cila pikënisjen e ka nga njëshmëria e Krijuesit të Lartësuar: “Thuaj, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve! Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El-En’am, 162 -163)

Akideja islame i ofron njeriut gjithë atë që duhet të dijë ai për Zotin e tij dhe e çon të arrijë dashurinë ndaj Tij. Më pas ai e shtyn për të qenë i sinqertë ndaj Allahut dhe për të pasur njohuri të plotë për Të. Profeti (a.s.) ka thënë “Ai që më mirë e njeh Allahun dhe më tepër i frikësohet Atij, jam unë.” Dhe fjala e tij: “Pasha Allahun, unë më mirë e njoh Allahun dhe zemra ime më tepër i frikësohet Atij”. Profeti Muhamed (a.s.) u përqëndrua në rrënjosjen e besimit në zemrën e besimtarëve për 13 vjet në Mekë, dhe më pas, kur filloi të forcohej besimi në zemrat e tyre, nisën të zbritnin dhe ligjet praktike të Sheriatit. Akideja e shtyn besimtarin që të punojë zellshëm në këtë drejtim, sepse ai e di se është i obliguar dhe se do të shpërblehet për çdo vepër të tij, qoftë e madhe apo e vogël.

Dobitë dhe mirësitë e Teuhidit (Njësimit)

Teuhidi është shtylla kryesore e Islamit. “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia (shehadeti) se nuk ka Zot tjetër pos Allahut…” .

Teuhidi është qëllimi për të cilin i ka krijuar Allahu njerëzit: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat, 56).

Teuhidi i mbyll të gjithë rrugët e frikës për rriskun, jetën e tij, familjen, vdekjen dhe çdo gjëje tjetër që shkakton frikë. Besimtari që shpreh Teuhidin, nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut (xh.sh.). Prandaj ai është pa brenga kur të tjerët frikësohen, i qetë kur të tjerët janë të nervozuar  nga pasiguria. Në këtë aludon edhe Kurani Fisnik: “Për ata që besojnë dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me padrejtësi, atyre u përket siguria dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (En’am, 82). Teuhidi është burimi i fuqisë. Ai e mbush shpirtin me shpresë në Allahun (xh.sh.), duke u mbështetur në Të, i kënaqur me përcaktimin e Tij, duke shfaqur durim në sprova dhe i pavarur nga krijesat e tjera të Allahut. Nëse e lut dikë, atëherë lute vetëm Allahun, nëse kërkon ndihmë prej dikujt, atëherë kërko vetëm prej Allahut.

Allahu na bëftë nga ata, të cilët e kuptojnë këtë parim, i përkushtohen Zotit të tyre, jetojnë me Të dhe për Të! Allahu na forcoftë në këtë fe, na i ndriçoftë mendjet dhe zemrat tona, na bëftë nga njerëzit më të mirë prej robërve të Tij, prej të cilëve Ai është i kënaqur! Amin!

Nentor-Dhjetor 2013