A lejohet martesa e fshehtë?

122

Pyetje: Disa njerëz martohen jashtë shtetit me gra të atjeshme, ose martohen në vendin e tyre, duke mbajtur raporte të fshehta intime me to. Cila është dispozita e këtij lloji të martesës? Cila është dispozita në lidhje me martesën në të cilën gruaja ia dhuron veten e saj një burri pa prezencën e kujdestarit legjitim të saj, pa dy dëshmitarët dhe pa e publikuar?

Përgjigje: Martesa është nga ngjarjet dhe momentet me të rëndësishme në jetën e njeriut. Ajo është traditë e profetëve (a.s.). Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi, le të martohet, sepse martesa të largon më shumë nga shikimi  haram dhe të ruan më tepër nga imoraliteti. Dhe kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të” (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu ka thënë: “Femra martohet për katër gjëra: për pasurinë e  saj, për prejardhjen e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Martohu me atë që është fetare, të jesh i lumtur” (Buhariu dhe Muslimi).

Ajo që vërehet është se Sheriati ka urdhëruar që lidhja e kurorës së martesës të dëshmohet së paku nga dy dëshmitarë dhe vetë martesa të bëhet publike. Kjo gjë bazohet në thëniet e Profetit (Paqja qoftë mbi të!): “Publikojeni martesën!” [Transmetimi i Ahmedit (15 697)]. “Shfaqeni martesën!” [Transmetim i Seaid ibën Mensurit (635)].

Madje Sheriati ka apeluar që për të publikuar martesën t’u bihet daulleve, të këndohet dhe të bëhet gosti. Po ashtu, në këtë kontekst, vijnë të gjitha format përmes të cilave publikohet martesa, sikurse zbukurimet e jashtme me drita apo sende të tjera, përdorimi i kartolinave, urimet përmes mediave, boritë e makinave etj. me kusht që të mos biem në kundërshtim me Sheriatin. Në një transmetim të dobët vjen publikimi apo kurorëzimi i martesës brenda në xhami dhe dijetarët kanë përmendur se arsyeja për këtë është që martesa të bëhet publike në mesin e njerëzve.

indexPrania e dy dëshmitarëve të denjë gjatë lidhjes së kurorës martesore përbën në vetvete publikimin në mesin e familjarëve të ngushtë, kurse publikimi në popull bëhet përmes gostisë, daulleve etj. Kësisoj realizohet publikimi i martesës që përbën një objektiv solemn të Sheriatit.

Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) përveç domosdoshmërisë së miratimit të lidhjes martesore nga ana e kujdestarit legjitim të nuses, dhe përveç pranisë së dy dëshmitarëve të denjë që e dëshmojnë lidhjen e kurorës martesore, ka kushtëzuar edhe publikimin e martesës.

Imam Maliku thotë: “Martesa e fshehtë është e të njëjtit lloj me prostitucionin” dhe e konsideron atë nga lloji për të cilin bën fjalë thënia kuranore: “E jo, (mos u martoni me ato që janë) imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me të dashur” (Nisa, 25).

Kushtëzimi i publikimit të martesës është edhe mendimi i imam Ez Zuhriut (Allahu e mëshiroftë!). Gjithashtu mendimi i shejh Abdulaziz ibn Bazit është se martesa duhet bërë publike. Imam Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë!) i është drejtuar pyetja në fjalë, e cila ka të bëjë pikërisht me martesën e fshehtë. Konkretisht atij i kanë thënë: “Një burrë është martuar në fshehtësi me një grua? A lejohet një gjë e tillë?”

Ai (Allahu e mëshiroftë!) është përgjigjur: “Nëse ai martohet me të pa aprovimin dhe pa praninë e kujdestarit legjitim të saj, pa praninë e dëshmitarëve dhe duke e fshehur martesën, kjo martesë është e pasaktë sipas konsensusit të dijetarëve. Dijetarët i mëshojnë mendimit se nuk ka martesë përveçse me miratimin e atij që është kujdestar legjitim për gruan”.

Imam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) i ka mëshuar publikimit të martesës, sidomos në vendbanimet ku njerëzit nuk e njohin njëri-tjetrin. Ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nuk ka dyshim se martesa nëse bëhet publike është e saktë, edhe nëse nuk kanë qenë të pranishëm gjatë lidhjes së kurorës dy dëshmitarë; kurse nëse dy dëshmitarët kanë qenë të pranishëm dhe martesa mbahet e fshehtë, atëherë ajo është një martesë e dyshimtë, ndërsa nëse nuk kanë qenë të pranishëm as dëshmitarët dhe as është bërë publike, në këtë rast kemi të bëjmë me një martesë të pasaktë. Konsensus, në mesin e dijetarëve, gëzon vetëm ajo martesë ku bashkohet prania e dëshmitarëve dhe publikimi në popull”.

Pastaj thotë: “Nëse personi martohet me një grua dhe nuk e bën këtë publike për njerëzit, cili është ndryshimi midis tij dhe personit që bën prostitucion? Ai tek i cili hyn një grua, me të cilën ai është martuar fshehurazi njerëzve, cili është ndryshimi midis tij dhe personit që bën prostitucion? S’ka ndryshim. Islami e ndalon çdo gjë që vë në dyshim dinjitetin e muslimanit. Islami synon që çështja e muslimanit të jetë transparente në sytë e njerëzve dhe që çështja e muslimanit të mos përshtjellohet me diçka që ia cënon atij nderin dhe bën që njerëzit ta marrin nëpër gojë. Midis këtij personi dhe atij tjetrit që ka zënë të dashur, nuk ka asnjë ndryshim të dukshëm në sytë e njerëzve, që ta dallojë njërin nga tjetri. Kështu do t’i binte që çdo personi që bën prostitucion me një grua, të cilën e mban si të dashur, po u akuzua, të argumentohet se ai është i martuar me të. Kurse nëse personi e bën publike martesën e tij në sytë e njerëzve, atëherë njerëzit do të besojnë se ai vërtetë është i martuar. Kurse nëse ai nuk e publikon martesën, atëherë njerëzit do dyshojnë nëse është martuar vërtet apo gënjen. Nëse një njeri dëshiron të thotë për dikë që është martuar në fshehtësi, se ky i fundit po ushtron prostitucion me këtë femër, ai është i lirë ta thotë këtë, pasi ata nuk kanë as argument dhe as dëshmitar që të vërtetojë martesën e tyre. Duhet medoemos që midis hallallit dhe haramit të ketë diferencim të dukshëm (pra të bëhet publike martesa)”.

Kurse që gruaja t’ia dhurojë veten e saj një burri, pa pyetur askënd, kjo martesë jo vetëm që është e pasaktë, por për më tepër ajo është e njëjtë me prostitucionin.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk i lejohet një femre që të martohet pa miratimin e atij që kujdeset për të. Prostitutat e bëjnë këtë”.

Madje edhe nëse kujdestari i gruas nuk e jep miratimin e tij për arsye të ndryshme jo bindëse, atëherë gruaja duhet të kontaktojë me ndonjë njeri të përgjegjshëm nga familjarët e saj apo ndonjë hoxhë të devotshëm të zonës së saj, që ata të marrin përgjegjësitë për këtë çështje.

Pra kushtet e saktësisë së martesës janë:

  1. Kërkesa e dhëndrit dhe pranimi i nuses.
  2. Miratimi i kujdestarit legjitim të nuses.
  3. Prania e dy dëshmitarëve.
  4. Mehri (prika apo kapitali që i dhurohet femrës).
  5. Publikimi i martesës (sidomos për familjarët e të dy palëve, por edhe për publikun; gjë që vërehet qartë nga kushtëzimi që të katër medhhebet i bëjnë pranisë së dy dëshmitarëve të denjë).

Dijetari i nderuar Abdulkerim ez Zejdani kushtëzon që veç kushteve të tjera, lidhja e kurorës martesore të mos quhet e vlefshme përderisa të bëhet çertifikimi i martesës në regjistrin e gjendjes civile shtetërore, me qëllim që të mbrohen ligjërisht të drejtat civile të gruas dhe fëmijëve, nga abuzimet e mundshme.

Një fjalë e fundit:

Nëse kushtet e lidhjes martesore që përmendëm më sipër nuk përmbushen, sidomos kriteri i miratimi të martesës nga kujdestari legjitim i nuses, publikimi, kërkesa e dhëndrit dhe pranimi i nuses, atëherë martesa është e pasaktë. Ndërsa martesa tradicionale apo e fshehtë, që bëhet nëpër copa letrash, me kaseta apo përvijime të tjera, të gjitha këto janë instrumente, të cilat nuk e arrijnë nivelin e argumentimit (sheriatik) dhe verifikimit të lidhjes martesore.

Rreziku i kësaj dukurie martesore konsiston për më tepër në faktin se prej saj rrjedhin komplikacione të tjera që kanë të bëjnë me legjitimimin e fëmijës, përkatësisë familjare dhe çështjet e trashëgimisë. Kurse ajo (e ashtuquajtura martesë sekrete) që shohim të ndodhë midis të rinjve fetar nëpër universitete (apo më gjerë), që nuk përkon me martesën legjitime sheriatike, lidhje e tillë konsiderohet prostitucion, që siç dihet është kategorikisht i ndaluar dhe i dënuar në Sheriatin (ligjin) islam. Lusim Allahun të na udhëzojë dhe të jemi të bindur ndaj tij!