Për një personalitet të fortë

58

Është krejt e zakonshme që fëmijët e rritur në këtë shoqëri, të bëhen objekt i sfidave të shumta dhe situatave të rrezikshme për shkak të ambienteve negative, në të cilat ata integrohen. Për t’u ndjerë të vetëvlerësuar, për të siguruar status dhe aprovim brenda grupeve deviante të moshatarëve të tyre, ata shpesh përfshihen në sjellje jo të hijshme, si: seksi i pambrojtur, përdorimi i drogës, alkoolit, vrasjeve, përdhunimeve, etj.

Ky artikull do të përqëndrohet kryesisht mbi problemet kryesore që këta adoleshentë sjellin në familje dhe alternativat e mundshme, që mund të ofrohen për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Natyra e fazës jetësore e adoleshencës bën që adoleshenti të pësojë ndryshime psikologjike të ndryshme që shoqërohen edhe me rritjen e shpejtë fizike. Është pikërisht kjo fazë jetësore e quajtur “adoleshencë” që sjell tronditjen e lidhjes prind-femijë. Adoleshenca shënon moshën e kërkesës për pavarësi të fëmijës. Këtu fillon edhe problemi i nënvlerësimit të vlerës së prindit. Mosmarrëveshja me problemin, trajtimi i tij sikur të mos ketë ndodhur, fshehja për hir të frikës shkakton probleme social të braktisjes së fshehtë.

Në këtë mënyrë adoleshenti bëhet i ftohtë, indiferent dhe agresiv, kur i kujton detyra dhe angazhime të tjera që nuk kanë të bëjnë me dëshirën e tij.

Një tjetër problem i madh, që vihet re në këtë moshë është numri i madh i kërkesave rinore në planin emocional, intelektual dhe tendenca për afirmim. Fëmijët e kësaj moshe, përsa i përket anës emocionale, ndjejnë një ndryshim rrënjësor. Në të shumtën e rasteve fillojnë të vihen re seriozisht ndjenjat përkundrejt sekseve të ndryshme. Fëmija tashmë fillon, ose më saktë kërkon që mendimi i tij të dëgjohet dhe të merret parasysh. Ai kërkon të afirmohet sa më mirë në çdo problem që mund të ndodhë në familje apo në mjedisin që e rrethon. Ndjenja e të rriturit, kërkesa për t’u dukur i tillë dhe dëshira për të përdorur intelegjencën, është një tjetër konflikt që kërkon zgjidhje gjatë kësaj moshe. Në të shumtën e rasteve prindërit nuk marrin kurrsesi parasysh mendimin e fëmijës së tyre, për atë që ndodh brenda familjes. Kjo i shtyn akoma më shumë fëmijët të duken më të rritur dhe të bindin prindërit e tyre se ata janë në gjendje të përballen me jetën. Ata përpiqen në çdo mënyrë t’u tregojnë të rriturve që fjala e tyre është më e drejta dhe se ata janë rritur.

Shkëputja shpirtërore nga familja, është një tjetër faktor negativ, që shoqëron moshën e adoleshencës. Fëmijët e kësaj moshe, në të shumtën e rasteve, nuk arrijnë dot të gjejnë mbështetjen e duhur familjare ose të paktën ushqehen me një mendim të tillë. Kjo sjell që ata t’i largohen familjes dhe të mbështeten më shumë në mendimet e veta dhe në shoqëri. Adoleshenti kërkon udhë “të shkurtra” për t’u rritur ose për ta treguar veten të madh.

Pse është e rëndësishme që adoleshenti të ketë një personalitet të fortë në këtë moshë “shpërqëndrimesh”?

Duke qenë se kjo moshë është mosha e konfuzioneve, zhgënjimeve, braktisjes së familjes, përfshirjes në grupe të ndryshme shoqërore, pozitive qofshin këto apo negative, adoleshenti ka nevojë për një personalitet të fortë e për besim të madh në vetvete dhe në sistemin e tij të vlerave, në mënyrë që të jetë në gjendje të qëndrojë i pa tundur e t’u thotë JO disa situatave të caktuara.

Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme, që prindërit të përdorin rrugët dhe metodat e duhura, në mënyrë që t’i ndihmojnë adoleshentët e tyre për të krijuar një personalitet të fortë. Ata duhet të përdorin metoda të atilla, që e bëjnë adoleshentin të jetë i sigurtë në aftësinë e tij për të bërë gjithmonë gjënë e duhur, kur përballet me situata të caktuara.

Si mund t’u vijnë në ndihmë prindërit, këtyre adoleshentëve, në mënyrë që ata të kenë një personalitet të fortë?

Së pari, njohja dhe besimi në Zot mund të jetë një burim i madh sigurie dhe mbështetjeje për adoleshentin. Prindërit duhet të përpiqen ta lidhin adoleshentin me Krijuesin e tij, duke filluar që në moshë të vogël, e të vazhdojnë deri përgjatë viteve të adoleshencës. Njohja dhe dashuria që adoleshentët mund të kenë për Zotin, si dhe bindja e plotë e urdhërave të tij, mund t’i japin këtyre adoleshentëve, qetësinë e duhur, një besim të brendshëm dhe një ndjenjë sigurie edhe në situatat më të vështira.

Së dyti, adoleshenti duhet t’a ndjejë që prindërit e duan, ia kuptojnë nevojat, e dinë që po përballet me një presion të madh nga ana e moshatarëve dhe janë vertetë të interesuar për mirëqënien e tij. Prindërit duhet të bëjnë ç’është e mundur për ta ndihmuar atë që të përballet me problemet në mënyrën e duhur, duke i dhënë mbështetjen e duhur e të vazhdueshme. Ata duhet ta bëjnë fëmijën të ndihet i afërt me ta dhe anasjelltas duke bërë gjëra të thjeshta, si p.sh, duke e thirrur atë me një pseudonim që mund t’i pëlqejë apo duke i treguar barcaleta njëri-tjetrit. Prindërit duhet t’i flasin atij në mënyrën më të dashur dhe të dhembshur. Ata duhet të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të tij dhe të përpiqen për t’ia plotësuar ato. Ata duhet ta bëjnë atë të ndjejë që prania e tij është e mirëpritur dhe e kërkuar në çdo kohë.

Së treti, prindërit duhet të bëjnë çmos që jeta e fëmijës së tyre të jetë aktive dhe adoleshenti ta ndjejë veten të vlerësuar dhe të aftë në fusha të ndryshme. Ata mund ta ndihmojnë atë që të mbushë ditën me aktivitete të dobishme, argëtuese dhe emocionuese.

Së katërti, adoleshenti duhet të mësohet të marrë vendime dhe të jetë në gjëndje ta kuptojë se ç’është e mirë për të. Në fund të fundit jeta ka të bëjë pikërisht me: bërjen e zgjedhjes dhe marrjen e vendimit të duhur. Kështu, prindërit duhet ta fillojnë kultivimin e marrjes së vendimit të duhur brenda familjes, që në fazat e hershme. Në moshën 12 vjeçare, prindërit duhet të fillojnë ta mësojnë fëmijën e tyre sesi të mbajë përgjegjësi të tilla si p.sh ta lënë të administrojë buxhetin javor të shpenzimeve të familjes e gjëra të tjera të ngjashme me to. Nëse në faza të ndryshme të jetës, prindërit e mësojnë fëmijën e tyre të marrë vendime, atëherë ai do të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur, kur të arrijë moshën e adoleshencës dhe të gjendet përballë zgjedhjeve të ndryshme. Ai nuk do t’i ndjekë moshatarët verbërisht por do t’i vlerësojë situatat. Adoleshenti do të jetë në gjendje të bëjë dallimin midis së mirës dhe së keqes, dhe në këtë mënyrë, do të arrijë të bëjë zgjedhjen e duhur. Ky është një element i rëndësishëm, që çon në rritjen e një adoleshenti me një personalitet të fortë dhe të sigurtë në vetvete.

Së pesti, prindërit duhet ta mbështesin dhe ta kuptojnë fëmijën e tyre. Mundohu t’i pranosh dhe t’i kuptosh pikëpamjet e adoleshentit dhe jo të jesh kritik apo tallës ndaj tyre. Prindi që e udhëheq fëmijën e tij nëpërmjet diskutimit, dëgjimit me vëmendje, dhe që e lejon atë ta shprehë mendimin e vet lirshëm, pa u zemëruar, ndihmon së tepërmi në forcimin e personalitetit të fëmijës dhe rritjen e besimit tek vetja.

Së gjashti, dhënia e arsyeve nga ana e prindërit, kur ky i funditi i kërkon fëmijës së tij të bëjë diçka, është një tjetër mënyrë që shërben për rritjen e një adoleshenti me një personalitet të fortë dhe të sigurtë në vetvete. Është më mirë të veprohet kështu se sa thjeshtë t’i thuhet: “Çështje e mbyllur! Bëj siç të them unë dhe mos pyet!”. Adoleshenti ka nevojë për një prind i cili nuk ndihet i fyer sa herë që i bëhet pyetja “PSE?”, por përkundrazi, e shfrytëzon këtë mundësi për t’i dhënë shpjegime, e nxit që të bëjë sa më shumë pyetje, e mëson atë të pyesë me mirësjellje dhe respekt duke i treguar në këtë mënyrë, urtësinë që qëndron pas urdhërave dhe porosive të dhëna.

Së shtati, prindërit duhet të ndihmojnë fëmijën të ndjehet mirë me veten. Nëse adoleshenti ndjehet mirë me veten, ai nuk do të tregohet tejet i ndjeshëm ndaj mendimeve që mund të kenë të tjerët për sjelljet apo veprimet e tij. Ai do të jetë në gjendje të qëndrojë jashtë turmës, dhe t’u thotë JO, pa as më të voglin dyshim, gjërave që nuk duhet t’i bëjë. Sigurisht, një proçesi të tillë duhet t’i jepet rëndësi, duke patur kujdes që fëmija të mos bëhet mburravec dhe të mos bjerë pre e arrogancës. Adoleshenti duhet të jetë krenar për atë që është dhe për atë që beson, pa shfaqur arrogancë apo përçmim ndaj të tjerëve.

Së teti, prindërit gjithashtu duhet të përpiqen t’i shmangin fjalët dhe veprimet që mund të ndikojnë negativisht në vetëbesimin e adoleshentit. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për mënyrat, që krejt pa kuptuar mund t’i dekurajojnë fëmijët gjatë përpjekjeve të tyre. Nga këto mënyra, ato që hasen më shpesh janë: perfeksionizmi, i cili mund të shembë vetëbesimin e fëmijëve, duke mos qënë kurrë të kënaqur me arritjet e tyre, mbrojtja e tepërt, që mund të dekurajojë shumë adoleshentë në pikënisjen e një iniciative të caktuar si p.sh sporti i patinazhit, dhe poshtërimi ose ofendimi i adoleshentëve përpara moshatarëve të tyre, që është edhe një mënyrë e rëndomtë, për të minuar vetëbesimin e adoleshentëve.

Për ta mbyllur, me gjithë problemet që përmendëm më sipër si: tronditja e lidhjes prind-femijë në moshën e adoleshences, kërkesat rinore në planin emocional, intelektual dhe tendenca për afirmim, ndjenja e të rriturit, kërkesa për t’u dukur i tillë dhe dëshira për të përdorur inteligjencën si dhe shkëputja shpirtërore nga familja, unë mendoj se koordinimi i të gjitha këtyre alternativave zgjedhjesh siç ishin: besimi në Zot, mirëkuptimi mes prindërve dhe  fëmijëve të tyre, angazhimi i fëmijëve në një jetë aktive, përfshirja e fëmijëve në marrjen e vendimeve, dhënia e arsyeve nga ana e prindërit për një problem të caktuar, përforcimi i vetëbesimit tek adoleshentët, do të na krijonte mundësinë dhe kënaqësinë e të paturit adoleshentë të fortë dhe të vendosur për hedhjen e hapave më të rëndësishëm të jetës.

Korrik-gusht, 2014