A konsiderohet mëkati sëmundje?

120

Në ditët që jetojmë dëgjojmë për përhapje masive të krimeve të llojeve të ndryshme, si: vetëvrasje, vjedhje, shkatërrime çiftesh për shkak të imoralitetit etj. A konsiderohet mëkati sëmundje?

Pergjigje: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (a.s.), familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga të vërtetat e edukimit shpirtëror është se njeriu gabon dhe se gabimi është i depozituar në natyrën e tij.

Gabimi rrjedh në dejet e tij, bashkë me gjakun, prandaj Allahu i Madhëruar nuk e ka ngarkuar njeriun me detyra duke i dhënë pagabueshmëri absolute! Në të vërtetë Allahu i Madhëruar e ka ngarkuar njeriun me detyra, që kur të gabojë të pendohet për t’u kthyer në rrugën e udhëzimit të Tij. Shpirti i njeriut është si trupi i tij, prandaj si shpirti edhe trupi kanë nevojë për pastrim të vazhdueshëm, sepse që të dy janë të ekspozuar ndaj faktorëve të jashtëm. Kurani Fisnik na njofton se besimtarët i shpëton Allahu i Madhëruar orë pas ore nga dëmet e epsheve, nga errësirat e dëshirave dhe gjërat mashtruese të jetës, sepse njerëzit derisa të jenë në këtë jetë, do të jenë të ekspozuar në çdo kohë ndaj këtyre faktorëve.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita në errësirë…” (El-Bekare, 257).

Zemra e njeriut qëndron në errësira të dendura kur kjo zemër është e hapur për të thithur çdo gjë të keqe, dhe e keqja më e madhe është padrejtësia që njeriu i bën vetes kur ai lundron në udhën e mosbesimit. Vendosmëria në të keqe është një gjendje pas së cilës gjenerojnë etapa të gjata, si kryerja e mëkatit me dëshirë dhe vdekja e ndienjave, madje edhe për gjëra të përbuzura.

Padyshim se me ndryshimin e qëllimeve të njerëzve, ndryshojnë edhe prirjet e tyre. Kryerja e një mëkati mund vijë si pasojë e një prirje të menjëhershme ose si pasojë e një dëshire të zjarrtë. Insistimi në mëkate nuk është re që mbulon më të keqen, vetëm fasadën e një besimi të bukur, por kjo depërton në shpirt dhe e ndalon njeriun që të bëjë bamirësi ose të kryejë ndonjë punë të mirë.

Kështu, nëse themi që një njeri beson tek Zoti, por këtë besim e shoqëron me prirjen për mëkate dhe krime, dhe më pas kjo prirje bëhet dëshirë e më pas vullnet, vendosmëri, moral i ulët, atëherë ajo kthehet në nje ves dhe së fundmi në një insistim të tejskajshëm drejt së keqes. Vërtet që disa ambiente ndihmojnë në mëkat, por ka edhe ambiente të tjera që ngacmojnë drejt kryerjes së veprës së përbuzur dhe të ndyrë. Nëse një person mund të mëkatojë si pasojë e një prirjeje të çastit dhe në një rast të dhënë nuk është njëlloj si ai person që mëkaton me dëshirë të madhe ose si ai që nxiton drejt mëkatit me vullnet e vetëdije. Siç është rasti i Ademit (a.s.). Lejohet të thuhet se Ademi (a.s.) gaboi, por nuk lejohet të thuhet se ai është mëkatar, pasi mëkatar i thuhet njeriut që e ka bërë zakon kryerjen e mëkatit. Nuk i thuhet rrobaqepës ndonjërit që ka qepur një rrobë të tij, por do i thuhet rrobaqepës atij personi që vazhdon gjithmonë me praktikimin e qepjes, derisa t’i bëhet zakon.

Cilësimi i mëkatit si sëmundje kërkon detyrimisht të thellohemi në kërkimin e shkaqeve që mund të jenë si dukuri të sëmundjeve apo turbullirave psiqike që ndodhen në vetë shpirtin.

Duke u bazuar në ajetet kuranore, na lejohet të themi se me të vërtetë mëkati është sëmundje. Në Kuran Allahu i Madhëruar thotë: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton.” (El-Bekare, 10); po ashtu: “Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore…” (El-Ahzab, 32).

Në një ajet tjetër thuhet: “Nëse nuk heqin dorë (nga veprimet e tyre) hipokritët dhe ata që kanë zemra të sëmura dhe ata që përhapin lajme të gënjeshtërta në Medinë, Ne me siguri do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta, e pastaj ata nuk do të jenë fqinj me ty në të, vetëm për një periudhë të shkurtër”.

Siç shikohet në ajetet e mësipërme sëmundjet shpirtërore janë të ndryshme nga pikëpamja se çfarë veprimesh dalin prej këtyre sëmundjeve, si p.sh. shkeljet e ligjit të fesë dhe të ligjit penal, apo lënia e veprave të mira dhe traditës së bukur që kemi trashëguar.

Kështu krimineli, pavarësisht se mund të jetë i sëmurë në shpirt, nuk ka mundësi që të mos ngarkohet me përgjegjësi penale dhe nuk mund të lihet i lirë pa asnjë ndëshkim me qëllim që të ruhet shoqëria, të forcohen moralet, të respektohen vyrtytet, të ruhen idealet e larta të saj, të ngrihen lart vlerat e saj dhe të shtypet cilido që i nëpërkëmb këto vlera, vyrtyte e cilësi.

Feja islame, edhe pse ka vendosur ndëshkimet për disa kategori njerëzish mëkatarë në mënyrë paralele, e sheh mëkatarin me syrin e mëshirës, duke llogaritur se ai është i sëmurë, prandaj urdhëron që lutjet të jenë në favor të mëkatarit dhe jo kundër tij.

Ndodhi që çuan njëherë një të dehur tek Pejgamberi Muhamed (a.s.), që të ndëshkohej për mëkatin e konsumimit të alkoolit, dhe njëri prej të pranishmëve i tha: “Të mallkoftë Allahu se të kanë sjellë këtu në këtë gjendje disa herë”, atëherë Pejgamberi Muhamed (a.s.)  tha: “Për Zotin, mos mallkoni! Unë e di se ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij”, dhe thotë: “Mos thoni kështu, por thoni: O Zot, pranoje pendimin e tij”. Për këtë çështje kaq delicate, për shërimin e shpirtit, flasin edhe ajetet e Kuranit, që tregojnë për mëshirën dhe i hapin sytë njeriut që të hedhë shikimin te ndihma e Allahut të Madhëruar, duke mos i zënë dritaret e shpresës. Në suren Ez-Zumer Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju robërve të Mi, që i kanë bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet” (Zumer, 53).

Në këto tekste nuk synohet gjë tjetër, veçse të nxitet ai që përpiqet të ecë përpara në rrugën e tij dhe të mos ndalet para pengesave dhe të mos i thyhet vendosmëria për të bërë vepra të mira, për shkak se më përpara ai ka punuar vepra të këqija e të mos e humbë shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pavarësisht se çfarë ai ka bërë në të kaluarën e tij, përderisa ai dëshiron të fillojë një jetë të re, një jetë të pastër dhe të virtytshme. Feja islame i fton këta njerëz që të angazhohen në adhurimet e Allahut të Madhëruar, në mënyrë që njeriu të arrijë të zotërojë vetveten e tij drejt punëve të mira dhe të edukohet për të qenë prej atyre që shpreson në mëshirën e Allahut të Madhëruar.

Për secilin prej njerëzve Kurani Fisnik sjell tregimin e Ademit (a.s.) si model i krijesës që u pendua për mëkatin dhe nuk vazhdoi ta përsëriste atë apo të vazhdonte në mëkat. Dhe sjell gjithashtu shembullin e Iblisit (shejtanit), krijesë që me mendjemadhësi dhe kryeneçësi vazhdoi të jetë në mëkat, gjë e cila ishte shkak për shkatërrimin e tij dhe të gjithë atyre që e pasojnë atë. Kështu që secili prej nesh duhet të nxjerrë mësim edhe për vetveten e tij, të pendohet për gabimet dhe të kthehet për të zgjedhur atë udhë që është më e mirë, më e drejtë, me qëllim që të fitojmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

MAJ-QERSHOR 2013