Agjërimi dhe vepra e nënës sime

284

Nga Majlinda Qosja
Muaji i bekuar i Ramazanit tashmë ka hyrë dhe po përjetohet me mall e gëzim nga shumica e besimtarëve në mbarë botën. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit)” (El-Bekare,183).
“Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani udhëzim për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër, këdo që e gjen ky muaj le ta agjërojë atë” (Bekare, 185).
Unë kisha dëshirë të shkruaja një artikull për lexuesit e revistës “Familja” dhe po kërkoja në internet e libra, temën që do trajtoja. Normal që kishte shumë shkrime, botime të bukura saqë hoqa dora dhe vendosa të shkruaja thjesht vetëm për agjërimin e nënës sime. Ajo ka tashmë tre vjet që nuk agjëron sepse është ndarë nga jeta, pikërisht më 22 qershor 2014, një javë përpara se të fillonte muaji i Ramazanit.
Më kujtohet shumë mirë kur ndërsa dergjej e shtrirë në shtrat, sytë i shkëlqenin teksa unë i thoja se do të bëhej mirë dhe së bashku siç e kishim zakon si fis, vëllezër, motra nipa e mbesa do agjëronim dhe do adhuronim më shumë Allahun, Zotin e Gjithësisë. Me sytë që i shkëlqenin nga gëzimi, teksa flisnim për muajin e bekuar të Ramazanit, ajo i jepte kurajë vetës dhe shpresonte me përmallim për të agjëruar.
Nëna ime punëmira edhe pse nuk kishte studiuar nëpër shkolla e universitete, ishte edukuar nga një familje me tradita të mëdha fetare, duke filluar nga gjyshi i saj Aliu dhe babai i saj Ibrahim Lilamani. Ajo me krenari dhe mall na tregonte për familjen e saj, traditat kulturore, fetare e sociale. Nëna ime kishte mësuar që fëmijë dhe kështu na edukoi edhe ne shtatë fëmijët e saj, se muaji i Ramazanit është muaj i veçantë dhe si i tillë duhet të përjetohet, sepse në këtë muaj është shpallur Kurani Fisnik dhe është muaji i Dritës, i Mëshirës, i Durimit dhe Amnestisë Hyjnore, i faljes pa masë…
Madje jo vetëm kaq, ajo e kishte kuptuar se Allahu na e ka lehtësuar edhe më shumë rrugën drejt faljes pasi në këtë muaj mbyllen dyert e Xhehenemit, hapen dyert e Xhenetit dhe prangosen shejtanët.
Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Dhe vërtet unë nuk kam parë me sytë e mi shkëlqim të fytyrës, krenari, përulje dhe sakrificë sa ajo e fytyrës së nënës sime. Lot gëzimi dhe përulje shikoja tek sytë e saj kur vinte muaji i Ramazanit, përkushtim dhe vendosmëri të madhe. E di që diku në botë, në Shqipërinë time, në qytetin tim ka shumë njerëz të tillë, unë nuk i njoh por po shkruaj sot për të gjithë ata, si nëna ime që edhe ne të vazhdojmë me përkushtim e sakrifica të jemi si ata. Të fshehtat e të padukshmet unë nuk i di, Allahu i Gjithëdijshëm e di më mirë gjendjen e njerëzve, por unë po shkruaj për atë realitet të thjeshtë e të sinqertë që e kam përjetuar vetë.
Nëna ime e dashur ti u largove nga kjo botë me qëllimin për të agjëruar, ti u largove nga kjo botë me 76 vite agjërim. Ti ishe ajo që e kishe filluar agjërimin që nëntë vjeç dhe nuk e ndale asnjë ditë të vetme edhe pse në regjimin e egër të diktaturës komuniste. Më kujtohet shumë mirë kur unë isha shumë e vogël dhe nuk e kuptoja se çfarë ishte agjërimi, kur të shihja ty që në ditët e nxehta të vapës dhe kur errësohej pije diçka, po limonadë me trëndafila dhe haje ushqimin e varfër që ajo kohë të ofronte.
Ah, nëna ime e dashur sa më ka marrë malli për buzëqeshjen tënde, për fjalët e tua, për vështrimin tënd, për bukurinë e shpirtit dhe të sakrificës dhe të vetmohimit tënd. Sa më ka marrë malli t’i puth ato faqe.

Vargje të thjeshta thura nga dhimbja e madhe e ndarjes me ty:
E dashur nënë,
ka kohë që po të kërkoj,
ka ditë që fytyrën tënde të bukur,
nuk po mundem ta ledhatoj,
po të kërkoj me sy,
me trup e me zemër
ngado po të kërkoj,
por më kot ti je larguar
këtë botë me botën tjetër ke ndërruar….

Ti kurrë nuk u ngope me ushqim edhe kur kishe me shumicë, kurrë nuk u ankove edhe pse vitet dhe lodhja e madhe të kishin kërrusur dhe bëje dua në sexhde me minuta të tëra. Ne vajzat e tua habiteshim dhe thonim si ka mundësi që qëndron kaq shumë në sexhde dhe ti na buzëqeshje e vazhdoje me duatë dhe dhikrin tënd. Ajo goja jote nuk pushonte duke bërë dhikër.
Haxhi Xhaferr Shkodra (Zoti e mëshiroftë!) e tregonte kudo rastin tënd që teksa punoje dhe bëje prerje metalesh, një punë shumë e rëndë madje edhe për burrat tek Metalikja, ti bëje 2 norma e shoqet e tua as gjysmë norme. Të shikonin të habitur e pyesnin si ka mundësi, donin të dinin sekretin. E ku kishe ti sekret me të mirë se sa dhikri yt, ti punoje e goja jote edhe pse nën në regjimin e diktaturës komuniste bënte dhikër.
Kam shkëputur një pjesë të komenteve që kisha me motrën Blerta Rustemi, drejtoreshë e shkollës “Visare” në Kavajë, kur nëna ime ndërroi jetë.
Blerta Rustemi Vërtet ka qenë një njeri i veçantë nënë Sadetja. Një herë e kam takuar dhe fytyra e saj si hëna e plotë më është ngulitur në mendje. Njeri i rrallë dhe besimtare e sinqertë. Allahu e bëftë prej banorëve të xhenetit Firdeus dhe i shtoftë njerëzit si ajo. Një nga këshillat e saj që më ka bërë përshtypje ishte thënia e shehadetit sa më shpesh, gjatë ditës. Ajo ishte nga ata njerëz që edhe pse në agoni të vdekjes nuk pranonte të falej e mbeshtetur në jastëkë se i vinte turp nga Zoti i saj, të falej e mbështetur. Subhanallah! Allahu ja bëftë varrin dritë dhe ia shtoftë pasardhësit e devotshëm! Amin!
Majlinda Qosja Amin! Do t’i shtoja edhe më shumë fjale të mira apo të tregoja më shumë se çfarë bënte dhe sesi e kalonte kohën e saj veç me adhurim dhe agjërim, por turpërohem ta bëj se është nëna ime e dikush do paragjykonte. Allahu e di më mirë gjendjen e saj. Drejtësinë dhe sinqeritetin e njeriut e di vetëm Allahu, i Gjithëdituri por ne gjykojmë nga punët dhe punët e saj ishin dhikër, agjërim, namaz dhe sadaka. Ato që e kanë njohur nga afër e vërtetojnë!
Blerta Rustemi Edhe unë kisha akoma më shumë për të folur për të. Më ka mbetur shumë pishman që se vizitova kur ishtë e sëmurë. Shembullin e saj unë e përmend kudo që ulem dhe flas për fenë. Dhe shembulli i nënës suaj është siç ka thënë Profeti (a.s.): “Prej besimtarit të mirë ke hajër kur e ke afër, hajër kur e ke larg. Hajër kur është i gjallë dhë hajër kur është i vdekur”. Sa herë që ja përmend dikujt shembullin e saj (Zoti e mëshiroftë!) nuk mbetet askush pa thënë i habitur “Subhanallah”.

Ndoshta kush po i lexon këto rreshta po thotë sa shumë lavdërime dhe teprime, por jo kurrë madje nuk po di të shkruaj edhe më shumë e të tregoj të vërtetat e agjërimit të nënës sime, nënë Sadetes, që edhe se e moshuar i /e dashur lexues kurrë nuk reshti së agjëruari, jo vetëm në muajin e Ramazanit, por edhe ditë nafile. Nëna ime e veçantë siç ishte e dhe vepra e saj e veçantë, agjërimi i saj i veçantë jo me shumë ushqime por me shumë dhikër e ibadete, nëna ime që jepte sadaka dhe kurrë nuk kthente askënd duarbosh, nëna ime haxhije që edhe haxhin e kreu të veçantë. Udhëtoi me autobus dhe ishte ndër të parat haxhije që mes sakrificash dhe udhëtimi me autobus kreu haxhin e jetës.
Ah, vdekja jote e veçantë! Nëna ime e dashur, ti u largove nga kjo botë e vetëdijshme se po largoheshe, duke na lajmëruar se po ikje dhe duke dëshmuar me gojë shehadetin. Ti e dashur nënë ke shkuar në botën tjetër, duke lënë një vend bosh në tavolinën e gjatë të agjëruesve të familjes sonë të madhe, nëna ime ti ke lënë në errësirë dhomën tënde të gjumit që ndriçonte tek bëje namaz nate. Unë sot me përmallim e lot në sy bëj dua për ty, bëj dua për nënën time, shembull i një morali të lartë në sjellje, agjërim, namaz e bamirësi: “O Allah! Bëje nënën time Sadeten banore të xhenetit Firdeus, zgjeroja dhe ndriçoja varrin dhe na bëj ne pasardhësit e saj të devotshëm në fenë islame, siç ishte dhe donte ajo, që edhe ne të arrijmë gradën e saj për bamirësi e mirësi! Amin!”

Qershor 2017