Privilegji i të qenurit nënë

121

Me të vërtetë femra muslimane nën hijen e mësimeve të drejta islame dhe udhëzimeve të tij të urta jeton një jetë të ndershme, të mbushur me respekt dhe ndershmëri, që nga dita e parë e ardhjes së saj në këtë botë, duke vazhduar kështu në të gjitha etapat e jetës së saj, si vajzë, pastaj si bashkëshorte, si nënë, si motër, si hallë, si teze etj. Ajo, në të gjitha këto periudha, ka të drejtat e saj të veçanta dhe gëzon meritat e saj plot respekt dhe ndershmëri.

Prandaj më poshtë është një panoramë më e konkretizuar dhe e përmbledhur e pozitës dhe vendit që gëzon vajza, gruaja dhe në veçanti nëna në fenë Islame.

Privilegji i të qenurit nënë

Nuk ka privilegj, nder dhe vlerësim më të madh sesa të bëhesh nënë. Titulli më i lartë që dikush ka fituar pas profetëve në jetë nuk është gjeneral, doktor, profesor, inxhinier, avokat, baba apo teze, por është nënë.

Të qenurit nënë është cekur edhe në librat hyjnorë: “Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: ‘Jepi gji atij’” (Kasas, 7).

Rëndësinë e nënës e shohim në çdo aspekt të jetës, pasi ajo është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb. Është ngritësja e folesë familjare, që përbën qelizën e parë të shoqërisë, ku reflektohen gëzimet dhe lumturia e fëmijëve. Nëna është një heroinë dhembshurie. Në jetën e secilit nga ne vërehet rëndësia e saj, në çdo hap që hedhim, në çdo rënkim, gëzim, dhimbje apo sëmundje. Pra ështa nëna ajo që na e mëson rrjedhën e jetës dhe gjatë gjithë rrugëtimit tonë janë këshillat e saj ato që na mundësojne të jemi njerëz me plot kuptimin e fjalës. Ajo mban për nëntë muaj një krijesë tjetër në barkun e saj, krijesë e cila ushqehet nga trupi i saj duke e pranuar këtë mision fisnik me kënaqësi. Është pikërisht mëshira, me të cilën Zoti e ka pajisur nënën, ajo që e bën atë ta pranojë diçka të tillë. Bazuar në këtë Profeti (a.s.) thotë: “Nënës i falen të gjithë gjynahet që në dhimbjet e para të lindjes”.

Pozicioni multifunksional i nënës

Zoti i Lartësuar e ka përgatitur dhe krijuar nënën në atë formë, saqë askush tjetër nuk mund t`i kryejë funksionet dhe detyrat e saj. Nga kjo shohim se roli dhe kontributi i nënës në formimin e njeriut në aspektin shpirtëror dhe atë fizik është shumë më i rëndësishëm sesa roli i babait. Burri e ka të pamundur të ushtrojë më shumë se një profesion, kurse nëna merret me të gjitha këto. Ajo është edhe mësuese, pasi merret me mësimet e fëmijëve, me gjuhët e huaja të tyre, me matematikën, gjuhën etj. Ajo është dhe ndihmës mjeke e aftë, pasi i zbaton me përpikëri këshillat e doktorit në rastet kur fëmija është i sëmurë. Ajo është edhe kuzhiniere e mirë, rrobaqepëse, hekurosëse, edukuese e mirë, shofere kur dërgon fëmijët në shkollë, është dhe amvisë dhe kursimtare, pasi mendon gjithmonë për të ardhmen e fëmijëve.

Gjithashtu me të lindur fëmija, nëna fillon e zbulon kodin e të qarit të fëmijës. Ajo e kupton kur fëmija qan për t’u ushqyer, kur qan për t’u ndërruar, kur qan sepse i dhemb diçka dhe kur ka nevojë thjesht për ta mbajtur në krahë. Një burrë e ka të pamundur ta kuptojë diçka të tillë. Po të marrim burrin më të duruar në botë dhe ta zgjojmë tre herë natën, do të shohim se ai do të heqë dorë që ditën e parë. Dhe në këtë kuadër i Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), ka porositur që nëna të respektohet tri herë para babait.

Dijetarët e komentojnë raportin 3:1 me faktin se nëna është njeriu kryesor, i cili merret me fëmijën, i shërben atij ditë e natë, e ushqen me shëndetin e saj, e çlodh me të lodhurit e saj. Qumështi i saj është ushqim për të, kujdesi i saj është shtëpi për të, kraharori dhe duart e saj janë shtrat për të, uritet për të ngopur atë, rri pa gjumë që ai të flejë. Është ajo që heq barrën më të rëndë të vuajtjeve që nga shtatzënia, lindja, gjidhënia, përkujdesi, edukimi etj. Fillimisht ajo e mbartë në barkun e saj, së dyti e lind, së treti e ushqen me qumësht të gjirit të saj. Të gjitha këto janë arsye që fëmija duhet të kujdeset tri herë për nënën e tij. Këtë e gjejmë të përmendur edhe në Kuran: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh” (Lukman, 14).

Nëna edukatore

Shkolla e parë e fëmijëve është shtëpia, kurse edukatorja e parë është nëna. Për nënën detyra më e rëndësishme është edukimi i fëmijëve. Nëna me dorën e saj të shtrenjtë edukon një popull, formon bërthamën e shoqërisë dhe themelin e familjes. Është krijesa tek e cila fëmijët kthehen në folenë e tyre plot dashuri dhe ngrohtësi. Në këtë këndvështrim Islami i ka dhënë nënës një vlerë të tillë, ku Profeti (a.s.) thotë: “Xheneti është nën këmbët e nënave”.

Arsimimi është tjetër gjë, edukimi tjetër. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen edukatorë! Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk ka gjë më të mirë që një prind mund t’i japë fëmijës, sesa një edukatë e mirë”.

Para se Hatixhja (r.a.) të vdiste, Allahu xh.sh. dërgoi Xhibrilin tek profeti Muhamed që ta përgëzojë atë me këto fjalë: “O Hatixhe! Zoti i Madhëruar të çon selam dhe të përgëzon me një pallat prej diamanti në Xhenet, ku nuk do të ketë as lodhje dhe as shqetësim”.

Të gjithë dijetarët muslimanë ishin të interesuar të kuptojnë, se përse Zoti e gradoi kaq shumë Hatixhen. Çfarë kishte bërë ajo? Çfarë kishte sakrifikuar? Në fund, dijetarët konkluduan se njeriu do të korrë atë që ka mbjellë. Hatixheja, përveçse ishte besimtarja e parë, ajo ishte marrë edhe me edukimin e një familjeje dhe shtëpie tepër të veçantë. Për këtë, Zoti e shpërbleu me një pallat në Xhenet.

Mëshira dhe dhembshuria e nënës

Zoti na ka ndihmuar që ta imagjinojmë dhe perceptojmë mëshirën që ka zbritur në tokë nëpërmjet nënave. Diçka të tillë na e ka mësuar vetë Profeti (a.s.). Një ditë ai bashkë me muslimanët e tjerë panë një nënë, e cila mbante në krahë foshnjën e saj. Për shkak të diellit përvëlues ajo përkulej pak, me qëllim që t`i bënte hije foshnjës së saj. Ajo nuk donte t’ia dinte për vete. Profeti (a.s.) iu drejtua shokëve të tij dhe i pyeti: “A mendoni se kjo nënë mund ta hedhë foshnjën e saj në zjarr?!” Ata u përgjigjën: “Jo, o i Dërguar i Allahut!” Profeti (a.s.) u tha: “Zoti është më i mëshirshëm me ju, sesa kjo nënë për foshnjën e saj”.

Shpërblimi i mundit të nënës

Përkujdesi që tregon nëna për fëmijën, ushqimi me qumësht, të pastruarit, zgjimi kushedi sa herë natën etj., të gjitha këto shpërblehen njëlloj siç shpërblehet një person, që agjëron ditën dhe falet natën. Lidhur me personin që merret me edukimin e fëmijëve, Profeti (a.s.) thotë: “Ai ka shpërblimin e agjëruesit dhe atij që falet natën”.

Një ditë tjetër Abdullah ibnu Umeri po kryente tavafin rreth Qabesë. Ndërkohë që lutej, dëgjoi një burrë nga Jemeni që thërriste: “Unë jam deveja jote e nënshtruar”. Ai kishte në shpinë një grua të moshuar dhe shpesh herë përsëriste fjalinë e mësipërme. Abdullah ibnu Umeri e ndaloi dhe e pyeti: “Kush është kjo që ke në shpinë?” Ai iu përgjigj: “Është nëna ime.”

Abdullah ibnu Umer: “Çfarë kërkon të bësh me këtë?”

Ai i tha: “Dua t’ia kthej të mirat dhe vuajtjet që ka duruar për mua!”

Abdudllahu ia ktheu: “Jo, për Zotin! Ti nuk mund ta shpërblesh as dhe për një psherëtimë vuajtjeje të saj gjatë shtatzënisë”.

Vlerësimi i ndjenjave të nënës

Profeti (a.s.) na ofron një perceptim tjetër të vlerave që mbart emri nënë. Ai tregon: “Kur filloj të falem kam ndërmend ta zgjas namazin. Por kur dëgjoj të qarat e fëmijëve (në xhami) e shpejtoj namazin, nga keqardhja që ndiejnë nënat e tyre”.

Lutja e nënës

Askujt tjetër nuk i pranohen lutjet për fëmijën, ashtu siç i pranohen nënës. Kjo ndodh sepse ajo është mishërimi i mëshirës së Zotit në tokë. Profeti (a.s.) me një hadith thotë: “Tre lutje janë të pranuara dhe në të nuk ka aspak dyshim: lutja e të dëmtuarit, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindërve”.

Këtë gjë më së miri e kishin kuptuar shokët e profeti Muhamed (a.s.), të cilët zbatonin çdo hadith që e dëgjonin nga mësuesi i njerëzimit.

Ebu Hurejre kur dilte nga shtëpia e përshëndeste nënën e tij me këto fjalë: “O nëna ime, të mëshiroftë Allahu, që më edukove dhe u kujdese për mua kur isha i vogël”. Ndërsa ajo, nëna, ia ktheu: “O biri im, Allahu të shpërbleftë me mirësi dhe qoftë i kënaqur me ty, ashtu siç jam e kënaqur unë që më respektove në pleqëri”.

Dhe ishin këto dua dhe lutje të pranuara shkak i suksesit të këtij sahabi të njohur në përcjelljen e 5374 haditheve nga profeti ynë Muhamed (a.s.).

Një nga dijetarët e ditëve të sotme, Xhasim el Mutauua, ka pyetur një nga biznesmenët më të pasur të vendit të tij, se ku qëndronte sekreti i suksesit të tij në biznes. Duke pritur që t’i flasë mbi zgjuarsinë e tij, aftësitë e tij të rralla për të blerë dhe shitur dhe se ai hyn në projekte investuese, të cilat askujt nuk i kanë vajtur në mendje etj., ai dëgjoi një përgjigje befasuese, e cila ishte sekreti i suksesit dhe pasurisë se tij: ishte nëna me lutjet e saj. I habitur, dijetari i nderuar e pyeti: “Tregohu më i qartë! Si ka ndodhur kjo?!”

Ai u përgjigj: “Unë përpiqem ta respektoj nënën dhe sa herë që hyj në shtëpi i puth kokën. Sa herë që dal nga shtëpia, ajo lutet dhe thotë: ‘O Zot! Shtoja pasuritë djalit tim!’”

Shpërblimi i respektit dhe përkujdesjes ndaj nënës

Respekti ndaj nënës është nga punët me të dashura që të afron tek Zoti. Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë nuk di ndonjë punë tjetër që të afron më shumë tek Allahu sesa respekti ndaj nënës” (Buhariu).

Mbushja e zemrës së nënës me gëzim bëhet shkak i hapjes së dyerve të qiellit. Profeti (a.s.) tregon për një njeri, i cili kishte jetuar në kohën e tij, por nuk arriti ta shikonte atë (a.s.), pasi nuk mund ta linte vetëm nënën e tij. Ai quhet Uejs el Karni. Profeti (a.s.) i tha Omerit (r.a): “Do të vijë një njeri nga Jemeni. Quhet Uejs el Karni (ia tregoi edhe trupin sesi e kishte). Nëse ai njeri lutet për ty, Zoti ia pranon duanë. Prandaj po e gjete atë njeri, thuaji të bëjë dua (lutje) për ty”. Uejsi e donte shumë nënën e tij dhe për cilindo që të lutej, Zoti ia hapte derën e qiellit, sepse ai kishte hapur derën e gëzimit të nënës së tij.

Gjithashtu tregohet se Musai (a.s.) e pyeti njëherë Zotin: “Kush është njeriu më i mirë, o Zot”? Zoti i tregoi një njeri që ishte kasap, në një zonë të humbur. Musai (a.s.) u habit sesi kasapi mund të jetë më i mirë tek Zoti. Duke e parë me kujdes, Musai (a.s.) konstatoi se kasapi herë pas here merrte pak mish dhe shkonte dhe e ushqente nënën e tij që nuk lëvizte dot, ashtu siç ushqen zogu të voglin e tij. Kishte më shumë se 20 vjet që ai e bënte këtë punë dhe e kishte merituar duanë e kësaj nëne. Kjo nënë nuk peshonte më shumë se 40 kg, por duaja e saj kishte shumë peshë tek Allahu (xh.sh). Prandaj, nëse të rinjtë dhe fëmijët kërkojnë që Zoti të jetë i mëshirshëm me ta dhe t’u pranoje lutjet e tyre, duhet që t`i trajtojnë mirë nënat.

Shtator-Tetor 2013