A është dashuria një fenomen që po keqkuptohet dhe si shihet ajo në Islam?

225

Nga Elona Muça

Pyetje: Dashuria  është  fuqi e mrekullueshme, ështe jetë, lumturi por gjithashtu është dritë e zemrës dhe e shpirtit. Dashuria është prej ibadeteve më fisnike dhe qëllimeve më të larta. Me të pastrohet zemra, ndriçohet shpirti dhe lulëzon jeta. Dashurinë, Kurani e konsideron civilizim, shkencë, urtësi dhe udhëzues, i cili të çon drejt një shpirti të pastër. A është dashuria një fenomen që po keqkuptohet dhe si shihet ajo në Islam?

Përgjigje: Në ajeti 96 të sures Merjem, Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t`u dhurojë dashuri.”

Duke u bazuar në këtë ajet fisnik, Ai i cili ka mbjellur dashurinë në zemrat e njerëzve është Allahu (xh.sh).

Mirëpo, ajo që e konkretizon edhe më tepër është ajeti 54 tek surja Maide “…dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan…”

Nëse bëhet pyetja se kush është zbatuesi më i mirë i dashurisë, përgjigja është Muhamedi (a.s.), krijesa më e mirë e Allahut, i zgjedhur e i dërguar për mbarë njerëzimin.

Zemra e njeriut duhet së pari të ketë dashurinë ndaj Krijuesit të tij, Allahut të Lartmadhëruar, sepse kjo lloj dashurie i sjell lumturi dhe shpëtim, në këtë botë dhe në botën tjetër. Ajo nuk përngjason me dashurinë ndaj krijesave. Njeriu duhet të dijë se ka dashuri që të afron te Zoti dhe që të largon nga Ai. Kjo gjë shprehet shumë mirë në një hadith kudsij ku thuhet: “Nuk ka çështje me të mirë për robin Tim sesa kur të më afrohet Mua dhe nuk ka çështje më të dashur për Mua se sa kryerja e obligimeve. Njeriu do të vazhdojë të kryejë detyra të tjera shtesë ndaj meje derisa ta dua, e kur ta dua, do të bëhem veshi me të cilin dëgjon, dora me të cilën punon, këmba me të cilën vepron. Çdo herë kur të kërkojë diçka prej Meje do t’ia jap dhe çdo herë kur të kërkojë mbrojtje prej Meje do ta mbroj.”

Ndërsa dashuria që të largon nga Zoti i Madhëruar është ajo që të poshtëron, pasi ajo dirigjohet nga vesveset e shejtanit siç janë: epshi, urrejtja, lakmia, tradhëtia, plogështia apo dembelizmi. Meqenëse Allahu i Plotëfuqishëm është Krijuesi i njeriut, Ai e di më mirë se si funksionon ky njeri dhe nevojat e tij, kështu që vetë Zoti e ka pajisur njeriun me ndjenjën e dashurisë.

Feja Islame ka caktuar dhe obliguar dashurinë për Zotin dhe të Dërguarin e Tij, dashurinë për atdheun, për Islamin, për bashkëshortët, fëmijët, vëllazërinë, etj.

Por ajo që ndodh sot është se e gjithë dashuria është përqendruar në marrëdhëniet jashtëmartesore. Ideja e imitimit të shoqërive perëndimore sundon në mendjen e çdo të riu dhe të reje.

Sot, shohim të prodhohen me mijëra këngë dhe vidioklipe të cilat flasin vetëm për një gjë, dashurinë dhe lidhjet jashtëmartesore. Të shumta janë këngët, filmat, telenovelat, historitë mbi lidhjet e një djali me një vajzë.

Sipas një sondazhi në disa universitete, mbi 95% e të interesuarve mendonin se vetëm 1% e lidhjeve paramartesore përfundojnë në martesë.

Ajo që ndodh me vajzën është se pas një historie dashurie dhe romance, i thyhet zemra nga kjo ndarje.

Ajo ndihet e lënduar, e rrënuar shpirtërisht, me një dhimbje të madhe në zemër. Të gjitha ëndrrat i shikon të rrënohen kur i dashuri i saj i thotë se e ka të pamundur të vazhdojë më tej dhe kërkon të ndahet.

Zoti i ka bërë haram këto lidhje me qëllim që të mos thyhesh dhe të mos lëndohesh o motër.

Gjithashtu ndjenja lëndimi përjeton edhe djali i cili zhgënjehet nga e dashura e tij, kur ajo i thotë se nuk është njeriu i duhur për të.

Nëse do të imitosh perëndimin dhe nuk dëshiron të dëgjosh porositë që të ka lënë Zoti në Kuran, patjetër që do të lëndohesh o motër dhe ti o vëlla. Islami nuk e ndrydh e as nuk e shtyp ndjenjën e dashurisë, por ai kërkon që ajo të disiplinohet dhe të drejtohet në udhën e duhur.

Zoti të ka urdhëruar ty moj motra ime të jesh e ndershme, e jo imorale e fshehur apo e hapur qofsh, e që jeton me një burrë të martuar. (Nisa 25)

Të ka këshilluar dhe të ka urdhëruar dhe ty o vëlla me fjalët: “Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme, por mirësia qëndron në të ruajturit nga gjynahet. Hyni në shtëpi nga dera dhe kijeni frikë Allahun, në  mënyrë  që të shpëtoni!” (Bekare 189)

Nuk ka dyshim se lidhjet jashtëmartesore ju largojnë bereqetin, harmoninë, dashurinë bashkëshortore.

Psikologët pohojnë se 70-75% e divorceve ndodhin për shkak të lidhjeve jashtëmartesore. Arsyeja që kjo ndodh është se një vajzë që ka pasur një lidhje më parë, bën karahasimin mes bashkëshortit dhe të dashurit të mëparshëm. A është e drejtë të shkatërrosh të ardhmen tënde famijlare për dashuritë e pabaza, që janë të zbukuruara nga shejtani i mallkuar?

Mendoj se jo!

Lus Allahun e Madhëruar që të kuptohet e të trajtohet ashtu siç duhet ndjenja e dashurisë, pasi Krijuesi ynë është më i dijshëm se ne ndaj dashurisë që e ka vendosur në zemrat tona.

Kështu që duhet ta konsiderojmë mirësi dhe jo ta shpërdorojmë atë.

Rev. Familja, shkurt 2015