Zëri i heshtjes!

143

Nga Brunilda Basha

 

Lejo heshtjen të flasë

Mungesa të lajmërojë mospraninë.

Frymo dallgët e dashurisë

nëpër shpirtra pa zhurmë.

Pëshpërit në përqafime

zemrash të çlirëta,

Bisedo me vetveten

me të cilën ke kohë që je bërë e huaj.

Njih gjurmët e thellëta të paqes,

E nga rrënjët e fshehura nën dhѐ

të shpërthejnë degë plot fryte.

Shkëlqe,

si yjet që vetëtijnë në

mes të errësirës me re.

Luaj melodinë e zemrës,

nën tingujt e heshtjes!

 

 Place-of-silence

E lodhur

 

E lodhur nga kjo jetë mbytëse?

Nga puthjet e përqafimet plot ndjenja boshe?

Nga buzëqeshjet e shtirura

premtime që bëhen hi?

Prej dijes që shitet cepave nga padituria,

Nga arroganca e mbështjellë me modesti,

Nga xhelozia e smira që të fërkojnë supin për të të dhënë forcë?

E lodhur?!

Nga sakrificat e bëra për ata që s’dinë ç’është sakrifica.

Nga shoqëritë e rreme që s’njohin sinqeritetin,

Nga shumëkush teksa të mësojnë

si të flisni atë që duan të dëgjojnë?

Të heshtni atëherë ku më së shumti duhet të flasësh?

Nga fytyrat e shumta mbi një trup të vetëm,

Nga fasadat pa ndjesi shpirti?

Nga padrejtësia që klith për drejtësi,

Nga zhurma që dëgjohet me shumë se heshtja?

E lodhur?!…

Çdo gjë me lart është asgjë,

Lodhje që shkojnë e vijnë

Shumë herë përkohësisht.

Lodhja, shpesh është përkujtim,

trupi do vdesë një ditë,

për t’u kthyer tek Krijuesi i Tij.

Shpirti,

shpirti s’duhet të lodhet kurrë,

S’duhet të harrojë qëllimin e vërtetë

E të largohet nga drita e rrugës së drejtë.

Maj 2017